Me zërin e saj (të ëmbël), Violeta, sikur është bërë një rreze Extra Violetë për muzikën tonë, duke pasqyruar heroizmin, atdhedashurinë, krenarinë, por edhe dhembjen dhe dashurinë!

E lindur në një fshat të Drenicës, Violeta, qysh në bankat shkollore u dëshmua për talentin e saj në të gjitha zhanret e muzikës. Ajo, sakaq u bë emër i njohur i estradës sonë dhe një zë që meriton respekt e vëmendje!

Këngët e saj janë lamente për historinë, balada për dashurinë, kala për trimërinë dhe himne për bukurinë! Violeta, mund të quhet edhe stilin e veçantë të veshjes, që nga veshjet kombëtare, uniformën e UÇK, e deri tek veshja e nusërisë. Po, cila është Violeta e vërtetë?

Violeta, së pari urime festa e Bajramit dhe tridhjetë ditët e Ramazanit. Ju agjëroni vazhdimisht. A ishte sivjet pak më i vështirë agjërimi edhe për shkak të motit të nxehtë?
Atëherë, urime edhe juve dhe gjithë besimtarëve të fesë islame. Sigurisht që agjëroj çdo vit dhe, absolutisht nuk kam ndjerë as lodhje, as nxehtësi. Këtë e bën vullneti i madh, besimi i plotë.

Ju keni edhe një këngë të shkëlqyeshme “Tridhjetë ditë ka ramazani, sot a nesër vjen Bajrami”. Bajrami erdhi. Ç’domethënie ka për Ty kjo festë?
Festa e Fitër Bajramit, është festat më e madhe e fesë islame, që ndërlidhë muajin e shenjtë të Ramazanit dhe kjo festë si për të gjithë të tjerët, edhe për mua, është një festë që pas 30 ditësh të ndjehesh mirë, pasi e kryen këtë obligim.

Jeni besimtare dhe kjo është një virtyt, sepse të besosh, domethënë, të jetosh me besnikëri dhe përgjegjësi?
Sigurisht që duhet të besosh, por edhe të punosh që ta kesh suksesin dhe përgjegjësinë për veprimet që i bën.

Keni filluar shumë herët me këngën, kur dhe si?
Kam filluar me këngë për fëmijë, si tetëvjeçare dhe, ndoshta ai festival në Drenas, ku u shpërbleva me vendin e parë, ishte pikënisja e karrierës sime, ishte rruga me sfida dhe me suksese, sigurisht. Një vit me vonë, kalova në muzikën folklorike, ekzekutova edhe vet me çifteli. Prej atëherë, isha soliste e ansamblit folklorik “Shote Galica” dhe kjo ishte rruga e karrierës sime.

Keni një fond të pasur të këngëve dhe ato i takojnë zhanreve të ndryshme. Madje, mund të ndahen në tri zhanre, këngë folklorike, popullore dhe të muzikës së lehtë. Ku e gjeni vetën më mirë?
Unë, siç e dini, çdo herë jam mundur të ruaj vlerat e muzikës shqiptare, sigurisht që kam filluar me këngë folklorike, popullore dhe muzika e lehtë. E rëndësishme është që çdo këngë që unë e kam pranuar, e kam interpretuar, jam munduar që t’i jap shpirt dhe të jap veten time. Ndoshta më me endje dhe dëshirë, i këndoj këngët e muzikës popullore

Njiheni si këngëtare që i jeni bashkuar UÇK-së, por edhe keni marrë pjesë në shumë përvjetorë dhe koncerte humanitare. Edhe nga shpirti dukeni humane, por në skenë keni një depërtim shumë të fuqishëm dhe emocional?
Prej fillimit të karrierës sime, i jam përgjigjur shumë koncerteve humanitare. Ka qenë diçka shumë e rëndësishme që të jap kontributin tim për ata që kanë pasur nevojë për ndihmën time.
Ndërsa, gjatë luftës, kur pati nevojë vendi im për ndihmën e çdonjërit, atëherë u përgjigja dhe u kyça në UÇK, isha pjesë e saj dhe, sot, jam shumë e lumtur.
Kam marrë pjesë edhe në shumë përvjetorë pas luftës; mund të them lirisht, gati në të gjitha u mundova të ndaj dhembjen dhe krenarinë, bashkë me familjarët e dëshmorëve dhe popullin tim.
Skena për mua është një vend shumë i rëndësishëm, ku duhet ta prezantoj jo vetëm zërin tim, por edhe çdo lëvizje. I kushtoj shumë rëndësi edhe veshjes, mundohem ta përshtat me këngën që e prezantoj dhe kjo e bën që ajo paraqitje të duket e kompletuar.

I këndoni luftës, krenarisë, dhembjes dhe dashurisë. Cilat këngë i këndoni më me dëshirë?
Gjatë tërë karrierën time, i kam kënduar patriotizmit, heroizmit, burrërisë, trimërisë, dhembjes dhe bukurisë. Ndoshta që, edhe vet jam pjesë e kësaj katrahure që përjetoi populli im, atëherë me këngët patriotike ndjehem më ndryshe. Kur i këndoj këngët e heronjve, ndjehem më e fortë, më e sigurt, më shqiptare.

E keni një zë karakteristik, të kristaltë dhe të ‘mëndafshtë’, do të thoshim?
Për këtë janë të tjerë që më vlerësojnë, por për suksesin tim, në radhë të parë, falënderoj Zotin që më dha talentin, falënderoj familjen time dhe gjithë adhuruesit e mi, popullin tim, që më mbajtën në skenë.

Kush ua shkruan tekstet dhe me cilin kompozitor bashkëpunoni më dendur?
Kur dihet se karriera ime është shumë e gjatë, edhe bashkëpunëtorët janë të shumtë. Unë, i falënderoj të gjithë për punën e palodhshme dhe durimin karshi kërkesave të mia.

Keni edhe disa këngë nostalgjike për fshatin, si ‘Bëhu gati bijë’, ‘Nuse në katund’, ‘Hajde hyn në valle’. Megjithatë ju jeni bërë nuse qyteti, apo nuse katundi e rënë, sikurse thuhet në qytet?
Po, unë jam rritur në fshat, kam nostalgji për fshatin dhe më pëlqen shumë, pavarësisht që jetoj në Prishtinë. Nuk i harroj asnjëherë traditat e fshatit dhe jam munduar që përmes këngëve të mia, të prezantoj traditën shqiptare.

Keni edhe këngë me tone pesimiste. Kënga juaj ‘Ditën e diel’, më duket kënga më e prekshme për të gjithë ata që duhet një ditë ta lënë këtë botë…
Unë në jetën e përditshme jam shumë optimiste dhe në shumicën e këngëve shfaq optimizmin tim. Edhe kjo këngë, por edhe temat e tilla, janë pjesë e përditshmërisë.

Si e konsideroni ju artin dhe sa çmohet ai tek ne?
Përderisa unë jam futur në art dhe e kam dhunti nga Zoti, sigurisht që e dua, e çmoj shumë. E imja është që të reflektojë, të prezantoj para të tjerëve atë që e di, ndërsa të tjerët janë ata që ose e vlerësojnë. Ndërsa tashti, mendoj, se nuk çmohen vlerat aq sa duhet.

Keni fëmijë, a iu ka trashëguar ndonjëri prej tyre?
Kam tre fëmijë, nuk jam munduar që t’ua imponoj profesionin tim, por siç thotë populli, ‘dardhat bien nën dardhë’. Që të tre fëmijët vijojnë shkollën e muzikës, por sa do të jetë ajo rrugë vendimtare, mbetet që ata të vendosin.

Kjo intervistë do të dalë ditën e Bajramit, cila është porosia juaj për të gjithë besimtarët?
Uroj që kjo festë, ta kaloni në harmoninë familjare dhe me shpërblimet e merituara.

Urime edhe njëherë festa dhe uroj që t’ju jetë pranuar agjërimi./Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here