Vitin e shkuar, fill pasi mbaroi sezoni i spektaklit “E Diell” në Top Channel, Xhemi Shehu kishte planifikuar tashmë axhendën e pushimeve verore, ndërsa sivjet ajo është krejtësisht bosh.

Kushdo do të habitej se si është e mundur që vajza e njohur e ekranit nuk ka planifikuar qoftë edhe disa ditë relaksi me të fejuarin e saj. Sigurisht, edhe Xhemi e ka një arsye, madje jo një, por disa, të cilat ka vendosur t’i rrëfejë për “standard”.

Kjo verë pa pushime

Sezoni televiziv ka mbaruar, por Xhemin mund të gjesh sërish në studiot e televizionit Top Channel, duke u përgatitur për muajin shtator. Ajo rrëfen se puntatat e “E Diell” u mbyllën me shumë sukses për të, i kanë dhuruar shumë emocione dhe një eksperiencë të paharruar. “Për sezonin tjetër ne jemi duke punuar sërish, edhe pse sapo ka mbaruar tjetri. Ne po bëhemi gati që të kthehemi sërish në shtator para shikuesve”, – rrëfen Xhemi Shehu. Ndërkaq, pasi ka shfletuar skaletën, ajo ka sërish punë të tjera për të bërë, sidomos sivjet, kur pritet që edhe të hedhë hapa të mëdhenj. Më në fund Xhemi është duke mbaruar studimet e larta dhe diplomimi vërtet që kërkon një impenjim të madh, orë të tëra mbi libra si dhe përgatitja e temës së diplomës që është përveçse një kënaqësi e madhe, edhe një detyrim po kaq i rëndësishëm për të. “Jam shumë e angazhuar, ndërkohë, pasi po mbaroj studimet e larta në Universitetin Evropian të Tiranës dhe po pres të diplomohem për Marrëdhëniet Publike dhe Komunikim”, – rrëfen vajza sharmante e televizionit. Sigurisht, që të gjitha këto janë arsye bindëse përse Xhemi nuk do të bëjë sivjet pushime verore. Por, nga ana tjetër, ka edhe diçka tjetër, po kaq të rëndësishme, siç janë projektet për dasmën…!

Dasma

Në fillim të këtij viti u përfol shumë në media për Xhemin, sigurisht jo ashtu siç mund të flitet gjithmonë. Këtë herë kishte një argument tjetër dhe mjaft të rëndësishëm për të ardhmen e saj. Më në fund do të ndalojnë thashethemet e tipit “Xhemi me Visin për pushime” apo “Xhemi me Visin duke pirë kafe”. Ata kanë vendosur që të martohen. Po, po, të martohen. Edhe pse nuk ka dashur të japë asnjë detaje të dasmës së saj, datën e saktë se kur do të organizohet ceremonia apo vendin, Xhemi pranon se do të pushojë vetëm pas dasmës. “Këtë vit nuk do të bëj pushime, të paktën jo derisa të martohem”, – thotë ajo për “standard”. Dasma pritet të jetë në vjeshtë dhe Xhemi do t’i thotë “lamtumirë” beqarisë, duke shkuar në altar në krah të Elvis Sulës, administrator i një kompanie të njohur dizenjimi dhe shtypshkronje në kryeqytet. Ashtu siç edhe e ka pohuar vetë vajza e njohur e televizionit, pritet që dasma të jetë tradicionale shqiptare, ku Xhemi ëndërron të vishet vetëm me një fustan të bardhë, ndërsa të gjitha detajet e tjera do të jenë të fokusuara te tradita e dasmave shqiptare. “Fustanin e dua të bardhë. Është ngjyra tradicionale e dasmës dhe nuk jam fare dakord me tendencat e reja të fustaneve të nusërisë. Për mua e bardha është ngjyra e dasmës dhe e tillë do të mbetet”. Ka gjasa që Ami, që është edhe mikesha e ngushtë e saj, të kujdeset personalisht për organizimin e dasmës si dhe detajeve të tjera, gjithmonë duke njohur më së miri edhe shijet e shoqes së saj të vjetër. Edhe pse Xhemi shpesh ka veshur fustanin e bardhë nëpër sfilita, këtë herë do ta bëjë seriozisht, jo për spektakël, por vetëm për vete dhe bashkëshortin e ardhshëm…!

Pushimet e Xhemit

Të pëlqejnë më shume pushimet e verës apo ato dimërore?

Nuk mund t’i ndaj, mjafton që të jenë pushime, nuk ka rëndësi se në çfarë periudhe bëhen, pasi çdo stinë i ngjyros ato pushime me të veçantën e vet.

Cilat kanë qenë për ty pushimet më të bukura?

Nuk di që të jem mërzitur ndonjëherë kur kam qenë me pushime. E stakoj mendjen që do iki për qejf, prandaj që në fillim shkoj me synimin për t’u kënaqur.

Si e përkufizon gardërobën tënde të rrobave të banjës?

Edhe pse disponoj larmishmëri rroba banje, me ngjyra, pa ngjyra, me rripa apo pa rripa, e gjej veten gjithmonë të përdor pothuajse të njëjtat.

Je e fiksuar pas ngjyrave apo rrobave të banjave të ekspozuara apo jo?

Më pëlqejnë rrobat e banjës që nuk janë trup dhe mundësisht të jenë të ndezura në ngjyrë.

Cili do të ishte vendi ideal për të kaluar një verë energjike me të dashurin?

Pushimet ideale për mua do ishin në “Disney Land”. Aty po që nuk mërzitesh dhe je e karikuar me adrenalinën në maksimum për të gjithë ditën..

24 orë nga dita e Xhemit

Në çfarë ore zgjohesh?

Varet kur kam mësim.

Cila është gjëja e parë që mendon sapo e shikon veten në pasqyrë?

Në mëngjes e kam trurin e stakuar, duhet të kalojë pak kohë që të fillojë truri të mendojë.

Me kë e pi kafenë e parë?

Nuk e konsumoj kafen fare.

Cila është pjesa më e bukur e ditës?

Kur dal në darkë me mikun tim.

Me kë e kalon pjesën më të madhe të ditës?

E kaloj me shoqërinë, detyrimisht.

Dreka, të gjen përherë me partnerin?

Jo, asnjëherë.

Ku të gjen zakonisht mbrëmja?

Në ndonjë bar duke pirë diçka.

Kur fillon nata për ty?

Kur perëndon dielli.

Të preferuarat:

Filmi: “Gladiatori”

Parfumi: La prairie “Silver Rain”

Stilisti: “Cavalli”

Shkrimtari: Dan Brown

Bizhuteritë: “Swarovski”

/Standard/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here