“Do të doja që për herë të parë në mënyrë publike të falënderoj njeriun tim shumë të veçantë, që më ka komplimentuar me qindra herë dhe unë nuk kam pasur asnjëherë rast ta falënderoj në mënyrë publike.

Është Timo Flloko, është bashkëshorti im, që më është gjendur gjithmonë afër. Sot nuk do isha kjo që jam në qoftë se ai nuk do të më kishte mbështetur tërë jetën time. Faleminderit Timo!”. Dridhjet e zërit për herë të parë “e tradhtuan” regjisoren Vera Grabocka, teksa merrte urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

Në një ceremoni të veçantë presidenti Topi dekoroi me urdhrin “Mjeshtër i Madh” dhe tre regjisorët: Vladimir Prifti, Pali Kuke dhe Albert Minga, për kontributin e veçantë që kanë dhënë në fushën e krijimtarisë kinematografike e televizive shqiptare dhe në zhvillimin e artit në vendin tonë.

Regjisori Vladimir Prifti, pas falënderimeve të rastit, ku padyshim nuk mungoi as falënderimi për Presidentin, shprehu edhe shqetësimin si artist për gjendjen mjerane të institucioneve të artit. “Institucionet ku kam punuar, në Televizionin Publik, apo në Kinostudio, apo në Teatrin Kombëtar, vazhdojmë t’i kemi po ato ndërtesa, vazhdojmë të kemi po atë gjendje dhe kjo gjithmonë më ka shqetësuar, si individ, si njeri, si dashamirës i artit.

Jeta e mëpasme le të jetë edhe në interesa që ky art të shikohet më me dashuri, pra përsa i përket televizionit, filmit e teatrit”- tha Prifti. Albert Minga e ndau këtë titull me të gjithë bashkëpunëtorët e tij skenaristë, operatorë, kameramanë, grimiorë, të gjithë prapavijën e Radio Televizionit, dramaturgë, pa të cilët ai nuk do të kishte pasur dot këto arritje gjatë karrierës artistike. Një përkulje në shenjë falënderimi kishte regjisori Pali Kuke për presidentin Topi në emër të gjithë asaj plejade artistësh me të cilët ai ka patur fatin të punojë. “Unë do të respektoj atë plejadë të shkëlqyer aktorësh me të cilët pata fatin të punoj! Është kënaqësi e jashtëzakonshme të kujtoj besimin që ata patën, dashurinë që dhanë, emocionet dhe gjithë temperamentin dhe gjithë artin e tyre, pjesë e së cilës është sot çmimi im. Padyshim falënderoj familjen time, zonjën time Zerina, djemtë e mi, dhe së fundi të gjithë ju, faleminderit që më keni pranuar në shtëpitë tuaja, më keni duartrokitur dhe më jepni sot këtë ditë të shkëlqyer të jetës sime!”- tha Kuke.
Gjithashtu, dje presidenti Topi dekoroi me urdhrin “Mjeshtër i Madh” dhe balerinin shqiptar Kledi Kadiu, me motivacionin: “Balerinit të talentuar, të edukuar në shkollën shqiptare të artit, që me interpretimin e tij mjeshtëror është bërë një ndër artistët më në zë në Itali, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e imazhit të Shqipërisë jashtë vendit”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here