Yllka Gashi është një nga personazhet më të famshme të televizionit kosovar falë rolit në sitcom-in “Familja Moderne”, seriali i parë që është realizuar në Kosovë.

E ftuar në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’, Yllka thekson se përvoja që ka marrë në këtë eksperiencë “është shumë e vlefshme”.

“Momentalisht po punoj në serialin tjetër “Kombinati” dhe pres edhe projekte të tjera. Kemi shumë sitcom-e në Kosovë sepse nuk kemi pasur televizion për një kohë të gjatë dhe njerëzit janë të uritur për zbavitje”, shprehet Gashi, e cila ka nisur karrierën si aktore në moshën 17-vjeçare.

“Isha 17 vjeç kur përfundoi lufta në Kosovë dhe ishte një kaos total. Vendosa të merrja pjesë në një audicion për rolin e Ofelias tek Hamleti, në një projekt eksperimental”, tregon Yllka.

Në lidhje me aktrimin, shqiptarja nga Kosova nënvizon: “Në çdo profesion mendoj se ka xhelozi mes kolegëve. Aktorët janë shumë egocentrikë, por unë nuk kam pasur problem me askënd. Jam tip i drejtpërdrejtë dhe gjithmonë i kam thënë në sy gjërat.”

Yllka Gashi është e martuar dhe së shpejti pret një vajzë: “Jam martuar në Amerikë, ditën kur Obama u zgjodh president. Me bashkëshortin jam njohur në vitin 2001 kur u kthye nga SHBA-ja dhe punoi në një televizion në Kosovë. Shpresoj që martesa ime të jetë e para dhe e vetmja.”

Duke folur për fëmijën që pret, Yllka nënvizoi: “Do doja që të ketë fëmijëri më të lumtur seç e kemi pasur ne. Gjithsesi, edhe pse nuk kemi pasur shumë mundësi luanim jashtë dhe harxhonim energji, ndërsa tani luajnë vetëm me kompjuter në shtëpi. Nuk më shqetësojnë format trupore sepse në shtatzani duhet të shtosh kilogramë. Do të kthehem në format e dikurshme, por për momentin nuk po e mendoj sepse kam një mision shumë më të madh tani: të qënit nënë. Shtatzania ka ndikuar pozitivisht tek mua. Mezi po e pres fëmijën që të nis një jetë të re.”

Duke folur për një karrierë në Amerikë, aktorja tha: “Kam aspiruar për një karrierë në Amerikë, do të gënjeja po të thoja të kundërtën. Amerika është ëndërr e të gjithëve. Edhe sikur të punosh në projekte të vogla është eksperiencë e madhe.” /Top Channel/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here