Nga prezantimi në Gjermani, tek “The Voice” shqiptar. Miriam Cani dhe ditët e qëndrimit në Shqipëri.

Një vit i mbushur plot, me spektakle në operan e Bonit, prezantime, këngë të reja dhe një garë shqiptare talentesh. Bashkëjetesa me Alban Skënderajn dhe një histori e lumtur dashurie.

Babagjyshit të Vitit të Ri i ka kërkuar vetëm një gjë: t’i lërë punët kështu siç janë edhe në 2012-ën.

Me lutjen e përhershme për shëndet të mirë dhe forcë për të mbajtur ritmin, Miriam Cani nuk ka pasur asnjë kërkesë të veçantë këtë fundvit. 2011 ka rrjedhur si jo më mirë, me plot punë dhe projekte të reja, shfaqje çdo dhjetë ditë në Gjermani dhe spektakël të përjavshëm në Tiranë. I është dashur të marrë avionin pak më shpesh se zakonisht këto muajt e fundit, por edhe këto nuk kanë qenë veçse udhëtime të mbara, pasi ka lënë plot sallën e operas së Bonit, për të gjetur po plot, sallën e “The voice” në Tiranë. “Duke qenë se jam aktive në dy shtete të ndryshme, në të cilët punoj fort, uroj nga zemra t’ia dal të mbaj këtë ritëm edhe në vitet e ardhshme”, thotë ajo. “Më shumë se kaq nuk do të mund të bëja dot, sepse dita ka vetëm 24 orë”.

Sidomos këto muaj spektakli shqiptar e ka kuptuar më mirë se asnjëherë se ç’do të thotë të mos mjaftojnë 24 orët e një ditë-nate. Meqë “The voice” po i afrohet pikës më të nxehtë, në një kohë kur audienca ka arritur në dhjetra mijë dhe gara është bërë shumë e fortë, një takim me Miriamin këto ditë është një mision, në mos i pamundur, shumë i vështirë.

Telefonit pothuaj nuk i përgjigjet për shkak të muzikës së lartë në studio, ku me grupin e vet të këngëtarëve të rinj bën provat e çdo dite. Në mbasdite vonë punon me këngën e re që do të promovojë në janar, ndërsa darkat e gjejnë në shtëpi. Në fundjavë është radha e regjistrimit dhe transmetimi i spektaklit, ndërkohë që me të njëjtin ritëm i duhet të punojë për të mos lënë asgjë mangut edhe nga kontratat e Gjermanisë. Kështu i ka kaluar këto javë, duke nxituar nga njëra studio në tjetrën dhe nga njëri shtet në tjetrin, aq sa edhe festën e Krishtlindjes, më shumë se me familjarët që e vizituan në Tiranë, i ka kaluar në studio. Edhe për këtë intervistë dhe set fotografik është shkëputur për pak, pasi ka përfunduar punët e javës me spektaklin dhe u ka kërkuar të afërmve t’i shtyjnë të paktën ndonjë orë festimet e 25 dhjetorit.

Megjithatë asnjë pikë lodhjeje nuk lexohet në fytyrën e artistes shqiptare. Buzëqeshja e ëmbël shoqëruar nga ndjesa për vonesat, jo për mungesë dëshire, dëshmojnë se ofertat e fundit shqiptare i ka pranuar me qejf, po as sa ngarkesën e këtyre javëve. Është e kënaqur si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Gjermania. Aq sa po bluan në mendje një projekt special: të rinjtë që ka zbuluar nga “The voice” t’i mbështesë edhe kur spektakli të përfundojë. Pasi ka parë rregullat e lojës në Shqipëri, e ka quajtur të udhës të bëjë diçka për ta.

Me të tilla ide, të reja dhe të vjetra, projekte të hershme dhe të tjera që po gatuan ndërkohë, me një jetë personale të përmbushur, Miriam Cani rrëfen për një vit të mbushur plot, qershia mbi tortë e të cilit është “The voice”, i cili i ka mundësuar qëndrimin më gjatë se zakonisht në Shqipëri.

Ftesa për të qenë një nga anëtarët e jurisë së garës muzikore rinore i ka ardhur nga autori i spektaklit, Rezart Aga. E pranoi pa hezituar dhe jo vetëm pse e parandjeu suksesin e formulës që ka gozhduar para ekranit rekord shikueshmërie.

“The Voice of Albania” është një nga projektet më të bukura që kam pasur në Shqipëri”, thotë Miriami. “Një projekt, i cili më frymëzon për të punuar dhe krijuar sa më shumë.

Më jep hapësirën të realizoj idetë dhe kreativitetin tim tek disa artistë me rrymë dhe stile të ndryshme. Është një eksperiencë e jashtëzakonshme. Më jep një emocion që nuk e kam provuar më parë. Të japësh nga eksperiencat e tua është diçka shumë e bukur, sidomos kur sheh pastaj rezultatet që të bëjnë të ndihesh krenare”.

Për më tepër që Miriam Cani i njeh mirë emocionet dhe ndjesitë e atyre të rinjëve. Ka konkuruar edhe ajo dikur në një spektakël të ngjashëm. Ka provuar ethet e garës, atë ngërçin e fortë në stomak çdo herë që del në skenë, ëndrrën e madhe të fitores.

Të cilat ndoshta kanë qenë dyfish më të forta sepse prekjen e parë të skenës së madhe e ka ndjerë në një vend që nuk ishte ai i lindjes. Prej kësaj dhe orëve të gjata mbyllur në studio, njohjes nga afër dhe talentit të tyre, Miriami ka pranuar edhe koston e familjarizimit me secilin prej atyre të rinjve. “Është normale që fillon edhe krijon edhe lidhje njerëzore duke punuar çdo ditë me ta. Kjo natyrisht e vështirëson procesin e eliminimeve.

Por ekipi që unë kam formuar është një ekip me artistë të vërtetë, të cilët punojnë me pasion me muzikën dhe kjo është baza e gjithçkaje”. Artistë që Miriami tani e di mirë që pasi spektakli të përfundojë do t’u duhet të përballen me një treg të ashpër muzikor, rregullat e lojës së të cilit nuk janë edhe aq të ndershme.

Unë kam dëshirë t’i mbështes artistët e rinj në Shqipëri sa të kem mundësi në të ardhmen, pavarësisht nga “The Voice”. Kjo është një dëshirë e imja personale sepse ata kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje duke qenë se këtu nuk ka strukturat e duhura për artistët e rinj. Këtu je i humbur nëse nuk ke anën financiare që të sponsorizon videoklipet dhe këngët. Shumë e trishtueshme, por ky është realiteti. Ka ardhur koha të hapen dyert për artistët e rinj që punojnë dhe ëndërrojnë të bëjnë art, të bëjnë muzikë e të shkojnë drejt një karriere me baza të forta”.

E ka marrë parasysh këtë edhe pse në Gjermani, prej nga vjen, kohën e lirë nuk e ka me bollëk. Përkundrazi. Atje ka arritur të fitojë një nga rolet kryesore në muzikalin “Hair”, i cili prezantohet çdo dhjetë ditë në operan e Bonit.

Sipas kontratës shfaqja do të vazhdojë përgjatë një viti, deri në qershorin e 2012-ës, çka nënkupton një angazhim më shumë. Aktualisht, muzikali legjendar i importuar nga Broduej, siç tregon Miriami, është për momentin një nga shfaqjet më të kërkuara në Gjermani.

“Ky vit ka qenë i mbushur me projekte të reja”, shton ajo. “Sa i takon tregut shqiptar, më ka dhënë mundësinë të jem më prezente në Shqipëri, krahasuar me vitet e kaluara.

Kam pasur mundësinë të mbledh eksperiencat më të bukura, të cilat më kanë rritur artistikisht”. Ku përfshihen edhe projekte të tjera gjermane, të lidhura sidomos në fushën e prezantimit. “Është një fushë, të cilën e kam praktikuar prej pesë vjetësh në ekranet dhe skenat gjermane”. Por pa hequr dorë nga muzika.

Ndërkohë që Alban Skënderaj pak ditë më parë prezantoi këngën e tij të re, Miriami është duke i dhënë dorën e fundit një tjetër kompozimi solo, të cilin parashikon ta prezantojë në muajin janar. Çifti i njohur, ashtu si edhe në Gjermani, edhe përgjatë këtyre muajve nuk është ndarë për asnjë çast nga njëri-tjetri.

Rastësisht, pak kohë më vonë pasi Miriami pranoi ftesën e Rezart Agës, Albani mori ftesë nga një tjetër televizion, dhe tjetër spektakël, “X Factor”. Thënë ndryshe janë ndarë vetëm sa i takon formateve dhe logos së ekranit ku do të shfaqen.

“Ka qenë rastësi”, thotë ajo. “Ne jemi artistë dhe jo politikanë”, shton duke iu referuar faktit të konkurencës mes dy televizioneve, të cilët jo rrallë janë përballur me formate të njëjtë apo të ngjashëm spektaklesh. “Nuk kemi të bëjmë me “pozicionime”. Aty ku puna dhe imazhi yt vlerësohet dhe kërkohet, aty do të jemi prezentë. Siç funksionon në të gjithë botën, fundja.

Ne duam thjeshtë të bëjmë art dhe të përcjellim diçka tek njerëzit. Pa paragjykime dhe filozofira të mëdha. Ne jemi dy artistë të pavarur me karrierë 9 vjeçare secili. Jeta private nuk është gjithmonë e lidhur me jetën profesionale”.

Ama kjo e fundit duket se i ka shërbyer më së miri lidhjes që numëron tashmë katër vite bashkëjetesë. Miriami tregon për një histori dashurie që funksionin deri në përsosmëri, mbi atë balancën perfekte midis punës dhe jetës private.

Asgjë e jashtëzakonshme që i diferencon, asgjë më shumë se një çift normal, por që lidhet dyfish për shkak të zanatit. “Ndihemi me fat që kemi njëri-tjetrin sidomos edhe për faktin që kemi të njëjtin profesion dhe kuptohemi në mënyrë perfekte.

Duke pasur lirinë në këtë profesion për të kordinuar punët vetë, mundohemi edhe të lidhim projektet tona për të qenë sa më shumë bashkë. Jemi shumë të kënaqur me gjithçka deri tani„.

Fati nuk i la në baltë as kësaj here. Dy ftesat e mbërritura në të njëjtën kohë i kanë transferuar të dy në Tiranë, ku janë vendosur në një shtëpi me qera deri kur projektet të përfundojnë dhe të marrin avionin për të qëndruar më gjatë në Gjermani. “Është fat nëse dy artistë gjejnë njëri-tjetrin. Ka vështirësitë e veta duke qenë se ke vazhdimisht faza ku nuk mund të jesh me partnerin tënd, por me pak organizim gjithçka mund të jetë shumë mirë”, shton duke qeshur.

Por kjo nuk do të thotë se kur “The voice” të përfundojë, Miriami do të qëndrojë në Tiranë në pritje që edhe spektakli ku Albani është në juri, të arrijë deri në finale. “Unë do të jem gjithmonë midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, siç kam qenë edhe vitet e shkuara.

Por bazën tonë e kemi në Gjermani. Aty ku unë kam projektet e mia kryesore”. Do t’i mbajë sytë edhe nga Shqipëria. Projekte të tjera mund të ketë mbas “The voice”. Pastaj kjo është edhe dëshira që Miriami i ka shprehur Babagjyshit: Një vit të ri me të njëjtin ritëm si ky që po lëmë pas.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here