Xhesika Polo, konkurrentja 14-vjeçare e “X-Factor”, tregon emocionet dhe ëndrrat e saj drejt muzikës të cilat po marrin krahë falë këtij shou-talenti.

Me zërin e saj ajo ka bërë për vete shumë fansa e megjithatë ajo tregohet modeste. Nuk ndihet më e famshmja e shkollës edhe pse tregon se ka pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga mësuesit e saj.

Xhesi e ka muzikën në venat e saj. Mjafton të kujtojmë që ajo është mbesa e këngëtares së njohur të muzikës qytetare të Shqipërisë së Mesme, Valbona Mema. “Ambienti artistik ku jam rritur ka ndikuar vetëm pozitivisht”, tregon Xhesi, ndërsa shton se kjo gjë e ka shtyrë që të provonte veten në muzikë. Një shtysë që ia ka vlejtur e siç dëshiron edhe ajo, do të mbahet mend gjatë nga publiku si Xhesika, 14-vjeçarja e X-Factor.

Xhesika, së pari, na thuaj përse vendosët të merrnit pjesë në një spektakël talentesh si X-Factor?

E pashë një ditë në reklamë dhe thashë “Pse jo”…Do të jetë një eksperiencë e re dhe e bukur dhe gjithashtu një mundësi shumë e mirë për t’u promovuar.

Çfarë emocionesh keni përjetuar qysh nga fillimi deri në pikën ku jeni tani?

Në fillim emocionet ishin të papërfillshme, sepse kush e mendonte që do vija deri këtu ku jam. Më pas duke kaluar faza dhe duke u shtuar emocioni.

Si është për një vajzë të vogël si ju të performojë në një skenë aq të madhe sa ajo e X-factor?

Mrekulli. Jo të gjithë 14-vjeçarët e kanë fatin tim. Edhe pse 14 vjeçe kur hyj në atë skenë më duket vetja shumë e madhe.

Xhesi jeni ende 14 vjeçe, na thuaj pak kur ke nisur të këndosh?

Unë kam nisur të këndoj që në moshën 6-vjeçare në një aktivitet shkollor. Më saktë në palestrën e shkollës. Ndërsa tani, nga palestra te skena e X-FACTOR.

Tani që je bërë e famshme, çfarë komentesh të bëjnë shokët në shkollë?

Kam marrë komplimente të ndryshme. Jam krenare që ata janë krenarë për mua.

Po mësuesit, çfarë të thonë?

Mësuesja ime kujdestare është mësuese muzike dhe më ka ndihmuar shumë, duke më thënë qoftë edhe ndonjë kritikë lidhur me performancat e mia. Të gjithë mësuesit më kanë mbështetur dhe ua di shumë për nder.

Kur ecën në rrugë, a ndihesh vërtet e rëndësishme?

Unë jam njeri modest. Po vetë të qenit pjesë në finalen e X-FACTOR të jep një lloj rëndësie. Megjithatë, kujdesem që asnjëherë mos të kthehet në mendjemadhësi.

Ju jeni mbesa e këngëtares së njohur Valbona Mema. Si ka ndikuar ambienti artistik në të cilin jeni rritur?

Kam marrë një edukim artistik që e vogël. Jam rritur me dashurinë për muzikën dhe më ka shërbyer shumë që të arrij ku jam tani.

Si ka ndikuar ajo te ti?

Ndikimi ka qenë vetëm pozitiv. Më ka shtyrë që të provoja veten në muzikë dhe ia ka vlejtur.

Fansat e tu më të mëdhenj cilët janë?

Familja ime, që më ka dhënë në çdo moment mbështetje, dhe shoqëria.

Çfarë prêt nga X-factor, Xhesi?

Unë tashmë jam pjesë e X-FACTOR dhe mendoj se gjatë gjithë kësaj kohe kam marrë shumë nga ky spektakël. Dua që të gjithë të më kujtojnë si Xhesika, 14-vjeçarja e X-Factor.

Ju keni trajnere Juliana Pashën, si i keni marrëdhëniet me të?

No comment(qesh)… Të shkëlqyera. Ndihem njeriu më fatlum që kam trajnere një nga femrat e para që kanë sjellë muzikën blues (të cilën unë e pëlqej shumë) në Shqipëri. E dua shumë Julianën. Ajo është bërë një pjesë e rëndësishme e ditës sime. Kur ndonjëherë ka punë dhe nuk vjen dot në prova, më duket vendi krejt bosh. Jo se dua ta lavdëroj, po e adhuroj seriozitetin e Julit në punë dhe shakatë tona që e bëjnë marrëdhënien tonë të përkryer.

Çfarë të thotë ajo pas çdo performance?

Çdo gjë që të thotë një profesionist pasi ka dëgjuar performancën tënde. Gabimet dhe të mirat.

Ke ndonjë frikë kur del në skenë. Çfarë mendon?

Gjithmonë para se të dal në skenë kujtoj të gjitha KËSHILLAT E JULIANËS dhe që do dal të performoj në mijëra sy. E marr me qetësi dhe nuk kursehem aspak për të dhënë maksimumin.

Ëndrra jote më e madhe cila është?

Ëndrra ime më e madhe është që të bëhem një artiste me famë botërore në rangun e Adele, Lady Gaga etj…

Idhulli juaj në muzikë?

Nuk është se kam ndonjë idhull që e ndjek gjatë gjithë kohës dhe bazohem tek ai. Thjesht mundohem të jem sa më origjinale.

Në x-factor deri në ç’fazë e shikon veten? Deri ku mendon se do të arrijë talenti yt?

Besimi në vetvete dhe talenti im më kanë sjellë deri këtu. Të them se në ç’fazë e shoh veten, nuk e them dot. Kjo varet nga publiku, të cilin përfitoj ta falënderoj pafundësisht. Thjesht dua t’ju them që do vazhdoj të sjellë gjëra të reja dhe ndryshime nga një natë në tjetrën.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here