vildanezeneli1llIkja nga lufta në Kosovë dhe mbijetesa në Amerikë. Paragjykimi, përballja me frikën e humbjes së të ëmës, modelingu dhe fama. Kohët e vështira dhe sukseset e Vildane Zenelit, një modele që ka çfarë të rrëfejë.

Modelingu i erdhi në kohën e duhur. Gjatë një viti të vështirë, me një nënë të sëmurë nga kanceri, në një vend të ri, të cilit nuk i njihte as gjuhën, në një shkollë të panjohur ku paragjykohej e sulmohej çdo ditë dhe kur dëshira për t’u kthyer mbrapsht në qytetin e lindjes, pavarësisht luftës, ishte ëndrra e vetme e çdo 24 orëshi të jetës.

Me të drejtë, Vildane Zeneli modelimin e quan gjënë më të mirë që i ka ndodhur në jetë. Një fat që i trokiti në derë në momentin, vendin dhe moshën e duhur. Rastësisht, në një plazh të Amerikës së largët, kur nuk i kishte më shumë se 12 vjeçe. Në fillim si hobi e më pas si një profesioniste, nga ato të llojit të kontratave të mira anë e kënd botës, me të ardhura të sigurta financiare dhe sidomos me një të shkuar të dhimbshme të hedhur një herë e mirë pas krahëve.

Kështu e nis rrëfimin e saj nga përtej oqeanit vajza shqiptare e modës, që më shumë se në Shqipëri, njihet andej si një nga modelet (aktualisht) e agjencisë së famshme Ford, imazh i shumë kompanive të njohura amerikane, nga ato qytetare të botës që pavarësisht se bazat i ka në Nju Jork dhe Los Anxheles, më shumë se mbi tokë jeton nëpër avionë. Rrëfen për plot të reja që i ka mirëpritur në jetë këto muajt e fundit. Ka ardhur koha të plotësojë një ëndërr të hershme, këngën, por edhe të shkruajë një libër për gjithë çka hequr mbi supe qysh ditën kur familja e saj, e detyruar nga lufta, e la Kosovën për të ikur, në fillim në Maqedoni, dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rrëmbehet nga rrëfimi i atyre viteve të para të mbushura nga ankthi dhe përgjimi i vdekjes që shoqëroi për jo pak kohë të dy prindërit e saj; dramat e një fëmije që nuk arrinte ta pranonte ndryshimin e beftë; e pushtuar nga kujtimet e tmerrshme të luftës, ikja dhe përshtatja, në fillim thuajse e pamundur, me ambjentin e ri. Thotë se i duket si një shaka e hidhur ajo që ndodh me të këto kohë. Njerëzit e njohin si një modele me tonelata me foto, dhe vetëm kaq, kur në të fakt nuk e dinë se kush është në të vërtetë.

“Ndaj dua të mundohem të lidhem me njerëzit që ata të më njohin se kush jam. Dua që ata të krijojnë një përshtypje dhe të kuptojnë se jam si çdo qenie tjetër njerëzore”, thotë në këtë intervistë për Klan. Sepse në rastin e saj kështu është. Kur përmendet emri i saj, Vildane Zeneli, informacionet e para janë ato të një modeleje të njohur shqiptare: tipare tipike mesdhetare, fizik me forma të lakuara, femër e rafinuar që ia di sekretet të qëndruarit përballë një aparati fotografik. Në tabloidët e këtejdetit, të dhënë pas scoop-eve dhe lajmeve të bujshme, është përfolur karriera, jeta personale, por edhe fotot që gjenden lehtë në çdo kërkim online. Qofshin nga ato tradicionalet me veshjet e markave më në zë të botës, por edhe të tjera, nudo, që kanë bërë xhiron nëpër faqet e të përjavshmeve shqiptare. Tek e fundit punë rutinë të çdo lloj modeleje të kalibrit të saj.

Por përtej këtyre, Vildane Zeneli është edhe një vajzë e re që deri ditën kur fati i ndriti sa i takon karrierës, ishte një nga ato dhjetra e qindra të rinj, pjellë e luftës në Kosovë, e detyruar të lërë pas fëmijërinë, shtëpinë, shoqet dhe kujtimet e para për të mbijetuar dikur tjetër. I ka provuar të gjitha mbi kurriz, edhe të punuarin me rrogë të vogël në një vend të cilit ende nuk i fliste as gjuhën, ka parë edhe dyert e spitaleve dhe i është dashur të rritet para kohe, t’u fshehë prindërve lotët e çdo dite të shkuar keq në shkollë për t’i ndihmuar t’i mbijetonin vdekjes. Ka parë më vonë edhe ditë të bukura, shansin e artë të një ditë të nxehtë vere, famën dhe sot, luksin e të jetuarit mirë, të përzgjedhjes së punëve dhe shijen e ëmbël të kohës së realizimit të ëndrrave.

“Aktualisht jetoj nëpër avionë”, thotë duke qeshur, “sepse udhëtoj vazhdimisht për shkak të punës. Kam disa projekte me të cilat jam duke u marrë, pra e ndaj kohën mes të punuarit si modele dhe nisjen e karrierës time muzikore, por edhe të shkruarit të një libri. Një program vërtet i ngjeshur”. Megjithatë, të paktën tani për tani, impenjimi kryesor është modelingu, për të cilin thotë se nuk ka qenë edhe aq një zgjedhje e saj. Aq më pak një ëndërr. “Modelimi më zgjodhi mua”, thotë ndërsa tregon se kur familja e saj u zhvendos në Amerikë, një djalë me emrin Delenci Binzini e pikasi një ditë në plazh. Ishte agjent i agjencisë “Wilhelmina”

“Në fillim nuk isha fort e sigurtë sepse isha shumë e re në moshë, por vendosa ta kap këtë rast. Filloi si një hobi për mua, por më pas e ktheva në një profesion me kohë të plotë teksa mësoja më shumë për këtë fushë”. Punoi si modele që në moshën 12 vjeçare dhe puna e saj e parë si profesioniste, ishte vërtetë nga ato që ndjellin fat: fushata e reklamave të Tommy Hilfiger. “Isha fort e lumtur për këtë bashkëpunim sepse gjithmonë më kanë pëlqyer veshjet e tij dhe e admiroj si stilist”.

Pas Wilhemina-s punoi për të tjera agjenci, si “Abrams Artist”, e cila i dha në të njëjtën kohë edhe mundësinë për për t’u shfaqur në filma me role të vogla dhe në reklama televizive. Rruga ishte hapur me pak fjalë: Aktualisht Vildane Zeneli ka një kontratë me Agjencinë e modelimin “Ford” në SHBA dhe me “Major Modeling Agency” në Milano.

“Por jam një vajzë e lindur në Prishtinë”, thotë pasi ka pranuar se ikja që herët ia vështirëson komunikimin në gjuhën shqipe. “Familja ime dhe unë u detyruam të largoheshim nga vendi si shumë të tjerë në Kosovë për shkak të luftës”. Prej peripecive që ajo dhe shumë të ngjashëm të saj kanë kaluar gjatë atyre viteve, Vildanes i kanë bërë një ofertë: të shkruajë një libër autobiografik. Një ofertë që e ka pranuar me dëshirë dhe që tashmë e quan një nga impenjimet e saj të përditshme. “Shumë njerëz janë të interesuar për historinë e jetës time para luftës në Kosovë, gjatë luftës dhe se si unë dhe familja ime ia nisëm nga zeroja në Amerikë, nuk dinim asnjë fjalë anglisht, nuk njihnim askënd. Ishte një vend krejt i ri, kulturë tjetër, njerëz të rinj. Nëna ime u diagnostikua me kancer në gji, babai im bëri një transplant të zemrës, ndërsa mua m’u desh të punoja dhe të përpiqesha shumë që të harroja traumën që kisha kaluar në Kosovë kur isha fëmijë. Ishte një fillim vërtet shumë i vështirë. Po, do të shkruhet shumë për jetën time, por është një libër që flet për mbijetesën dhe ka një kthesë pozitive. Aty do të flas për suksesin tim dhe se si nuk u ndala asnjëherë së punuari fort për të arritur këtu ku jam sot. Jam tepër e entuziazmuar që më është dhënë mundësia të shkruaj këtë libër, mendoj se do të jetë tepër ndikues”.

Për më tepër që, edhe pse fëmijë, kujtimet e luftës, shkatërrimet që i kanë parë sytë dhe sidomos ikja i kanë lënë gjurmë që vështirë të fshihen sado që vitet kalojnë. “Vetëm largimi nga vendi ka qenë një nga pjesët më të vështira për mua. Kur je fëmijë nuk kupton pse gjërat ndryshojnë papritur dhe të duhet të përshtatesh me një kulturë të re, me një jetë të re dhe të lësh gjithçka pas krahëve, të gjithë ata që ke njohur dhe je rritur”.

Të ikësh me pahir për t’ia nisur diku tjetër nga fillimi, në një vend ku askush nuk të pyet se nga vjen apo se ç’ke bërë më parë. Thjeshtë duhet të përshtatesh. Të pranosh çdo lloj pune për të mbijetuar, të mësosh sa më shpejt gjuhën, pa njohur njeri, larg njerëzve të dashur, mikeshave të fëmijërisë dhe jetës së qetë të dikurshme.

“Doja vetëm të kthehesha mbrapsht. Fillimi ishte një eksperiencë e tmerrshme”, thotë ajo. “Vazhdimisht ngacmohesha nga vajza të tjera në shkollën time sepse isha një e huaj. Ato më quanin shpesh refugjate dhe se duhet të kthehesha në vendin nga kisha ardhur, më shkulnin flokët dhe më shtynin sepse isha një shënjestër e lehtë: isha e re dhe nuk njihja askënd. Isha vërtet e mërzitur, shkoja në shtëpi duke qarë çdo ditë. Në të njëjtën kohë nëna ime u diagnostikua me kancer në gji dhe po trajtohej me kimioterapi. Më pas doli se kishte mastektomi që do të thoshte se duhet ta hiqte komplet gjirin. Praktikisht për dy javë rrjesht shkoja e flija çdo natë në spital pranë nënës time dhe të nesërmen në mëngjes më duhej të shkoja direkt në shkollë. Askush nuk më kuptonte atë që po kaloja. Fëmijët në Amerikë ishin shumë të ashpër, e vetmja gjë që doja t’u thoja ishte se unë kisha mbijetuar nga një luftë dhe isha kaq e traumatizuar dhe se nëna ime ishte me kancer. Kjo ishte shumë për mua për t’u përballur”.

Por nuk i tregoi askujt asgjë. As në shkollë nuk u mbrojt, nuk ia rrëfeu askujt dramën që ende nuk e kishte kapërcyer, me shpresën se do ta linin të qetë, por as prindërve nuk u tha asnjëherë se sa shumë abuzonin me të dhe se sa shumë e ngacmonin vajzat e shkollës. Druhej se e ëma do të stresohej nga kjo gjë, rrezikonte t’a humbiste kështu. Prandaj zgjodhi ta mbante të gjithë peshën vetë mbi supe. Pikërisht në këtë kohë erdhi modelingu, ai rasti i propozuar në plazh, pas të cilit u kap për të shpëtuar një herë e mirë nga jeta e egër e fillimeve në Amerikë. “Modelimi është gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë sepse ma hoqi mendjen nga lufta, nga nëna që po luftonte kancerin dhe nga fëmijët që më ngacmonin. Kjo më bëri të ndihesha e bukur dhe më hapi shumë dyer”.

Ndodhi ai shndërrimi magjik: nga refugjatja që i shkulnin flokët, Vildania u bë e vetmja vajzë në shkollë që asokohe jetonte në Bruklin dhe në të njëjtën kohë punonte si modele në Manhatan. “Papritur u bëra vajza më popullore në të gjithë shkollën dhe ishte një ndjenjë shumë e bukur. Deri tani kam ecur shumë mirë dhe po, modelimi ma ka siguruar jetën financiarisht, por sigurisht duhet ende të vazhdoj të punoj dhe të arrij edhe më shumë”.

Shumë vite me pas, Vildania është një vajzë e pavarur tashmë. Tregon se është beqare, pa një të dashur në krah, por një modele e suksesshme. Jeton vetëm, me një apartament në Nju Jork dhe një tjetër në Los Anxheles, por edhe me një shtëpi të tretë, atë të prindërve që tanimë gëzojnë shëndet, ku gjithmonë ka gati një dhomë të përgatitur për të. Po shkruan edhe një libër dhe është vetëm një hap larg ëndrrës së saj të madhe, këngës. Ka nënshkruar një kontratë me Universal Music Group dhe aktualisht po punon për albumin e parë. “Jam vërtet shumë e emocionuar që të gjithë do të dëgjojnë këngët e mia së shpejti, është një ëndërr e madhe e jetës që po bëhet realitet. Gjithmonë kam dashur të bëhem këngëtare, por më në fund kam mundësinë që ta bëj këtë në mënyrën e duhur dhe me njerëzit e duhur. Kam skuadrën më të mirë me të cilën punoj dhe mezi po pres të hedh në treg singëllin tim të parë me këngëtarin Will.I.Am nga grupi Black Eyed Peas.

Ka vizituar kohë më parë edhe Shqipërinë dhe thotë se i pëlqen jashtëzakonisht shumë. Ka parë Vlorën, Sarandën, Dhërmiun e Tiranën, dhe “jam shokuar se sa vend i bukur është Shqipëria. Me siguri do ta vizitoj sërish së shpejti”. Ka hedhur pas krahëve dhe traumat e së shkuarës dhe Amerika mund të quhet vendi i saj, aq sa shpesh i duket “sikur kam jetuar gjatë gjithë jetës këtu”. Këto ditë po xhiron një reklamë të re për Chrysler, imazh i kësaj kompanie; përgatitet për xhirimet e një fushate publicitare për “Beats by Dre” dhe do të vazhdojë të merret me muzikë. I pëlqen ta njohin edhe të tjerët, ashtu siç është. Jo vetëm si vajzën modele me një tufë fotosh në rrjet, por edhe si shqiptaren që sfidoi luftën dhe u ringrit për t’ia nisur nga e para.

Pergatiti Alida Cenaj Revista Klan

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here