Sapo ka publikuar këngën e tij më të re, një bashkëpunim me Sabina Danën. Kënga “Të dua” e cila sapo është publikuar në stacionet muzikore shqiptare, është në vazhdën e baladave të tij të dashurisë e çuditërisht dashuria dhe femrat për këngëtarin shqiptar me banim në Zvicër nuk janë prioritare.

Por, artisti rrëfen se ka pasur një dashuri të madhe në jetë, e një zhgënjim e dhimbje të madhe prej saj. Për fat të mirë, kjo dashuri i ka shërbyer për të krijuar një prej baladave më të bukura të dashurisë “Syt e tu”, ku Valton Krasniqi i këndon dashurisë më të madhe të jetës së tij.

Si lindi bashkepunimi me Sabina Danen?
Për herë të parë me Sabinën, jemi njohur gjatë spektaklit “Netët e klipit shqiptar”, ku unë fitova çmimin “Best Video Dance”. Ajo i kishte pëlqyer këngët e mia, veçanërisht balladat. Ishte ajo që kërkoi të kishim një duet bashkë. Që nga ai moment fillova ta projektoja me mendje një duet me të dhe mesa duket funksionoi.
Ju edhe me pare keni provuar bashkëpunime me këngëtare femra siç ishte Emmy, përse herë pas here zgjidhni të vini me të tilla bashkëpunime?
Në fakt ky është qëllimi i muzikës: të bashkojë njerëzit në botë. Qëllimi im është t’i ndihmoj këngëtarët e rinj për të krijuar sukses dhe për ti dhënë një mundësi më shumë në ndërtimin e karrierës.
Besoj se kjo është e vërtetë, përderisa bashkëpunimet ju i keni pasur me këngëtare të reja të sapo lançuara…
Siç të thashë pak më lart, për mua nuk ka rëndësi të realizoj duete me këngëtare që janë të famshme. Por parapëlqej këngëtare që janë në fillimet e tyre dhe nëse kënga që realizojmë shndërrohet në hit, atëherë unë jam i lumtur sepse kam bërë një punë të mirë. Dua të ndihmoj të rinjtë të krijojnë sukses, edhe për një arsye tjetër, sepse tregu muzikor ka nevojë për zëra të rinj.
Ju jeni ndër këngëtarët që shpenzoni më shumë për realizimin e klipeve. Ju ka kushtuar shumë ky klip?
Në fakt unë nuk kam punuar vetëm për tregun shqiptar por edhe për atë evropian. E për të qenë në lartësinë e këngëtarëve perëndimore atëherë duhet patjetër që të vish me klipe me kualitet të lartë, të cilat edhe kushtojnë shumë. Për këtë arsye shifrat për mua nënkuptojnë cilësi. Jo rastësisht klipet e mia vazhdojnë të transmetohen në stacione muzikore si MTV apo Viva. Edhe ky klip me Sabina Danën, nuk është i lirë.
Si i siguroni të ardhurat për të mbuluar shpenzimet kolosale të klipeve?
Për fat karriera ime kryesisht zhvillohet në Zvicër ku funksionon Ligji për të drejtat e autorit. Që do të thotë sa herë që këngët e mia transmetohen në radio apo televizion aq herë shtohen të ardhurat e mia financiare. Një burim tjetër fitimi janë pa diskutim edhe koncertet të cilat unë i kam pasur në të gjithë Evropën.
Ju nuk para jeni i pranishëm në koncertet që organizohen në Shqipëri. Përse?
Pagesat e koncerteve në Shqipëri janë për të ardhur keq, kurse kushtet në të cilat zhvillohen koncertet janë skandaloze. Deri tani në Shqipëri kam pasur vetëm dy koncerte por pagesat kanë qenë të njëjta me ato të një koncerti që kam organizuar në Evropë.
Ju e synoni tregun shqiptar apo ju duket tepër i varfër e për këtë arsye preferoni ta ndërtoni karrierën jashtë Shqipërisë?
Përveçse tregu është i varfër, në Shqipëri nuk funksionon aspak ligji për të drejtat e autorit që penalizon shumë artistë shqiptarë.
Megjithatë për disa artistë, tregu shqiptar funksionon më së miri. Cilët mendon se janë artistët e momentit në Shqipëri?
Për mendimin tim këngëtarët e momentit janë Dafina Zeqiri, Genta Ismajli, Flor Mumajezi e disa të tjerë.
Kemi vënë re që shumë këngetare të reja, përfshirë edhe Dafina Zeqirin po synojnë të imitojnë këngëtare me famë botërore siç është Rihanna. Çfarë mendoni për këtë fenomen?
Nuk është çudi. Rihana është e bukur, e pasur. Në kushtet në të cilat jetojnë këngëtaret shqiptare patjetër duhet të imitojnë dikë. Për të krijuar një stil apo imazh individual duhet të punosh shumë dhe të investosh shumë financiarisht.
Çfarë do ti këshillonit të gjithë këngëtarëve të rinj që synojnë të jene pjesë e shoë biz-it?
Punë, punë dhe vetëm punë.
Jeta juaj private nuk është prekur shumë në media. Përse keni mbajtur një qëndrim kaq të mbyllur për këtë pjesë?
Unë jam edukuar në të tillë mënyrë. Raportin me median dhe fansat e bëj nëpërmjet muzikës. Unë jam këngëtar dhe dëshiroj të përmendem për punët që realizoj në muzikë. Nuk kam dashur ta krijoj karrierën time me skandale, për të vetmen arsye sepse nuk kam pasur nevojë për këtë lloj fame.
Më tregoni diçka më shumë për veten, por bëjeni duke e menduar si një reklamim që do ti bënit për të qenë I pëlqyer nga femrat
Jam shumë i ëmbël (qesh)
Sa rol luajnë femrat në jetën tënde?
Nëse duhet të tregohem i sinqertë; nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm. Nuk kam shumë kohë të merrem me femra sepse jam shumë i angazhuar me punë.
A është e vërtet që këngëtaret në përgjithësi i këndojnë dashurive të cilat i kanë përjetuar në jetën e tyre?
Mendoj se ndodh kështu në shumicën e rasteve. Çdo njeri ka përjetuar dashurinë dhe dhimbjen e domosdo këto janë ndjenja që e frymëzojnë shumë një artist. Një këngëtar që i ka këto ndjesi i përkthen në muzikë dhe tekst këngësh.
Po ju keni ndonjë këngë te cilën e keni një dedikim personal.
Sigurisht që e kam.
Cila është ajo këngë?
“Sytë e tu”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here