anjeza“Në Festival me këngën ‘Love’, sepse dashuria është premtim”

“Love” është një fjalë dhe premtim, dhe për Anjezën edhe pse një çmim i dytë në Festivalin e 51-të të Këngës në RTSH, ku konkurroi me këtë titull, prapë ndihet e lumtur, sepse kjo fjalë përkon me momentet speciale që ajo po kalon në jetë. Anjeza nuk e fsheh që është e dashuruar me një djalë nga Anglia të quajtur Pol, me të cilin njihet prej dy vitesh, por ende refuzon të flasë për këtë histori. Tashmë që sapo ka kaluar zhurma e festivalit, ku Anjeza ishte pse jo pretendente për çmim të parë, me një këngë shumë të bukur dedikuar dashurisë së vërtetë, ajo po përgatitet të udhëtojë drejt Londrës më 13 janar, për të qenë pranë tij, djalit që s’ka lidhje me artin dhe që është i angazhuar me politikë. Ndonëse lidhja nuk është bërë ende zyrtare, këngëtarja veç ka konfirmuar se po jeton një dashuri të vërtetë me një të huaj. Kjo është hera e parë që 25-vjeçarja e njohur po përflitet për një histori dashurie, që duket që është shumë serioze. Ajo preferon ta ruajë ende sekret deri në zyrtarizimin e lidhjes, por përsëri nuk e fsheh që udhëtimet e saj të shpeshta drejt Londrës kanë një arsye të fortë dhe arsyeja është Pol, një diplomat i njohur në Londër. Anjeza e ka njohur në Tiranë, kur ai ishte i ngarkuar më punë këtu, por tashmë që ai është rikthyer sërish në Londër u duhet ta përjetojnë këtë lidhje në largësi. Kështu, pas disa pushimeve të bukura në muajin tetor me të dashurin atje, Anjeza pasi të mbyllë koncertet për Vitin e Ri në Shqipëri e Kosovë, do të udhëtojë sërish drejt Londrës në datën 13 janar, për t’u takuar me të dashurin e saj. Një dyshim për një lidhje të këngëtares atje lindi qëkur Anjeza postoi në facebook një album fotografish të realizuar në Londër dhe të titulluar “Lovely Holliday”. Edhe pse kanë dy vjet bashkë, duket që është një histori dashurie e fortë, përderisa po funksionon në distancë. Kështu, Anjeza, si një artiste me strategji, jo pa qëllim e ka titulluar “Love” këngën e saj të fundit, si për të vulosur në moment të rëndësishëm në jetën e saj. Por jo vetëm në këtë rast Anjeza i këndon ndjenjës, pasi vitet e fundit i ka kënduar vazhdimisht dashurisë në konkurrimet e saj në festivale dhe po ashtu në klipe.

Në klipin me Martin Kilger: “Unë, protagonistja shqiptare me të cilën dashurohet një i huaj”  

Edhe pse ka pranuar të bëhet protagoniste e një dashurie të vërtetë të këngëtarit gjerman me një vajzë nga Tirana, ndoshta aty ka interpretuar historinë e saj të dashurisë. Një i huaj, që bie kokë e këmbë në dashuri me një vajzë shqiptare. Kënga në duet titullohet në gjermanisht “Kastanien” dhe bëhet fjalë për një bashkëpunim të Anjeza Shahinit me këngëtarin gjerman, Martin Kilger, i cili ka krijuar një këngë dedikuar Tiranës, ose me saktë një vajze nga Shqipëria me sy gështenjë me të cilën ai ra në dashuri. Anjeza, e cila këndon  pjesën e saj në shqip, luan në të njëjtën kohë dhe protagonisten e klipit, ndërsa shprehet se si ndihet pasi ky djalë i huaj i ka shprehur se ka rënë në dashuri, duke e ftuar të zbulojnë bashkë gjithë botën në lirinë që asaj i pëlqen. “Në këtë këngë jam protagonistja e ftuar për të bërë vajzën shqiptare. Është interesante ideja që thyerja e këngës bëhet në shqip nga një këngëtare shqiptare, që jam unë”, thotë Anjeza. Këngëtari Martin Kilger e ka këtë këngë pjesë të albumit të tij të katërt dhe një nga videot promovuese të tij do të jetë pikërisht kjo, sipas saj. Po si lindi ky bashkëpunim i Anjezës me Martin? “Martin ka qenë disa herë në Shqipëri për aktivitete të ndryshme, dhe në çdo album të tij ai zgjedh një kulturë të veçantë, për ta bërë pjesë në këngë. Këtë herë zgjodhi Shqipërinë, që sipas tij i ka lënë gjithmonë mbresë të veçantë. Me sa kuptohet, edhe një vajzë sy gështenjë e ka bërë për vete gjatë qëndrimit të tij këtu”. Më tej, Anjeza duke folur rreth këtij bashkëpunimi, pohon se: “Me sa e njoh unë, Martin gjithmonë frymëzohet nga jeta e tij personale. Takimi im i parë me të ka qenë prej shumë kohësh, prej menaxherit tim austriak kur unë jetoja në Vjenë. Që atëherë nuk i kemi shkëputur asnjëherë lidhjet për çdo të re në muzikë. Ndërkohë Martin merret dhe me video produksion dhe, përveçse ka realizuar disa videoklipe të këngëtarit me famë Xavier Naido, ka qenë edhe në tur koncertesh me të, ku unë i kam ndjekur ‘live’”, thotë Anjeza.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here