Dy prezantueset e njohura të spektakleve, 26 vjeçarja Alketa Vejsiu dhe 27 vjeçarja Xhemi Shehu, do të sjellin në jetë dy beba djem në vitin e ri 2011. Edhe pse janë gati në muajin e tretë të shtatzënisë, rezultati i ekove ka qenë i njëjtë për të dyja vajzat e ekranit, të dyja në pritje të bebeve djem.

Deri tani thuhet se as njëra dhe as tjetra nuk do të heqin dorë nga shfaqja, përkatësisht në ekranet e “Vizion Plus” dhe “Top Channel” vitin tjetër, ndërsa pritet të shfaqen me bark të dukshëm dhe me linja më të kolme seç jemi mësuar t’i shohim zakonisht.

Alketa pret djalin që kishte dëshiruar.Për Alketën, e cila po përgatitet paralelisht për t’u shfaqur si e para prezantuese shtatzënë në show-n “Dancing with the stars” në muajin mars në “Vizion Plus”, ky do të jetë fëmija i saj i dytë pas Nicole, vajzës 5-vjeçare. Pasi ka marrë rezultatin e ekos, ku shfaqet gjinia e bebit, që është djalë, Alketa është ndier jashtë mase e lumtur, pasi kështu ajo e kompleton bukur familjen e saj të re, me një vajzë dhe një djalë, kombinimi më i dëshiruar për çdo çift të ri. Lajmi se Alketa po sillte një fëmijë të dytë në jetë, u publikua në media pak javë më parë.

Pas mbylljes së spektaklit “Miss dhe Mister Albania 2010”, Alketa iu nënshtrua pushimit total, si pasojë e muajve të parë të shtatzënisë në fillimet e saj, pikërisht gjatë realizimit të këtij spektakli. Ajo, duke mos dhënë shumë detaje për jetën e saj private, e konsideroi këtë ardhje të një fëmije të dytë, si një dhuratë nga Zoti. Edhe pse tashmë barku i saj bie shumë pak në sy, deri në muajin mars ajo do të duhet të mendojë stile të përshtatshme fustanesh, mbase jo për ta fshehur shtatzëninë.

Por për ta shfaqur sa më bukur atë. Kjo nuk është hera e parë që Alketa shfaqet shtatzënë në një show me ritëm, të papritura dhe tension. Ajo e ka provuar një eksperiencë të tillë plot pesë vjet më parë në prezantimin e spektaklit “Euro Video Grand Prix”, ndërsa priste të sillte në jetë vajzën, Nicole. Kuptohet që askush nuk e vuri re atëherë, përderisa shtatzënia ishte ende e padukshme.
Xhemi, mami për herë e të parë e një djali

Ndërsa Alketa e ka një eksperiencë të provuar një herë më parë, atë të shtatzënisë dhe është tashmë nënë e një vajze të vogël, për Xhemin kjo është eksperienca e saj e parë. Vetëm pak pas celebrimit të saj dhe dasmës tradicionale, Xhemi Shehu vendos të sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, që do të jetë djalë. Dhe tashmë në televizion, ku shfaqet çdo të diel si prezantuese e programit “E diell”në krah të Adi Krastës, Xhemi duket se ka filluar ta ndryshojë veshjen, me fustane dhe bluza disi më të gjera se zakonisht.

Prezantuesja simpatike 27 vjeçare, mesa duket do të vazhdojë të jetë në ekran edhe vitin tjetër, edhe pse barku i saj me kalimin e muajve do të bëhet më i dukshëm. Xhemi Shehu u martua në 3 shtator në një ceremoni, për të cilën ajo u kujdes ta organizonte larg syve të mediave dhe shkrepjes së bliceve të aparateve fotografikë.

Dasma e nuses u organizua të premten, ndërsa dasma e dhëndrit, biznesmenit Elvis Sula, u organizua të dielën në hotel “Sheraton”. Pas dasmës, çifti kaloi muaj mjalti dhe nisën bashkëjetesën në apartamentin e tyre të ri në Tiranë. Xhemi dhe Visi u lidhën katër vjet më parë, por gjithmonë janë ruajtur ta mbajnë këtë lidhje larg mediave. Komentet për lidhjen me Visin u bënë paralelisht me rikthimin e saj në ekranin e Top Channel, në programin “E diell”./Panorama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here