Moderatorja e njohur flet për familjen, impresionet e bashkëpunimit me Alban Dudushin dhe ambiciet e reja në ekran për sezonin e ri.

Në televizion shfaqet prej një dekade, ndërsa ka drejtuar formate të ndryshme nga programet me doza humori, e deri tek ato me tone serioziteti. Prej katër vitesh quhet Xhemi Shehu e të dielave në “Top Channel”.

Nuk është çudi që shpejt ta shohim në një format krejt të ri, që e ka ëndërruar prej kohësh dhe që do të jetë vërtet terreni ku ajo preferon të shkelë. Prezantuesja e njohur e “Top Channel” mbyll sezonin e “E diell” në një rrëfim për veten, familjen, djalin 1-vjeçar dhe ambiciet e saj të reja për ekranin.
Është mbyllur një sezon i gjatë televiziv i të dielave në “Top Channel”. Si do ta përshkruaje këtë eksperiencë për herë të parë duke moderuar me Alban Dudushin?
Për mua ky ka qenë një nga sezonet më impenjative të programit “E Diell”, për shkak të vetë punës së madhe e përkushtimit që kërkonte secila nga rubrikat. Nga ana tjetër do e cilësoja edhe si një nga sezonet më të bukura që kam përjetuar dhe kjo jo vetëm falë dasmave që me të drejtë tërhoqën vëmendjen e të gjithëve apo kinema kuiz-it, tek i cili përjetoja gëzim ose jo, njëlloj si ndonjë konkurrent, për të cilin bëja tifo nën zë, por edhe falë Albanit me të cilin pata fatin e mirë të bashkëpunoj.
Ndërkohë që të gjithë pushojnë të dielave, ty të duhet të jesh në punë. Të ka privuar puna për të kaluar fundjava jashtë Tiranës? E ke ndier ndonjëherë si problem?
Tashmë ky është një problem i superuar prej kohësh, edhe pse e konsideroja si të tillë vitin e parë të programit “E Diell”. Gjithsesi, me kalimin e kohës fillova të përshtatesha e për më tepër jam munduar gjithmonë që të rikuperoja fundjavat e humbura përgjatë sezonit veror.
Ndërkohë që pas çdo sezoni normalisht mund të bëhet një bilanc. Sa e suksesshme dhe e shpërblyer në sukses dhe para je ndier këtë vit?
Bilancin më të mirë e ka bërë dhe e bën gjithmonë publiku me komentet qofshin këto pozitive apo negative në kuadër të asaj që kemi përcjellë tek ata. Fatmirësisht, edhe pse nuk habitem, peshorja ka anuar nga komplimentet, urimet e fjalët e përzemërta të cilat përkthehen si sukses. E përderisa edhe unë kam qenë pjesë e kësaj pune gjigante, e tillë ndihem edhe vetë.
Ky ishte viti i parë që moderove programin me statusin e nënës. Ia ndieje mungesën Martinit gjatë të dielave?
Martinit ia ndjej mungesën çdo sekondë që jam larg tij, pak rëndësi ka ku ndodhem, por më qetëson shumë fakti që ai është në duar të ngrohta e të sigurta që e duan e kjo më ka bërë gjithmonë që të vazhdoj punën e përqendruar pa pasur asnjë merak për të.
Në fillim të sezonit pati aludime se Xhemi nuk do i kthehej ekranit përsëri pas krijimit të familjes. Pas shumë vitesh punë në televizion ndihesh më shumë e dashuruar me televizionin, apo e sheh si një punë që di ta bësh më mirë?
Nuk besoj se njeriu heq dorë nga puna, s’ka rëndësi profesioni, pikërisht në momentin e krijimit të familjes, për më tepër kur ka investuar shumë gjatë viteve, hiq këtu ndonjë rast specifik. Unë gjithmonë e kam konsideruar punën në shërbimin tim e tani natyrshëm e konsideroj atë në shërbim të familjes. Nuk di të them nëse është kjo ajo që di të bëj më mirë për aq kohë sa nuk kam provuar të bëj diçka tjetër.
Për sa i përket formës sate fizike nuk u vu re asnjë ndryshim pas lindjes. Ke praktikuar ndonjë dietë ose më saktë çfarë bën për të mbajtur trupin në formë?
E kam thënë vazhdimisht që nuk kam mundur dot të bëj asgjë për efekt kohe, edhe pse më duhet të “lëviz” që të shkoj realisht në peshën time të mëparshme. Sa u përket dietave, nuk kam hequr dorë nga ushqimi për asnjë moment, siç nuk e kam bërë kurrë më parë.
Tashmë që sezoni televiziv është mbyllur për “E diell”, ku i keni planifikuar pushimet këtë verë me djalin tuaj 1-vjeçar?
Kjo është vera e dytë në fakt që i kaloj si nënë, meqenëse Martini ka lindur në majin e vitit të kaluar. Ende nuk kemi planifikuar asgjë, edhe pse mendoj që të bëj fundjava të gjata e të shpeshta brenda kufijve.
Rikthehemi te televizioni. Për pak numëron 10 vite në karrierën tënde televizive, si moderatore e formateve të ndryshme që ke prezantuar. Do hiqje dorë nga “E diell” për ndonjë arsye?
Programin “E Diell” e konsideroj tashmë si pjesë timen shumë të rëndësishme prej katër vjetësh, dhe realisht vetëm një arsye madhore më bën të heq dorë prej saj.
Cila do të ishte kjo arsye madhore? Ekziston ndonjë format televiziv që ti e ke ëndërr ta realizosh?
Patjetër që po, është pikërisht kjo arsyeja madhore që sapo përmenda. Është thjesht çështje kohe që unë të prek “terrenin” tim të preferuar.
Zakonisht publiku bëhet kureshtar të dijë se cilët janë miqtë e tu të vërtetë nga kolegët brenda “Top Channel”, dhe po ashtu miqtë e tu VIP me të cilët mund shkëmbesh miqësi jashtë ekranit, sidomos tani që ke kohë të lirë më shumë…
Nuk do doja t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje, sepse jam e bindur që do të harroja ndonjë mik pa dashje e nuk dua të krijoj pakënaqësi. Por doja t’u uroja pushime të mbara lexuesve të gazetës suaj e gjithashtu Arbanës, Amit, Ermalit, Enos e Ledionit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here