Prej javësh, ajo po na dëshmon se ja ka marrë shumë mirë dorën vallëzimit. Spektakli i fundit e vendosi në një pozitë pak të vështirë…

Megjithatë, këngëtarja e njohur Vesa Luma vazhdon të jetë në garë, për të na suprizuar dhe dhuruar emocione të reja edhe në vazhdim…. Në këtë intervistë për Mapo, Vesa tregon rreth eksperiencës së saj dhe madje zbulon se shumë shpejt do të vij me një hit të ri në tregun muzikor…

Vesa, së pari urime për performancën në “Dancing with the Stars”! Si po e përjeton këtë garë?

Faleminderit Ilda! Me të vërtetë e tërë kjo eksperiencë është një përjetim i bukur, që po mundohem që çdo sekondë ta jetoj në maksimum. Është një eksperiencë që të vjen vetëm një herë në jetë. Dhe ndjenja më e bukur është kur del në rrugë dhe të gjithë të urojnë dhe të komplimentojnë për vallëzimin. E kam vërtetuar edhe një herë që publiku më mbështet fort dhe më qëndron pranë, ndaj dua ta falenderoj shumë.

 

Keni ndonjëherë frikë mos rrëzoheni në skenë, kur bëni ushtrime të vështira?Është e çuditshme por në të njëjtën kohë e ka një të mirë, që para çdo performance kam një emocion të jashtëzakonshëm, jo nga frika, sa nga përgjegjësia që të jem korrekte me hapa. Por ne ushtrohemi shumë gjatë javës, dhe koreografitë janë të vështira sepse edhe unë mundohem shumë që të jap maksimumin, dhe të bëj gjëra të cilat nuk do të më mbeten merak që s’i kam bërë, nga mungesa e besimit apo diçka e tillë. Po edhe po të rrëzohesha, unë apo konkurrentët e tjerë, duhet të kuptohet që ne nuk jemi balerinë dhe kjo gjë edhe mund të ndodhë… po shpresoj të mos ndodhi asnjëherë. (haha)

Krahas vallëzimit që ke mësuar, ke humbur edhe mjaft kilogramë. Disa thonë 9 kg… Ju gëzon kjo gjë, pasi edhe ka qenë një nga arsyet që u bëtë pjesë e kësaj gare?

Po është e vërtetë që kam humbur shumë kilogramë, dhe të njëjtën kohë është e vërtetë që fjalia e parë që u thashë organizatorëve, kur më morën në telefon për të më pyetur nëse do të isha pjesë e kësaj gare ishte, “Keni vendosur të më dobësoni..? “Sepse megjithëse nuk kam vuajtur asnjëherë nga luhatjet e kohëpaskohshme të peshës, më është dashur një impenjim intensiv, por nuk e kam menduar të humb kaq shumë, edhe pse ky fenomeni i të qenurit patjetër anoreksik për të qenë “elegant” vazhdon të mbizotërojë në mentalitetin tonë fatkeqësisht.

Si do t’i vlerësonit komentet e jurisë deri më tani? Ka pasur ndonjë rast kur ju kanë bërë ndonjë koment të pakëndshëm, që nuk ju ka pëlqyer?Deri tani s’kam pas ndonjë koment të keq, që të më ulë vullnetin apo vetëbesimin për të vazhduar më tej, kam pasur kritika edhe lëvdata, por jam munduar t’i marr me qetësi, se në fund të fundit ky është një show program, ku secili nga ne, përveç vallëzimit, tregon edhe një edukatë të përgjithshme, të cilën jam e bindur që publiku e vlerëson shumë. Jam munduar që denjësisht t’i përfaqësoj adhuruesit e mi, duke treguar më të mirën time, pa pasur nevojë fatmirësisht të bëj gjëra të tjera që të bie në sy…

Po përsa u përket votave? A kanë qenë për ju gjithmonë korrekte deri më tani?Votat kanë qenë nga fillimi deri tani, në rritje e sipër! Dhe kjo më ka bërë të ndihem më mirë, sepse i bie që vlerësohet edhe impenjimi im i përjavshëm.

Duke njohur konkurrentët, sa e sheh veten pranë finales, dhe kë sheh si kandidaturë të fortë?

Hmm… kjo është një pyetje shumë e vështirë, sepse po, është e vërtetë që njohim konkurrentët dhe pavarësisht se kush mund ta ketë fatin t’i qëlloj një “e enjte” që i shkon për së mbari, tashmë edhe publiku ka filluar të bëjë diferencimin e njëri- tjetrit, dhe sido që të kemi fatin për eliminime, shikuesit janë vlerësuesit më të denjë.

Gjatë kësaj periudhe, jeni e angazhuar me muzikën dhe a po planifikoni të publikoni diçka të re në këtë prag vere?

Po patjetër, unë jam duke u angazhuar që të sjell një hit tjetër në këtë periudhë, dhe e di që do dalë shumë mirë sepse po punojmë fort për këtë drejtim, dhe bashkë me klipin do të lançoj edhe albumin me disa nga këngët hite të mija! Pra mund ta them me gjithë bindje, se vera do të jetë shumë e nxehtë këtë vit (qesh)!


PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here