Xhesika, Kristo dhe Sheila janë tre finalistët e edicionit të parë të “X Factor Albania”. Të tre aspirojnë fitoren. Të tre kanë arritur të prekin ëndrrën e madhe, të performojnë në një skenë të madhe, të pëlqehen dhe të marrin vlerësimin e publikut.

Kanë bërë mjaft fansa dhe kjo është arritje mjaft e madhe. Mirënjohës, për gjithçka kanë përjetuar deri më tani, tre finalistët ndajnë emocionet e tyre para natës së madhe të 10 qershorit, ku edhe do të shpallet më i miri mes tyre!

Si ndiheni që jeni në finalen e “X Factor Albania”?

Xhesika: Është një ndjesi shumë e veçantë. Nuk e kisha imagjinuar që do të shkoja kaq lart. Çdo gjë i ka kaluar parashikimet e mia. Ndihem shumë e lumtur dhe me fat njëkohësisht. Është si një ëndërr që po bëhet realitet.

Kristo: Të thuash i lumtur është pak. Kështu shpërblehet talenti dhe puna ime dhe normalisht ndihma dhe përkrahja e gjithë stafit, dhe s’mund të harroj fansat dhe të gjithë të afërmit e mi për votat dhe mbështetjen morale.

Sheila: Pas atij rrugëtimi të gjatë dhe gjithë asaj pune të lodhshme së bashku me produksionin dhe të madhen Vera Grabocka, ndihem e lumtur dhe e vlerësuar që jam pjesë e 3-shes finaliste.

Kishte momente që keni hezituar se nuk do të arrinit deri këtu? Xhesika: Momenti i vetëm ishte show down-i në gjysmë finale. Ai ishte momenti kulminant dhe më i rëndësishëm i natës. Në ato momente e them me plot gojë që kisha shumë frikë.

Kristo: E kam shprehur dhe herë të tjera besimin që kam në vetvete dhe në aftësitë e mia, por vetë formati të bën t’i përjetosh dhe këto emocione.

Sheila: Konkurrenca ishte e madhe dhe e fortë, kishte shumë talente që unë i vlerësoj dhe natyrisht ka pasur momente hezitimi, por natyrisht dëshira e madhe për muzikën, përkushtimi dhe puna e palodhur ime dhe e mentores sime, Juliana Pasha, si edhe vlerësimet dhe mbështetja e publikut bën që unë të ndihem më e fortë dhe të arrij deri në finale.

Si do ta vlerësonit eksperiencën e “X Factor”?

Xhesika: Me një fjali pastër dhe qartë: Eksperienca më e bukur dhe më me vlerë e jetës sime!

Kristo: Mjafton të them që shumë veta më kanë zili që jam pjesë e “X Factor” (qesh). Ishte ëndrra ime më e madhe dhe gjej rastin të falënderoj produksionin për mundësinë që më dha mua dhe një pjese të mirë të talenteve shqiptarë. Sheila: Është një eksperiencë mbresëlënëse, e paharrueshme, është një shkollë që rrit dhe nxjerr në pah talente të reja.

Cili është kujtimi më i bukur që do të merrni me vete?

Xhesika: Çdo gjë! Kam njohur njerëz të mrekullueshëm, miq shumë të mirë për mua. Kam njohur njerëz që e dashurojnë artin dhe që kanë bërë punë kolosale për të na bërë këta që jemi tani. I falënderoj pa masë dhe e them pa pikën e dyshimit që më kanë ndryshuar jetën.

Kristo: Janë pa fund momentet e bukura duke filluar që nga prapaskenat, kohën e tejzgjatur që kaloja në prova, njohjet e reja, por do të veçoja si më emocionuesin momentin kur Alketa përmendi emrin tim si finalist. Më ka lënë shije shumë të mirë kjo eksperiencë e do të jetë përherë pjesë e kujtimeve më të bukura të mia.

Sheila: Gjithçka për mua aty është e bukur, të punosh me stafin dhe krah Vera Grabockës është fat, të njihesh me shokë dhe miq të rinj që i vlerësoj të gjithë si shokë dhe si talente, e të kesh pranë një mentore shumë të talentuar dhe të palodhur si Juliana Pasha, të jesh pjesë e 3 finalistëve, për mua të gjitha këto do të jenë një kujtim i paharruar në jetën time.

Cila ka qenë nata më e vështirë për ju?

Xhesika: Pikërisht nata e gjysmë- finales, sepse siç e thashë ishte hera e tretë që unë dilja në show down dhe presioni ishte tepër i madh. Ishte një natë tepër decizive, sepse u zgjodhën 3 finalistët.

Kristo: Nata e 5-të e spektaklit kur isha në show-down, por e superova mjaft mirë. Jam njeri që di t’i kontrolloj emocionet dhe aty pikërisht atë bëra dhe dhashë më të mirën time.

Sheila: Një ndër netët më të vështira dhe emocionuese për mua ka qenë momenti i show-down-it kur unë ndodhesha përballë Liries.

Nëse e fiton “X Factor” çfarë do të thotë për ju?

Xhesika: Dëshira është e pamasë, sepse ky është pikësynimi im. Gjithsesi mendoj se edhe në qoftë se nuk e fitoj e gjithë eksperienca e “X Factor” do të thotë shumë, shumë për mua. Pastaj ta fitoj do të ishte ai fundi perfekt i një ëndrre të bërë realitet.

Kristo: Është suksesi më i madh dhe i pari i arritur prej meje si Kristo, por normalisht dhe për vazhdimin e karrierës që dua të ndërtoj unë. Ku ka më mirë se me një trofe.

Sheila: Të jesh fituese e “X Factor” të parë shqiptar për mua do të thotë të realizoj ëndrrën time, për të qenë një artiste e kompletuar e skenës shqiptare dhe pse jo e asaj ndërkombëtare.

Nëse nuk e fitoni si do të ndiheshit?

Xhesika: Do të ndihesha si një fituese. Sepse të gjithë jemi fitues pavarësisht se dole i pari, i dyti apo i treti. Do të mërzitesha pak, sepse jam kaq afër dhe nuk kam pse të mos ta fitoj, por çdo gjë varet nga puna dhe përkushtimi gjatë javës. Kristo: Besoj se do të më vinte pak keq, por s’mund ta mohoj që është arritje e madhe për mua dhe të qenit në finale, në 3-shen më të mirë.

Sheila: Unë mendoj që të 3 finalistët janë të fituar, pasi kanë marrë shumë nga përvoja dhe puna që bën produksioni në TV Klan, tashmë unë kam krijuar imazhin tim, ndihem e sigurt në skenë dhe e vlerësuar nga publiku.

Çfarë do të bëni pas “X Factor”?

Xhesika: Absolutisht që do të vazhdoj rrugën e muzikës.

Kristo: Kam shumë plane, kryesisht do të investoj jashtëzakonisht shumë në muzikë. Më janë ofruar oferta, por normalisht mbështetja më e madhe do të jetë përsëri produksioni i “X Factor”, i cili besoj se do të më mbështesë, jo vetëm mua, por të gjithë konkurrentët.

Sheila: Kam shumë plane dhe shpresoj t’i realizoj.

Kujt ia dedikoni këtë sukses?

Xhesika: Familjes sime që më ka ndjekur që në hapat e parë të kësaj eksperience, Julianës që ka qenë një nga ndihmat e mia më të mëdha në këtë rrugëtim, më ka mësuar shumë dhe është një nga njerëzit më të dashur dhe të përkushtuar që kam njohur në jetë dhe absolutisht produksionit të “X FACTOR ALBANIA”, stafit të mrekullueshëm dhe mbështetësve të mi që kanë meritat e tyre.

Kristo: Normalisht familjes sime që ka qenë një përkrahje e madhe për mua, të dashurës sime që ka qenë suksesi i sukseseve të mia, gjithë stafit të “X Factor” dhe njerë- zve që janë marrë me mua gjithë këto kohë, gjithashtu dhe publikut të madh që më ka mbështetur në çdo moment.

Sheila: Së pari talentit dhe punës sime së bashku me Julianën, mbështetjes dhe përkrahjes që më ka dhënë familja dhe miqtë e mi.

Çfarë emocione keni përpara se të dilni në finale?

Xhesika: Emocione të papërshkrueshme. Thjesht dua t’u them të gjithë fansave të mi të më mbështesin në finale, në qoftë se mendoni se unë vërtet e meritoj të jem fituese. Do të bëj më të mirën që mos t’ju zhgënjej.

Kristo: E vetmja gjë që më vjen për momentin është që po punoj fort për të arritur deri aty ku pretendoj dhe që nuk kam për të zhgënjyer ata që më mbështesin dhe që kanë besim tek unë. I falënderoj të gjithë për mundësinë e madhe që më dhanë.

Sheila: Emocioni është i madh dhe shumë i fortë, shpresoj (do Zoti) të bëj një paraqitje të mirë vokale dhe skenike për të arritur fitore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here