E kishte lexuar skenarin dhe i kishte pëlqyer ngjyrimi që reflekton ambienti kosovar.

Kishte duruar shtatë muaj duke imagjinuar vendin në të cilin ajo do të luante rolin e ri, por në prill s’do të mund t’i bënte ballë dot. Aktorja franceze, Delphine Depardieu ka vizituar Kosovën në javën e tretë të prillit.

Normalisht që nuk mund të rezistoja më. Duhej të takohesha me të gjithë ata që do të punoj në film”, – ka thënë ajo në një intervistë për “Kohën Ditore”. “Kam ardhur të takohem me njerëzit që janë të përfshirë në film, regjisorin, producentin dhe për të takuar Kosovën. Kam takuar shumë njerëz dhe ka qenë e mrekullueshme”, – ka thënë ajo. Edhe pse filmi në të cilin ajo ka pranuar njërin nga dy rolet kryesore është përcjellë me shumë kontradikta dhe shtyrje, Depardieu ka thënë se është e vetëdijshme për gjithçka që ka ndodhur.

Roli në filmin “Mysafir në sofër” me regji të Gjergj Xhuvanit dhe me skenar të afrikano-jugores Cheryl Johnson e me producent Armond Morinën, për të ka rëndësi të veçantë. “Kam takuar regjisorin për të cilin kisha dëgjuar, por nuk e njihja”, – ka thënë Depardieu. Aktorja ka treguar se gjatë këtyre ditëve kanë folur sesi projekti do të fillojë xhirimet gjatë këtij viti.

E kam një ide se si do të duket filmi dhe gjithë tregimi i tij. Unë kam mësuar shumë gjëra rreth këtij projekti dhe jam e lumtur që jam pjesë e tij”, – ka thënë Depardieu. Duke i dhënë fillimisht garancitë vetes e më pas edhe publikut se roli i saj do të jetë i kompletuar, Depardieu ka thënë se e ka për obligim që të luajë në mënyrën më të mirë në gjithë këtë film.

E bija e të atit
E kam një presion të vazhdue-shëm, sepse kam mbiemrin e tij dhe gjithmonë duhet të jem në kualitetin më të lartë të mundshëm. Por sigurisht, kjo është më shumë për karrierën time”, – ka thënë ajo. Delphine është e bija e producentit të njohur Alian Depardieu, i njohur me shumë filma, ndër ta edhe “The Piano”, “Tess”, “The Tenant”, “The War is Ower”. Ajo ndihet në siklet kur flet për të atin. “E adhuroj karrierën e tij. Më vjen keq që nuk kam pasur rastin të luaj në ndonjë projekt të tijin, porse ajo çfarë kam mësuar nga ai është një përvojë e mrekullueshme”, – ka thënë Depardieu.

Njëri nga shumë mësimet që e bija kishte marrë nga ai ka qenë edhe ajo në përgjigjen e pyetjes se cili është suksesi i të qenët një aktore e madhe. “E mbaj mend se përgjigjja e tij ka qenë: ‘Duhet të shkosh në shkollë, më pas në shkollë për teatër e më pas të fillosh të luash’.

Nuk e harroj këtë”, – ka thënë Depardieu, e cila ka thënë se shtatori i këtij viti do të jetë koha kur do të rikthehet për të filluar xhirimet në filmin “Mysafir në sofër”. Aktorja franceze e njohur për rolin e saj në trilerin “State Affairs” të Eric Velette, në shtator të vitit të kaluar i kishte thënë po skenarit të filmit “Mysafir në sofër”, një projekti që ka mbetur pezull tash tre vjet.

Atëherë producenti Morina kishte thënë se “Mysafir…” do të xhirohet në tri lokacione duke përfshirë dhe stacionin e trenit, pjesën e depërtimeve, ndërsa skena ku duhet të jetë pjesa e Bllacës do të krijohet në Klinë, kurse një pjesë e xhirimeve përfshin Gjakovën, ndërkohë xhirimet e fundit do të jenë në Bajram Curr, në Shqipëri.

Kontrata u shpall e pavlefshme nga ish-ministri Haraçia, ndërsa me ardhjen e Valton Beqirit në krye të MKRS-së sërish kontrata u shpall e vlefshme. Me këtë kontratë, MKRS-ja bashkëfinancon këtë film me 300 mijë euro.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here