Prezantuesja e Top Channel në një rrëfim mëmësie. Rikthimi në ekran pas lindjes së djalit, Martin. Çasti i takimit të parë me të, emocionet dhe vështirësitë e të qenit nënë.

Prezantimi në “E diell” dhe disa përjetime që Xhemi Shehu do t’i ruajë në kujtesë çdo ditë të jetës Tingulli i të qarës së parë të Martinit i jehon ende në veshë.

Dëshirës për të pasur një fëmijë, lajmi i mbërritur pak ditë pas ceremonisë së martesës, pritja e ëmbël prej nëntë muajsh dhe kurioziteti i shtuar në maksimum çastin e çdo dite të asaj pritshmërie kishte arritur në destinacionin final.

Më në fund Xhemi Shehu mund të takohej me krijesën e saj. T’i kundronte sytë, buzët, faqet, kokën e vogël, trupthin e pamësuar ende me botën me të cilën po takohej papritur. Por sado që edhe detajet më të vogla të këtij takimi, Xhemi i kishte thurrur e rithurrur për netë të tëra, çastin kur i zgjatën të voglin e saj nuk mundi ta shijonte siç e kishte parashikuar. E mbërthyer në sallën e operacionit, me duart e lidhura, nën ankthin e një ndërhyrje që vështirësohej nga maska e oksigjenit që mbante mbi fytyrë, një emocion të tillë nuk mundi ta vinte nën kontroll.

Në një ditë të zakonshme, kur përjeton momente të tilla të ngarkuara shkrehet në lot. E lëshon veten deri kur shfryn ngarkesën emocionale dhe më pas mendon për çfarë i ka ndodhur, por aty, pikërisht në atë çast, këtë nuk e bënte dot. Zëri që vinte nga pas iu duk sikur i pushtoi trupit e shpirtin dhe guximi për ta parë e prekur beben e vogël iu venit krejt. Lëmshi i mbledhur në grykë prej emocionit u rrit aq sa iu duk sikur po i zihej fryma dhe sytë iu errën. Takimi me Martinin u shty për pak më vonë, ndërsa në veshë dëgjonte ende të qarën e tij. I duket sikur e dëgjon edhe sot, e mbase gjithë jetën do të ndihet kështu.

E rikthyer në ekran vetëm katër muaj më pas, Xhemi Shehu ishte një surprizë më vete. Ditën kur la skenën e spektaklit “E diell” ishte tetë muaj e gjysmë shtatzënë dhe mund të kishte ndenjur edhe më gjatë sikur të mos kish qenë për parapregatitjet për beben që pritej të vinte në jetë. Barku që rritej nuk e bezdiste dhe problemet e peshës apo ndryshimet fizike dukej sikur nuk ekzistonin.

Edhe pse shfaqej çdo të dielë në ekran, ajo nuk reflektonte asnjë shënjë: po ajo Xhemi me linja elegante dhe fustane të bukur, e qeshur dhe me batuta. Bebja rritej pa e munduar të ëmën dhe garderoba filloi të ndryshonte vetëm andej nga fundi, kur edhe prezantuesja ishte gati të merrte lejen. U largua pa bujë dhe po kështu i shtyu ato pak ditë që kishin mbetur deri datën kur kishte caktuar për lindjen, 27 majin. Koha përkonte me përfundimin e sezonit televiziv dhe pushimet e verës, mjaftueshëm që Xhemi të mësohej me jetën e re, por edhe ti qëndronte premtimit që kishte dhënë: sezoni i ri televiziv do ta gjente në ekran. Ndaj askush nuk u çudit, ditët e para të shtatorit, me lajmin që konfirmonte se “E diell” do të vazhdonte ta kishte prezantuesen kryesore.

Vetëm se, meqë prezantuesja bukuroshe preferon ti qëndrojë larg jetës publike, mblidhte kuriozitet se si do të ishte imazhi i ri i Xhemit, mamaja e Martinit vetëm katër muajsh. E patundur në vendimin për të mbajtur larg gazetarët dhe kuriozitetin e tyre, u desh e diela e 2 tetorit për të zbuluar të njëjtin fizik si më parë, po të njëjtën gjallëri në skenë, edhe pse pa Krastën në krah. Me sa duket meritë e mëmës natyrë. “Në të vërtetë e provova dietën.

E kishte bërë mamaja ime më parë dhe meqë funksiononte vendosa ta mbaj edhe unë”, thotë Xhemi duke qeshur. “Por vetëm për tre ditë ama, sepse më pas haja edhe ushqimet që dietologia më dërgonte në shtëpi…”. Martini nuk e ka munduar as para dhe as pas lindjes. “Vetëm më ka lumturuar jetën. Në qiellin e shtatë më duket pak të them. Fluturoj mbi re, është një eksperiencë e jashtëzakonshme”.

Bluza e pambuktë mbi të cilën shkëlqen një qershi e kuqe, xhinset dhe atletet e bardha, flokët e mbledhur pas kokës dhe fytyra ujë e sapun dëshmojnë se kjo është një ditë e zakonshme pune në ambjentet e Top Channel.

Ka regjistrime për spektaklin e së dielës dhe pasi ka çuar Martinin tek gjyshja është përgatitur të kalojë disa orë në studiot e regjistrimit. Edhe i biri, është mësuar me regjimin e ri tanimë. Gjatë verës ata kanë qenë të pandarë. Për t’i siguruar ajrin e pastër dhe qetësinë, familja e tyre e re u transferua në Golem, por jo për plazh. Martini shijonte shëtitjet e mëngjesit herët dhe ato gjatë darkës kur frynte era e detit.

Pjesën tjetër të kohës ai dhe mamaja e tij njiheshin çdo ditë e më shumë. Bebja rritej dhe i përshtatjet botës ndërsa Xhemi zbulonte me kënaqësi çdo ndryshim që i rezervonin javët që kalonin së bashku. Ndërsa tani që janë kthyer në Tiranë dhe pasi Xhemi ka marrë sërish skenarët në dorë, axhenda e të dyve ka pësuar një ndryshim të vogël. Deri pas dreke është ekskluzivitet e të ëmës. Në ditët me diell dalin shëtitje, përgjatë të cilave Xhemi e ruan nga rrezet e nxehta, sepse “e ka shumë bezdi kur i vret sytë”. Ndërsa mbasdite me shumë dëshirë në dispozicion vihen gjyshet e tij.

Tani që i është kthyer punës, e ëma e Xhemit është pranë tyre edhe gjatë natës kur Martini zgjohet shumë herë. Nevojën e saj pranë, prezantuesja e ka ndjerë që në ditën e parë kur i biri erdhi në jetë. Pas një lindje me operacion, fillimin e ka pasur të vështirë. Me gjithë qetësuesit, dhimbjet ia vështirësonin mbajtjen e bebes në pozicionin e duhur, ushqyerjen me gji, të gjendurit pranë krevatit të vogël sa herë ai qante. Sidomos javët e para deri kur u ngrit në këmbë dhe therjet e plagës u lehtësuan disi.

Nuk ka qenë aspak e lehtë. Fillimi sidomos. Ardhja e një fëmije në jetë qenka një ngjarje e jashtëzakonshme, asgjë nuk krahasohet me të. Por është edhe një përkushtim dhe impenjim i madh”. Dhe jo vetëm në ditët e para. Sepse tani që Martini i ka mbushur katër muaj, Xhemi ka filluar të mendojë për ushqimin shtesë, lëngun e frutave, përgatitjen e tyre. I duhet të mendojë edhe për punën, skenarin dhe prezantimin, ndaj një dorë ndihmë është e domosdoshme. Do ta kishte përballuar më së miri sikur edhe gjatë natës të mos zgjohej shumë herë, ndaj për të qenë e freskët dhe në formë, vjen në ndihmë gjyshja.

Ndërsa përshkruan tiparet e tij, sytë e kaltër dhe fytyrën rrumbullake, kujtimin e takimit të parë me të, ditën kur zgjodhën emrin dhe të rejat që i biri i rezervon çdo ditë, Xhemi ndalet para propozimit për të publikuar një foto të sajën me të. Mund të flasë e rrëfejë, duke kujtuar të gjitha përjetimet ditë pas dite, por jo këtë. Është një vendim i marrë herët ai i ruajtjes vetëm për veten i jetës personale ndaj asnjë lloj negocimi nuk hyn në punë. Madje edhe këtë rrëfim për atë që ajo e quan ndodhinë më të bukur të jetës së saj do ta kishte mbajtur me dëshirë private, por të qenit personazh publik ka kusuret e veta, ndaj ka pranuar të bëjë një kompromis të vogël. Të paktën deri kur djali të rritet do të qëndrojë larg kamerave dhe aparateve fotografike.

Ka ndodhur kështu edhe më parë me Xhemin. Martuar me Elvis Sulon 3 shtatorin e vitit të kaluar, Xhemi ka preferuar të qëndrojë sa më larg të mundet nga vëmendja e publikut. Refuzoi çdo lloj propozimi për publikimin e fotove të dasmës siç kishte bërë edhe më parë, kur ishin vetëm të lidhur dhe shmangnin çdo lloj ekspozimi para mediave. Prezantuesja ka zgjedhur të ruajë për vete shumë detaje nga jeta e saj personale dhe që prej majit vendin kryesor në listën e gjërave “private” e ka zënë Martini. Emrin e të cilit e ka zgjedhur pa shumë mundim. Bashkë me Elvisin donin një emër shqiptar, jo të komplikuar dhe pa sajesa.

“Martin, e zgjodha unë”, thotë ajo. “Kur kam qenë e vogël kam pasur në pallat një fëmijë shumë të bukur që quhej kështu. Më ishte fiksuar që atëherë ky emër”. I bukur është edhe djali i Xhemit. Ka marrë sytë e kaltër të gjyshit dhe shumë tipare të së ëmës. Një kombinim perfekt genesh, ashtu ajo e ka ëndërruar kur e kishte ende në bark.

Mbase një arsye më shumë për ta mbajtur të gjithin për vete e për të mos e ndarë me askënd, pavarësisht se për të folur për të, Xhemi nuk përton asnjëherë. “Më ka zbukuruar jetën dhe ndodh diçka që duhet të jetë e zakonshme për çdo nënë mendoj: Pavarësisht sa e lodhshme është dita, sado stres të kem kaluar, kur shkoj në shtëpi dhe shoh Martinin ripërtërihem. Më kthehet buzëqeshja dhe fuqia për ta mbajtur në krahë. Harroj çdo gjë tjetër. Ai është universi im”.

Me të tillë energji del nga shtëpia çdo mbasdite dhe kthehet në darkë. Nata e gjatë, shpesh e pagjumë, komensohet me mëngjesin e kaluar me të, në shtëpinë e tyre të re diku në periferi të Tiranës, orët e shëtitjeve dhe drekave së bashku. I ëmbël është edhe çdo shqetësim i vogël, apo merak prej nëne, ndjesi të reja për prezantuesen. Me kujtimin e ëmbël të doçkave të vogla që e shtërngojnë kur e lë të sigurtë në prehrin e gjyshes shfaqet edhe të dielave në ekran, në të cilin Xhemi mungoi fare pak javë sezonin e kaluar.

E ka nisur aty ku e ka lënë në spektaklin orëgjatë të ditës së fundit të javës. Martini nuk e mundoi as atëherë kur rritej brenda saj dhe as tani që pavetëdije e përcjell për në punë. Përkundrazi. I ka dhuruar një tjetër dimension Xhemi Shehut, e cila e rikthyer me kohë të plotë në ekran dhuron buzëqeshje me një tjetër sharm nga ai i zakonshmi.

Tani për tani i mjafton kujtimi të birit për të pasur atë imazh dhe formë që reflekton sa herë që kamerat drejtohen mbi të. Më vonë do të ketë një arsye më shumë për të qenë njësoj tërheqëse: nga ana tjetër e ekranit do të jetë Martini spektatori i saj special. Për të cilin ia vlen të jetë elegante, e bukur dhe prezantuese e zonja. Çka siguron një Xhemi prezente edhe për shumë kohë të tjera në televizion.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here