Aktorja Zamira Kita falë talentit të saj artistik është bërë sot një nga emrat më të dashur për publikun. Me dhjetëra role në jetën artistike, si dhe një punë shumë e mirë si drejtuese në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, Zamira Kita ka arritur të marrë jo pak vlerësime nga publiku.

E njohur për sharmin e saj në humor, dhe mjaft e gjendur në art, personazhet që ajo ka interpretuar në skena të ndryshme janë padyshim të suksesshëm në jetën e saj artistike.

Në intervistën dhënë për gazetën, aktorja Zamira Kita flet për punën e saj si drejtoreshë e teatrit të Korçës, një punë që siç pohon dhe vetë i ka falur shumë kënaqësi, ndërsa publiku ka arritur të shijojë vepra të ndryshme artistike. Për aktoren Zamira Kita, puna në teatrin e Korçës është shumë impenjative, tregon se tashmë po përgatiten për sezonin e ri artistik dhe kanë menduar të sjellin disa vepra në skenë, duke angazhuar aktorët korçarë. Në vijim të kësaj interviste, aktorja e cila është nderuar dhe me titullin “Mjeshtre e Madhe e Skenës” tregon se si nisi udha e saj me artin, cilët kanë qenë momentet më të vështira dhe ato më të gëzueshme në jetën artistike, duke theksuar rëndësinë e familjes në jetën e saj.

-Teatri i Korçës, institucioni kulturor që ju drejtoni e ka mbyllur sezonin artistik, por si ka qenë për ju ky sezon, çfarë ka marrë publiku gjatë veprave që janë vënë në skenën e tij?
Është viti i 6-të që unë drejtoj teatrin e Korçës, një nga më të rëndësishmit në vend, dhe më vjen mirë të them që e kemi mbyllur me shumë sukses edhe këtë sezon. Në fund të muajit qershor ne kemi përfunduar komedinë “Magjia e madhe” nga Eduardo de Filipo, e cila u vu në skenë nga Hervin Çuli. Premiera u prit mjaft mirë nga publiku dhe ishte vërtetë një shfaqje e bukur e tepër cilësore. Veprat që janë vënë në skenë gjatë sezonit që u mbyll kanë qenë disa, do të kujtoja komedinë “Beqarët” shkruar nga Teodor Laço, e cila krijonte një atmosferë të gëzuar me shumë humor duke përcjellë tek publiku shumë alegri dhe kënaqësi. Tjetër do te kujtoja varietenë “Një mbrëmje ndryshe” me pjesëmarrjen e këngëtares Elina Duni dhe aktores dhe shkrimtares Besa Myftiu. Kjo premierë kishte të gërshetuara së bashku muzikën, humorin, satirën dhe letërsinë. Ndërsa në fillim të vitit pra në janar ne kemi shfaqur po me shumë sukses varietenë “Kujdes se rrëshqet”, me aktorët e talentuar Julian Deda dhe Gent Zenelaj. Shfaqja ka qenë një mrekulli. Në skenë janë ngjitur dhe aktorë të talentuar si, Marko Bitraku, Albano Prodani, Petrika Riza, Ligoraq Riza, Natasha Andoni, Shkëlqim Jaupi, Andrea Pepi, Naum Terova, dhe pa harruar këngëtaren e mirënjohur Laxarela Deti, dhe kompozitorin Adrian Jorgji, i cili punon për realizimet muzikore. Pranë trupës së muzikës ne kemi afruar edhe këngëtarë të rinj si Niki dhe Flori, apo Helena dhe Lornesi. Gjatë këtij sezoni ne nuk harrojmë edhe fëmijët edhe të rinjtë. Për ta realizojmë premierën me kukulla Ina Patatina, e cila do të shfaqet edhe në tetor për vogëlushët e shkollave si dhe spektakli rinor “Rin Show” me pjesëmarrjen e të gjitha shkollave të mesme të qytetit tonë. Veprat kanë pasur mjaft larmi, kështu tek “Beqarët” trajtohej me humor udhëtimi i një grupi turistësh shqiptarë në Greqi. Aty krijohen situata mjaft komike. E ftuar në këtë shfaqje ka qenë aktorja jonë e larguar nga Korça prej vitesh, Mirjana Deti. Komedia “Magji e madhe” kishte një tjetër mendim, një tjetër mesazh. Jeta është një iluzion, nuk duhet të gënjehesh nuk duhet të luash me të. Ajo duhet jetuar mirë dhe bukur. Bashkëpunimi me Hervinin ishte shumë i mirë.

-Pak javë na ndajnë nga fillimi i sezonit të ri artistik për tetarin “Andon Z. Çajupi”, si drejtuese e tij çfarë mund të na thoni sa i takon shfaqjeve që do të jenë në skenën e tij. A do të ketë premiera dhe a është menduar diçka ndryshe duke qenë se është dhe 100-vjetori i Pavarësisë?
Sezoni i ri do të çelet me premierën “Humor Korçar” shkruar nga Petrit Kocibelli, dhe vënë në skenë nga Albano Prodani dhe P. Kocibelli. Do të kemi të ftuar sërish, por këtë dua ta lë surprizë. Humori sërish do gërshetohet me muzikë të bukur dhe të zgjedhur. Kam folur shumë për humorin, sepse ne mendojmë që publiku ka nevojë të qeshë të argëtohet dhe të largohet sadopak nga problemet, por kjo nuk do të thotë që ne nuk e bëjmë publikun të mendohet, sepse të gjitha shfaqjet tona kanë mesazhe të forta dhe domethënëse. Në këtë kuadër ne do të vëmë në skenë një dramë greke shumë të bukur “Stela me dorashka të kuqe “, e cila do të realizohet në muajin tetor me regji të Dhimitër Orgockës. Në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë ne po përgatisim një sërë aktivitetesh si koncert festiv, i cili do të realizohet ndryshe nga çdo vit tjetër me pjesëmarrjen e korit “Lira”, me këngë të reja të repertorit të tij me vargje të zgjedhura dhe numra baleti. Gjithashtu ne do të shfaqim një monodramë të realizuar nga Ligoraq Riza “E madhe është gjëma e mëkatit”, shkruar nga Mitrush Kuteli. Do të kemi dhe mbrëmje poetike me vargje kushtuar atdheut. Për të mbërritur në fund të vitit me premierën “Gëzuar”.

-Në punën e teatrit të Korçës është parë që kanë ardhur dhe regjisorë nga Tirana, ju vetë si e vlerësoni këtë bashkëpunim?
E vlerësoj shumë të suksesshëm madje ky ka qenë çelësi i suksesit në punën time, sepse këmbimi i përvojave është diçka e mirë në teatër, ku gërshetohen talente dhe cilësia. Ne kemi pasur gjithmonë të ftuar në teatër jo vetëm regjisorë, por edhe aktorë.

-Deri tani ju treguat punën tuaj në teatrin e Korçës, një punë që siç treguat dhe vetë nuk ka qenë e lehtë, por ka pasur dhe momentet e veta të bukura. Nëse do të flisnim për ju si aktore, gjatë këtij viti si kanë qenë angazhimet tuaja në skenën teatrore. Keni qenë pjesë e shfaqjeve, si jeni pritur nga publiku, dhe çfarë kane pasur të veçantë rolet që keni interpretuar?
Përpara se të jem drejtore e teatrit unë jam aktore, dhe sigurisht marr pjesë në të gjitha shfaqjet. Ne jemi shumë pak aktore femra dhe regjisorët më kërkojnë gjithmonë të luaj. Kjo bën që unë të jem e pranishme në të gjitha shfaqjet e teatrit të Korçës. Rolet e mia gjatë këtij viti kanë qenë të bukura. Kam pasur dy karaktere shumë të spikatura, Agllaia tek “Beqarët” dhe Zaira tek “Magjia e madhe”, dhe mjaft role të tjera të vogla në varietetë me humor.

– Në jetën tuaj artistike jeni angazhuar pranë trupës së estradës dhe më pas keni realizuar role në komedi dhe dramë, por si i kujtoni vitet kur ju keni qenë në shfaqjet e estradës. Si ka qenë për ju humori, dhe sa punohej për realizmin e tij?
Estrada komedia dhe drama janë të pandara nga unë i dua fort. Kujtoj me shumë mall kohën kur kam filluar punën në estradë, dhe kam realizuar mjaft karaktere sëbashku me mikun tim Arben Dervishi dhe të madhin Aleko Prodani.

-Edhe komedia ju ka dhuruar jo pak emocione si aktore. Ju vetë a ruani ndonjë moment të veçantë në komedi. Cila ka qenë shfaqja që ju jeni ndjerë më mirë me rolin tuaj?
Rolet në komedi janë të shumta, sepse komedia është shumë afër meje. Do të kujtoja rolin e Eftit në komedinë “Jovan Bregu Refugjat”, me të cilin fitova çmimin aktorja më e mirë në vitin 1997. Rolet e realizuara në komedi publiku i ka parë në skenë në ekranin e TVSH dhe së fundi në “Dgitalb”.

-Po drama sa ka qenë në jetën tuaj artistike?
Për sa iu takon roleve në dramë, ato janë më të pakta por më të dashura. Unë e dua shumë dramën dhe punoj fort për të. Kujtoj rolet Tanja tek ” Vajzat me valutë”, Alisa tek “Valle vdekjeje”, Fedra tek “Përbindëshi”, Mirjami tek “Unë, Mirjam dhe Sandri”.

-Janë të shumta në jetën tuaj artistike bashkëpunimet me TVSH-në në koncerte e spektakle, kryesisht ato të Vitit të Ri. A mendoni se gjatë këtyre viteve ajo atmosferë që ka qenë dikur në ekranin e RTSH është zbehur pak?
Kam bashkëpunuar shumë me TVSH-në, jo vetëm për koncertet e Vitit të Ri por edhe për koncerte të tjera. Mendoj se edhe në TVSH ka programe të mira në natën e Vitit të Ri, ka humor, por sigurisht konkurrenca sot është shumë e lartë dhe spektaklet e kanaleve të tjera televizive janë vërtet shumë të bukura, me humor dhe cilësi.

-Në vitin 1997 jeni nderuar me çmimin “Aktorja më e Mirë” në festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit të zhvilluar në Tiranë. Besoj një moment i veçantë në jetën tuaj artistike. Kanë kaluar vite nga ajo kohë, mes shumë aktorëve në festival sa e ndjetë konkurrencën dhe si e vlerësoni këtë çmim?
Ka qenë një moment shumë i bukur, një nga momentet më të rëndësishme të jetës sime artistike duke përfshirë këtu edhe vlerësimin e para pak kohëve edhe vlerësimin nga presidenti i republikës me titullin “Mjeshtre e Madhe e Skenës”. Në atë festival nuk e mendoja se do të vlerësohesha, pasi roli ishte i vogël, por duket ka qenë i realizuar plotësisht. Emocioni ishte shumë i madh dhe vlerësimi ishte i rëndësishëm për mua dhe për qytetin tim.

-Jeni një drejtuese institucioni dhe një nga aktoret që mundohet të mbajë gjallë humorin në qytetin e Korçës, jetën artistike të qytetit tuaj. Sa e lodhshme është kjo për ju dhe në çfarë përgjegjësie ju vendos si drejtuese e teatrit dhe si aktore?
Të qenit drejtore ka shumë përgjegjësi dhe vështirësi, aq më tepër që më duhet të bëj edhe aktoren. Ngarkesa në punë është e madhe edhe problemet gjithashtu. Duke qenë artiste unë përpiqem t’i kaloj dhe t’ia realizoj të gjitha.

-Në ekrane të ndryshme sot ka dhe humor, por duke e krahasuar me atë të dekadave më herët kur publiku mezi priste t’ju shikonte ju ose kolegët tuaj në ekran apo në skenë, si e shikoni humorin e ditëve të sotme, dhe nëse ka probleme ju ku i gjeni ato?
Humori që kemi bërë dikur vërtet ka qenë i bukur, por ka qenë i vetmi. Humori që bëhet sot vjen nga shumë trupa dhe televizione, është humor i bukur, cilësor, për të cilin punojnë vajza dhe djem të talentuar, por mendoj se problem i madh i tyre shpesh herë bëhet vulgariteti dhe banaliteti, nga i cili ata duhet të ruhen.
-Në jetën tuaj si aktore jeni e njohur dhe në disa filma. Si ka qenë për ju kjo eksperiencë?
Eksperienca në filma për mua ka qenë shumë e bukur dhe shumë e veçantë. Filmi im i parë ka qenë “Eja” në bashkëpunim me regjisorin Pirro Milkani, i cili më ka mësuar të aktroj në film, pasi nuk është e njëjta gjë si në teatër. Ai më ka çelur rrugën e artit, sepse në ato vite unë kam pasur problem me biografinë gjë që më ka penguar të aktivizohem më shumë në film.

-Më shumë jeni e angazhuar në teatër se sa në kinema. Pse nuk keni qenë dhe kaq aktive në kinema?
E përmenda pak çështjen e biografisë, por arsyeja tjetër shumë madhore është se kam dashur të qëndroj pranë vajzës dhe familjes sime në Korçë.

-”Yllka”, një realizim zvicerano-shqiptar, një film me humor të hollë dhe një këndvështrim shumë origjinal, krejtësisht modern, ku ju pati dhe ju si protagoniste. Si u ndjetë këtë herë me rolin e Mirës?
Filmi “Yllka” është përvoja më e bukur artistike e imja, roli i Mirës ishte një karakter shumë i spikatur. Për ta realizuar atë më kanë ndihmuar kolegët e mi francezë dhe shqiptarë. Ishte një bashkëpunim me mikeshën time Besa Myftiu. Ky rol më dha një sukses të vërtetë, pasi me të kam kandiduar në Festivalin e Filmit, në kategorinë e roleve joprotagoniste.

-Me aq sa ju i keni ndjekur prodhimet e filmit shqiptar vitet e fundit, a keni ndonjë mendim për kinemanë shqiptare?
Kinemaja në vitet e shkuara ka qenë shumë herë më e bukur dhe më cilësore për mua. Në filmat e sotëm herë-herë nuk kupton se çfarë po ndodh dhe më duket sikur spekulohet.

-Role në filma, teatër, komedi, estrada, por si nisi karriera juaj drejt aktrimit, çfarë ju shtyu që të bëheshit aktore?
Karriera ime si aktore ka nisur falë dëshirës së babait tim që unë të bëhesha aktore. Ai ka qenë një aktor amator dhe më ka marrë me vete në teatër që kur isha e vogël. Qysh atëherë s’u largova asnjëherë nga teatri. Ka qenë një pasion i imi dhe nëse do i kthehesha edhe njëherë jetës sime, do bëhesha sërish aktore.

-Falë punës suaj keni një emër në jetën artistike, por a keni pengje në jetën tuaj artistike?
Nuk mund të them se kam peng ndonjë gjë, sepse kam 30 vjet që jam në skenë. Kam realizuar mjaft role si në komedi, ashtu edhe në dramë, kam marrë sadisfaksionin e duhur, kënaqësinë e punës sime, suksesin që sot mendoj se është i merituar dhe mbi të gjitha dashurinë e publikut. Ndihem e plotësuar. Shumë nga rolet e mia publiku i mban mend, i sheh shpesh dhe madje më thërret me emrat dhe batutat e personazheve të mia. Kjo është lumturia më e madhe për mua.

– Cili ka qenë momenti më i vështirë në jetën tuaj artistike?
Momenti më i vështirë i jetës lidhet me rolin tim të parë të plotë në një trupë profesioniste, që është ai i Tanjës, te drama ruse “Vajzat me valutë”. Për të mbërritur tek ky rol kisha realizuar disa role më të vogla, por jo me ngarkesën dramatike dhe emocionale të Tanjës. Kjo gjë ka qenë shumë e vështirë për mua dhe nuk e kam ndeshur në rolet e mëpasme, të cilat i kam punuar me lehtë dhe me më pak mundim. Realizimi i Tanjës ka zgjatur për gati 6 muaj dhe unë e kam përjetuar shumë jetën e saj. Ka qenë një rol i suksesshëm me të cilin sërish jam diskutuar për çmim në Festivalin e Filmit 1995, në Vlorë. Duartrokitjet e publikut për lojën në atë rol do t’i mbaj mend gjatë gjithë jetës sime. Duartrokitjet më kanë shoqëruar në të gjitha rolet, por ato për Tanjën, ka qenë të papërsëritshme.

– Si kujtoni rolin tuaj të parë, personazhi që ju ka dhuruar për herë të parë duartrokitjet?
Meqenëse flasim për rolin e parë, kujtoj edhe Adelën, nga “Shtëpia e Berarda Albës”, që unë e kam luajtur në një trupë studentësh, gjatë mbrojtjes së diplomës në Akademinë e Arteve.

-Drejtuese e teatrit, aktore në teatër dhe në film, por ku jeni ndjerë më mirë?
Përpara se të jem drejtore unë jam aktore, ky është profesioni im, kjo është ajo që di të bëj më mirë, kjo është ajo që dua më shumë. Aktore do të jem deri në fund të jetës sime.

-Thatë që jeni me jo pak angazhime për jetën artistike, por sa e rëndësishme është familja juaj, sa ju ka mbështetur ajo?
Familja është gjëja më e rëndësishme dhe për të do bëja dhe bëj çdo sakrificë. Fatmirësisht kam gjetur mbështetjen e bashkëshortit tim për të qenë e realizuar në art. Kam pasur ndihmën dhe mbështetjen e nënës së tij dhe pse jo edhe të vajzës sime, Enira.

-Ju vetë jeni mes shumë angazhimeve artistike, sa e gjeni kohën për të qenë pranë saj?
Kuptohet se lë mangët disa gjëra nga vetja për t’i plotësuar familjes gjithçka, pa lënë pas dore punën. Di ta organizoj mirë ditën time, që çdo gjë të jetë në rregull. Është e kotë të them që nuk lodhem, sepse gjithçka që më takon duhet bërë prej meje, por them se ia kam dalë.

-Si është koha e lirë për Zamira Kitën?
Kam pak kohë të lirë, sepse i përkushtohem mjaft vajzës, kujdesem gjatë gjithë kohës time për të. E ndihmoj për mësimet, merrem me argëtimin e saj dhe gjithçka tjetër që i nevojitet. Pjesën tjetër të kohës kaloj me miqtë dhe bashkëshortin për të shijuar një kafe.

-Çfarë mund të na thoni për projektet tuaja si aktore, ku do t’ju shohim së shpejti?
Do të jem së shpejti në rolet e mia në skenën e Korçës me projektet e reja, si dhe në një serial televiziv në një nga kanalet kombëtare, që do të fillojë xhirimet së shpejti.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here