Viti 2011 shënoi ngritjen dhe rënien e shumë këngëtarëve tanë. Disa prej tyre arritën që të depërtojnë dukshëm në skenën muzikore, ku me këngët dhe videoklipet e tyre tërhoqën vëmendjen e shikuesve dhe arritën të rrëmbejnë zemra të shumë artdashësve.

Për fat të mirë më shumë numërojmë ngritje se sa rënie të këngëtarëve tanë të njohur të estradës.

Janë disa nga këngëtarët e rinjë që arritën mjaftë shumë sukses me projektet e tyre muzikore dhe njëra ndër to është Dafina Zeqiri e cila gjatë këtij viti solli në treg disa këngë dhe videoklipe të cilat u bënë hite.

E sukseshme në këtë vit ishte edhe këngëtarja nga Maqedonia Adelina Tahiri e cila përveç projekteve të reja që solli tek adhuruesit e saj, për herë të parë performoi në festivalin “Kënga Magjike”, ku arriti të shpërblehet me çmimin “Magjia e parë”. Një ngritje mjaftë të madhe në vitin 2011 pati edhe reperi i njohur Mc Kresha, i cili me shumë bashkëpunime realizoi shumë hite të cilat ende vazhdojnë të pëlqehen në publik.

Konsiderohet se Mc Kresha është njëri ndër këngëtarët e rrallë të estradës sonë që vitin 2011 e kaloi me bashkëpunime të njëpasnjëshme që pati me këngëtarët tanë. Dhe ajo që është e rëndësishme për këtë këngëtarë, është fakti se çdo duet i tij bëri bujë në tregun muzikor.

E suksesshme gjatë këtij viti u tregua edhe këngëtarja e re Dafina Rexhepi e cila si duket ka fat në bashkëpunime. Ajo realizoi disa duete me Genc Prelvukajn, grupin Kaos etj, të cilat këngë e ngritën personalitetin e saj. Edhe këngëtarja e re dhe tërheqëse Adelina Berisha, ishte në top-formë gjatë këtij viti, ku ajo nuk pushoi së lansuari këngë të cilat sollën mjaftë sukses në publik.

Ndonëse edhe performanca e saj seksi në secilin videoklip asaj i solli mjaftë shumë adhurues, sidomos të gjinisë mashkullore. Djaloshi që theu rekordet në klikimet e tij në internet duke grumbullar me mijëra fansa është reperi nga Shqipëria Noizy, i cili 2011-tën po e shënon me mjaftë suksese.

Çdo këngë që solli në treg u pëlqye nga publiku dhe vazhdojnë të jenë ende hite. Skenës muzikore i’u shtua edhe një tjetër këngëtare e re dhe mjaftë e talentuar, e cila përveç zërit ka edhe një stil joshës dhe ajo është Irva Stefa e cila nuk preferon që karrierën e saj muzikore ta ndërtoj në krahë të motrës së saj Rovena Stefa.

Ajo tani së shpejti do të lansoj albumin e parë të saj në të cilin është duke punuar me mjaftë përkushtim. Kërshëri tek shikuesit ka zgjuar edhe këngëtarja e re Arxhentina Ramosaj e cila karrierën e saj e nisi me shumë mbarësi. Në fakt janë edhe kusherirat e saj Beatrix Ramosaj dhe Anxhelina Hadërgjonaj të cilat pretendojnë të ndërtojnë një karrierë të madhe muzikore. Lista e ngritjeve në skenë e këngëtarëve tanë është mjaftë e gjerë, mbase ne ua sollëm vetëm disa prej tyre.

Yjet që ishin ‘out’

Por ky vit për disa këngëtarë ishte i dështuar. Dikur ishin yje dhe punonin pa ndalë, ndërsa tani si duket po ia bëjnë vetes pushim. Mbase disa edhe mund të jenë lodhur nga puna e bërë vite me radhë. Këngëtarja që vazhdon t’i mungojë skenës muzikore për disa vjet me radhë është Aida Baraku, e cila si duket tani po u kushton më shumë rëndësi të tjerëve.

Ajo vazhdon të jetë tekstshkruesja më e kërkuar e tregut muzikor, ku një pjesë e madhe e këngëtarëve tanë këngët e tyre i kanë nga Aida. Po ashtu edhe bashkëshorti i saj Armend Rexhepagiqi është në situatë të njëjtë sikurse Aida, pasi edhe ai më shumë është duke punuar si producent se sa të paraqitet si këngëtarë.

Rënie thuajse në çdo vit po bënë edhe grupi i njohur ‘Hana Band’ që si duket nuk po u shkonë mbarë me vokalistët. Suksesin më të madh ata e kanë pasur vetëm me vokalisten Kaltrina Selimi me të cilën realizuan disa hite. Por me largimin e saj bendi, vetëm sa mori teposhtëzen dhe nuk pati fat me asnjë vokalist.

Nuk u pa gjatë këtij viti edhe këngëtarja Violetë Kukaj Retkoceri, e cila ka deklaruar se angazhimet rreth familjes dhe puna në Ansamblinë e Valleve dhe Këngëve “Shota” kanë ndikuar që ajo të mos lansojë ndonjë projekt të ri muzikor. Ndonëse ajo shpalos për “Zëri”-n se në vitin 2012 do të realizoj një album që do të shënoj edhe kthimin e saj në skenë.

Edhe këngëtarja Mirsa Kërçeli gjatë një viti nuk arriti të lansoj ndonjë projekt të ri muzikor. Si shkak i mos prezencës në skenë thuhet të jetë angazhimi rreth fejesës dhe kryerja e disa punëve private që nuk kanë të bëjnë me këngën. Mirëpo ajo tani ka nisur përgatitjet për projektet e reja dhe në fillim të vitit 2012 adhuruesit do të kenë rastin t’i shijojnë këngët e saj./zeri/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here