Regjisori veteran Woody Allen ka fituar çmimin për skenarin më të mirë në ceremoninë “Writers Guild”, për skenarin e komedisë romantike “Midnight in Paris”.

Çmimi për skenarin më të mirë të përshtatur ka shkuar për Alexandre Payne, Nat Faxon dhe Jim Rash, për skenarin e filmit “The Descendants”.

Më çmim special është nderuar regjisori i filmit “The Help”, Tate Taylor, për kontributin e punën e tij që ka promovuar lirinë e të drejtat civile. Taylor u ka thënë gazetarëve se filmi i tij ka qenë “brumë i dashurisë” dhe suksesi i tij ka qenë i madh. “Është adaptimi i parë që kam bërë, për të cilin mendoj se kam qenë i bekuar”, ka thënë regjisori, i cili skenarin e filmit e ka bazuar në romanin e Kathryn Stockett.

Ceremonia e çmimeve “Writers Guild Awards”, që është mbajtur në Hollywood Palladium të dielën mbrëma, shpeshherë është cilësuar si parashikues i filmave që do të fitojnë “Oscar” për skenarët. Spektakli “The Colbert Report”, me nikoqir Stephen Colbert, ka fituar çmimin për serinë më të mirë komike. “General Hospital” është kurorëzuar me çmimin për dramën më të mirë, derisa episodi i “Simpsons” me titull “Homer the Father” është emëruar animacioni më i mirë.

Ndërkohë Steven Spielberg i është gëzuar suksesit në “Motion Picture Sound Editos Golden Reel Awards”, duke u shpërblyer për dy filmat e tij “The Adventures of Tintin” dhe “War Horse”. Ky film është shpërblyer me çmimin për efektet më të mira të zërit sa i përket kategorisë së filmave artistikë. Ndërkohë “The Adventures of Tintin” ka fituar çmimin për efektet më të mira të zërit në film të animuar. ‘

Filmi “Hugo” i regjisorit veteran Martin Scorsese ka fituar çmimin për tingullin më të mirë të muzikës në film, derisa “Muppets” ka marrë çmimin për muzikën më të mirë në një film mjuzikël artistik. Scorsese po ashtu i është gëzuar suksesit kur filmi i tij “Living in the Material World” është shpërblyer në kategorinë e dokumentarëve artistikë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here