Vikena Kamenica, artisja e dashur e publikut shqiptar ka sjellë në jetë gjatë mesditës së djeshme vajzën e saj të parë. Krista, është emri i vogëlushes të cilës i uruan dje mirëseardhjen prindërit dhe të afërmit.

E vogla ka ardhur në jetë përmes lindjes çezariane dhe mjeku që ka ndjekur operacionin është Orion Gliozheni.

Siç besojmë e kuptuat sopranoja ka lindur në maternitetin “Koço Gliozheni”. Krista e vogël peshon 3.300 kg dhe për prindërit e rinj është dhurata më e bukur që mund të merrnin këtë fundvit. Siç mësuam nga të afërm të sopranos, emri i vajzës lidhet pikërisht me festën e “Krishtlindjeve” duke qenë se ajo ka lindur fare pranë saj.

Siç tregojnë familjarët, vajza e vogël i ngjan më shumë të atit, Erik. Atmosfera në dhomën e sopranos është shumë e gëzueshme dhe siç pritej në të nuk kanë munguar lulet dhe tullumbacet, të cilat i kanë dhënë edhe më shumë ngjyra kësaj dite të veçantë. Urimeve të të afërme e miqve për një jetë sa më të gjatë për Kristën e vogël, i bashkohet edhe urimi i “Gazeta Shqiptare”.

Karriera e Vikenës
Vikena Kamenica, mexosopranoja e Teatrit të Operas dhe Baletit e nisi karrierën si këngëtare e muzikës së lehtë. Në vitet 2000 këndoi në baret e para të Tiranës ku luhej jazz megjithëse nuk kishte ende një formim të plotë akademik në muzikë.

U diplomua për kanto më 2001, vit në të cilin futi njërën këmbë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Realizoi vetëm rolin e Kerubinit në operën “Dasma e Figaros” të Moxartit e për një kohë të gjatë i hyri rrugës së musical-ve. Shkëlqeu në “West Side Story” e “A century of Broadeay”.

Më tej realizoi role me rëndësi për karrierën e saj si Karmeni te “Carmen Bizet” në vitin 2007 me regji të Patricia Panton Floresin, te “La Traviata” Verdi me regji te Massimo Ranierit, Rozinën te “Berberi i Seviljes” etj. Rruga e saj në muzikë nuk është diçka e papritur apo e rastësishme. Ajo është e bija e tenorit Guri Kamenica dhe e mexosopranos Vera Kamenica.

U rrit mes muzikantësh dhe skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit, aty ku njohu dashurinë e parë të jetës së saj: Muzikën klasike. Po aty njohu edhe një dashuri tjetër të madhe, partnerin e saj, oboistin Erik Tauzi, me të cilin edhe është fejuar. Së fundmi Vikenën e kemi parë në skenën e spektaklit “Këngët e Shekullit” ku edhe pse shtatzënë ka kënduar disa prej kryehiteve botërore.

Jeta private
E tërhequr krejtësisht nga show biz-i, Vikena Kamenica i ka shpëtuar kureshtjes së gaze-tarëve të cilët investigojnë për jetën private të Vip-ave. Për këtë arsye lajmi i shtatzënisë së saj erdhi si një lajm i papritur. Ndërsa sopranoja ishte në muajin e pestë të shtatzënisë, “Bluetooth” publikoi i pari lajmin e ardhjes në jetë të një fëmije. Vikena dhe Erik Tauzi janë njohur në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe kanë një lidhje disavjeçare e cila para pak kohësh u kurorëzua edhe me fejesën e tyre. Prej pak kohësh mexosopranoja e TKOB-it ka nisur të bashkëjetojë me të fejuarin e saj.

Historia me oboistin e Teatrit të Operas dhe Baletit, Erik Tauzi ka nisur në vitin 2006. Çifti është njohur nga miq të përbashkët e sipas burimeve thuhet se të dy njiheshin kohë më parë, por pa pasur mundësi të krijonin miqësi. Gjatë kohës që Vikena Kamenica nisi punë si mexosoprano në TOB, nisi edhe raporti mes saj dhe oboistit të TKOB-it.

Sipas miqve të çiftit, historia e tyre nuk ka qenë aspak një dashuri nga ato të vrullshmet dhe pasionante, e që në përgjithësi përfundojnë shpejt, por ka qenë një dashuri që ka lindur ngadalë dhe është pjekur dhe konsoliduar me kalimin e viteve. Për herë të parë këngëtarja ka folur në media për këtë histori pas shfaqjes së “Përrallave të Hofmanit” në TKOB.

Gjatë një interviste për një të përditshme, përciptazi këngëtarja ka lënë të kuptohej se në momentet e vështira të jetës e gjente ngushëllimin pranë partnerit Erik Tauzi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here