Energjike, seksi dhe përherë e mirëpritur nga audience. Zanfina Ismajli, ndryshe nga kurrë më parë, përveç një kënge të bukur u ka dhënë edhe një shuplakë të gjithë atyre që e kanë sabotuar gjatë punës.

Kështu ka pohuar vetë artisja në një intervistë televizive në Kosovë për këngën e saj të re “Ti pa mu nuk mundesh” , e cila brenda një jave ka arritur mbi 60 mijë klikime në rrjetin e njohur muzikor youtube. Ndër të tjera, Zanfina nuk ka lënë pa komentuar edhe klipet e këngëtareve, që janë thuajse njësoj me pamje deti, plazhi e jahte të bukur… Arsye kjo, që e ka bërë këngëtaren t’i realizojë xhirimet e klipit në Gjilan. Përsa i përket një bashkëpunimi me motrën e saj Adelina, Zanfina shprehet optimiste për të ardhmen…

Urime për rikthimin me këtë këngë të re

Është e vërtetë që këtë herë kam pasur një pauzë pak më të gjatë, por ndoshta ia ka vlejt që ka ndodh kështu. Sepse kemi punuar pak më gjatë dhe shpresoj të pëlqehet ashtu siç duhet pëlqyer.

Kush janë bashkëpunëtorët e këtij projekti?

Dua të zbuloj se këngën e kam punuar qysh në dimër, por nuk e kam incizuar që atëherë. Kënga është bërë nga DJ Zap, e pasi e kemi dëgjuar muzikën demo, e kemi bërë edhe tekstin. Pastaj pak para fillimit të xhirimit e incizova këngën duke i bërë disa ndryshime në këngë dhe kjo zgjati pak. Për klipin kam bashkëpunuar me Video artin, nga Gjilani, ata janë bashkëpunëtorë të mi të vjetër, është klipi i tretë që punoj me ta dhe interesante është se gjysmat e ideve kanë qenë të atyre, gjysmat të miat. Dhe kur kemi filluar të bisedojmë për skenarin e klipit doli se të dy kishim të njëjtën ide, që unë keqtrajtoja një djalë (qesh). Unë i thashë sikur të më kishit lexuar mendjen, se është kjo ajo që doja. Në fund ka dalë diçka që të dyja palëve na ka pëlqyer.

Zanfina, klipi nis me disa komente të njerëzve, na trego përse nis kështu?

Ndoshta kjo ka të bëjë me një pjesë të të kaluarës nga profesioni im i përfolur, jo nga jeta private. Ka njerëz që gjithmonë presin që unë të këndoj, më kanë sabotuar dhe unë mendoj që një pjesë të realitetit tim ta nxjerr edhe në klip, që njerëzit të mos shohin gjithmonë një këngëtare të re, të bukur të rregulluar të përkëdhelet para kamerës dhe mendova që ta filloj ta bëj ndryshe klipin, pasi e kam ditur që ka për të pasur reagime. Ndoshta të mira, ndoshta të këqija, po më mirë të ketë reagime sesa të mos ketë fare reagime. Kështu ka dalë së paku diçka pak më ndryshe dhe unë jam shumë, shumë e kënaqur.

 

Po ndoshta kjo është jeta e një artisti Zanfin, edhe me zhgënjime…

Unë gjithmonë kam menduar se jam shumë e ndjeshme. Gjithmonë kam thënë unë jam e dobët dhe nuk mund t’i përballoj këto gjëra, por kur ka ardhur rasti për t’u përballur me ndonjë problem, ka ndodhur që unë e kam përballuar shumë lehtë se ndoshta nëna ime në këtë rast, që është edhe menaxherja ime dhe gjithmonë është me mua. Dhe kam kuptuar se ndoshta unë di t’i përballoj sfidat dhe ato sfida më kanë forcuar, kështu që mendoj se i kam përballuar mirë, në të tillë mënyrë do t’i përballoj edhe të tjerat, por nuk do t’ju mbetem borxh (qesh).

Po përveç këngës, a ke bërë pushime Zanfinë?

 

Unë jam kështu si qumësht e bardhë (qesh). Megjithatë, nuk kam qenë në pushime në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk e di ende a do të bëj pushime të gjata, pasi përveç klipit që doli kam koncerte në Shqipëri e Kosovë. E kur t’i kryej këto, ndoshta do të iki për disa ditë.

Dhe njëherë te kënga, është bërë trend që këngëtarët të nxjerrin klipe në verë. Është e duhura me këto ritme për këtë stinë, kënga juaj?

 

Me thënë të vërtetën, unë stinët nuk mundem t’i përshtas me këngë, nëse unë do kisha nxituar pak këtë këngë kisha për ta nxjerrë që në prill a maj, por u ngatërruan disi punët dhe e gjeta një kohë shumë të përshtatshme dhe thashë kjo kohë paska qenë kismet për t’u bërë dhe shyqyr që u bë tash e kaq mirë. Edhe pse nuk u lançua më herët, por në mes të verës, unë nuk kam dashur që ta bëja xhirimin në plazh, pasi gjithë klipet që shohim janë të njëjtë, në plazh e në det që janë njësoj, e me një jaht ashtu të bukur (qesh). Kështu që unë doja një atmosferë ditore, me diell, pamja është nga Gjilani, dhe mendoj se ka dalë mirë e më ka pëlqyer, se ka pasur ngjyra të gjalla.

 

Është folur për një bashkëpunim tuajin me Adelinën…?

 

Me thënë të drejtën, është diçka që unë edhe ajo e kemi bisedu, por kur vetëm bisedon për një plan, domethënë ende nuk ka diçka konkrete. Dhe edhe pse unë kam parë gazetat me këtë titull, jam çuditur, pasi ende nuk ka një gjë konkrete në këtë drejtim. Unë për vete kam shumë dëshirë të bëj një bashkëpunim me Adelinën dhe sigurisht që do t’ia kisha lënë në dorë asaj të zgjidhte, pasi ajo është shumë kokëfortë (qesh) dhe do të më duhej një javë të diskutoja për këngën. Kështu që, nëse do të ketë diçka më konkrete, ne do të dalim me një deklaratë në media.

 

“Jam pro operacioneve plastike”

 

Zanfina Ismajli ka pohuar se ajo gjithmonë është pro gjërave që e bëjnë njeriun të lumtur, përfshirë operacionet plastike dhe shoopingun e tepruar. Sipas Zanfinës, njeriu duhet t’i shërojë komplekset, qoftë edhe me operacione plastike.“Unë gjithmonë jam pro gjërave që e bëjnë njeriun të lumtur, qofshin ato operacione, shooping i tepruar apo çka do qoftë. Njeriu më mirë është të bëjë ndonjë operacion që ia shëron komplekset, sesa të jetojë i frustruar dhe të shpërndajë energji negative rreth vetes”, ka thënë këngëtarja.  (MAPO)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here