Dafina ZeqiriEmra të suksesshëm dhe shumë të kërkuar në botën e shou bizit. Janë këta këngëtarët tanë që me prezencën e tyre shumë shpesh bëhen model i një numri të madh të të rinjve. Ermal Fejzullahu, Mentor Haziri, Dafina Zeqiri e Genta Ismajli janë vetëm disa nga emrat e njohur të skenës sonë që shkollimin e lart nuk e kanë përfunduar. Disa nga këta emra një lëshim të tillë e arsyetojnë me angazhimet profesionale apo edhe shpresojnë që një ditë do t’i përvishen mësimit, e disa të tjerë as që duan të flasin për këtë fakt.

Ermali ende shpreson për shkollim

Ndonëse i rritur nga prindër të arsimuar, këngëtari Ermal Fejzullahu shkollimin e lartë nuk e ka përfunduar. Fajtor për këtë gjë sipas këngëtarit janë obligimet familjare. “Pas mbarimit të shkollës së mesme, unë nuk kisha mundësi që të vazhdoj shkollimin e të regjistrohem në fakultet. Arsyeja ishte që unë u martova shumë i ri.

Mandej u bënë fëmijët, e kështu më është dashur që t’i përkushtohem më shumë familjes sime”, ka thënë fillimisht ai, duke shtuar se studimet gjithnjë mbesin pjesë e planeve të tij. “Kjo nuk do të thotë që në një të ardhme nuk do të regjistroj fakultetin. Dëshira ime e madhe është që të regjistrohem në Fakultetin e Ekonomisë, në drejtimin e Marketingut.

Është një drejtim që më pëlqen shumë. E nëse një ditë do të arrij që të bëhem student, do të doja që të isha student i Universitetit të Prishtinës. Nuk preferoj që të jem pjesë e fakulteteve private, sepse përveç janë bërë një numër i madh i tyre, tjetra është se nuk ja vlen që të japësh para në shuma të konsiderueshme, dhe të mbetesh gjithmonë injorant”, ka thënë më tej këngëtari.

Mentor Hazirin e la lufta pa shkollë

Edhe këngëtari i njohur Mentor Haziri nuk i ka përfunduar obligimet e tij shkollore. Ai për gazetën Tribuna ka bërë të ditur se një gjë e tillë për të ka qenë e pamundur për shkak të luftës në vendin tonë. “Unë kur kam përfunduar shkollën e mesme ka qenë kohë lufte, andaj nuk kam pasur mundësi që të vazhdoj më tutje shkollimin e lart. Në shkollë të mesme isha nxënës i shkollë së mjekësisë në drejtimin teknik laborant në Ferizaj.

Pastaj pas emigrimit tim në Australi, isha regjistruar në një kolegj, i cili kishte kushte mjaftë të mira, dhe të gjitha i kishim falas. Por që fatkeqësisht nuk kam arritur që ta përfundoj, pasi që na erdhi koha të kthehemi në Kosovë, pas përfundimit të luftës”, rrëfen këngëtari. Mentori rrëfen edhe më tutje arsyen pse nuk vazhdoi studimet kur u kthye në vendin e tij.

“Këtu kur erdha, u punësova menjëherë në UNMIK, që ishte në atë kohë. Isha njohës i mirë i gjuhës angleze dhe kisha një vend të mirë pune. Vendosa që mos vazhdoj fakultetin, sepse në vendin ku isha i punësuar kisha një pagë të mirë që merrja dhe nevoja për para bëri që unë të mos vazhdoj fakultetin. Po të më jepej në atë kohë mundësia që të vazhdoja studimet ëndrra ime kishe me qenë të studioja Akademinë e Arteve”.

Dafina e Genta nuk gjejnë kohë të flasin

Ndonëse një model i shumë të rejave dhe me një përgjegjësi të madhe për këtë fakt, Dafina Zeqiri nuk gjen kohë të flasë për shkollimin apo mosshkollimin e saj. Ndërsa menaxheri i saj tregon se në lidhje me shkollimin e këngëtares nuk është shumë i informuar pasi që Dafina ka jetuar jashtë dhe kjo ka bërë që ai të mos jetë i informuar për këtë gjë.

“Nuk di asgjë rreth shkollimit të saj. Dafina ka ardhur në Kosovë nga Suedia dhe sinqerisht nuk e di çka ka përfunduar atje”, ka thënë menaxheri i njërës prej këngëtareve më të përfolura shqiptare. Mirëpo nëse e bëjmë një llogaritje Dafina në Kosovë ka ardhur shumë e re në kohë kur ajo ka mundur të jetë në shkollë të mesme dhe sipas kësaj mund të thuhet që shkollimin e lart vajza nuk e ka të përfunduar.

As Genta Ismajli nuk gjen kohë të flasë për këtë gjë. Ajo përmes menaxherit të saj ka treguar se është shumë e zënë dhe nuk ka kohë të flasë për këtë gjë, duke kërkuar mirëkuptimin tonë.

Adelina e Capital T thyejnë ‘rregullat’

Në anën tjetër është kënaqësi kur në mesin e emrave të skenës ka të rinj të cilët shkollimin e kanë primar dhe ambiciet e tyre janë shumë të qarta për një të ardhme të arsimuar siç i ka hije një fytyre publike. Ndër ta është Adelina Tahiri vajza shkupjane e cila karshi angazhimeve rreth muzikës është studente në dy fakultete me degë të ndryshme. “Pas përfundimit të shkollës së mesme unë menjëherë jam regjistruar në fakultet. Jam regjistruar në dy fakultet në Maqedoni dhe në Prishtinë. Studimet po më ecin mjaftë mirë. Drejtimet të cilat jam duke i studiuar janë Diplomaci, këtu në Maqedoni ku jam në prag të Diplomimit, ndërsa në Prishtinë jam studente në Kolegjin e Biznesit, në drejtimin Ekonomi dhe Marketing”, ka thënë këngëtarja duke shtuar se arsimimi për të është prioritet në jetë.

Edhe ‘Capital T’ thuajse është thuajse i realizuar në këtë aspekt. Djali nga Prishtina ka bërë të ditur se është në përfundim të studimeve ku do të diplomohet për Biznes Menaxhment. “Unë studioj për Biznes Menaxhment, jam në prag të përfundimit të studimeve dhe pas kësaj planifikoj të regjistroj dhe Master-in” , ka thënë Capital T. Djaloshi Trim Ademi, i njohur me nofkën Capital T, ka treguar se në të ardhme mendon të shfrytëzojë edhe profesionin e tij por pa e lënë asnjëherë anash pasionin që ka për këngën.

“Në të ardhmen patjetër që do të bëj diçka edhe rreth profesionit tim për të cilin jam arsimuar. Por asnjëherë nuk do ta lë muzikën. Do të mundohem që paralelisht të merrem edhe me menaxhment edhe me muzikë”, ka përfunduar ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here