Një bisedë e gjatë, si dy miq që kanë kohë që njihen, ndonëse kjo ishte hera e tretë që tako heshim. Ndoshta ngaqë Valbona Selimllari ta bën shumë të thjeshtë bisedën.

Pa barriera e flluska sapuni. Mbase ngaqë edhe vetë është e tillë. Është gjithmonë pranë njerëzve në nevojë dhe pavarësisht të mirave që jeta i ka falur, Bona nuk ka ndryshuar. Intervista e mëposhtme, jua sjell të plotë imazhin e miss-it të parë shqiptar, që me kohën është kthyer në ikonën e femrave shqiptare.

Në ikonën e të gjitha kohërave. Duke filluar “nga e para” me projektin e “Anima Pictures”, për të përfunduar tek puna në “City Park”, këndvështrimi që ka sot për konkurset e bukurisë, e deri tek Bona brenda mureve të shtëpisë…

Valbona, vjen sërish me “Nga e para” në këtë sezon të dytë. Cila ka qenë specifika e këtij edicioni?
Në fakt sezoni i dytë e ka një specifikë, nëse mund ta quajmë kështu. Në këtë sezon prioritet kanë pasur familjet me fëmijë të vegjël dhe kjo gjë në fakt, mua më ka bërë shumë më të lumtur, sepse mendoj se e ardhmja u takon atyre. Në momentin që ata janë të vegjël dhe rritja e tyre bëhet në një ambient të denjë, kjo ndikon shumë në rregullat mbi të cilat ata ndërtojnë të ardhmen. Unë shpeshherë kam thënë që, nëse ti një bluzë e palos dhe e vë në sirtar, ky si veprim të mëson me një rregull të cilin ti e vë në jetë në çdo moment që do të pasojë, pasi ashtu siç palose bluzën, do dish të vësh nesër rregull në gjërat e tjera në jetë. Më pëlqen që fëmijët e vegjël kanë prioritet këtë radhë, sepse atyre ne u japim mundësinë të fillojnë një jetë ndryshe. Sepse sigurisht, të rritesh në një shtëpi me kushte të këqija, çfarë mund të marrësh?!
Këtë vit keni pasur 15000 aplikime, prej të cilave janë zgjedhur 10 familje. Mbi ç’baza bëhet përzgjedhja?
Natyrisht dihet, prioritet kanë njerëzit që janë në nevojë, por ka njerëz që jetojnë në një gjendje shumë herë më të keqe se ata që ne kemi zgjedhur, mirëpo teknikisht shtëpia e tyre është e parealizueshme për katër ditë, sepse është kaq shumë e dëmtuar, sa ne nuk kemi mundësi ta riparojmë. I bie që ta rindërtosh dhe kjo gjë është e pamundur në harkun kohor të katër ditëve. Ndaj, ka shumë kërkesa që bien poshtë vetëm për këtë arsye.
Ndiheni keq për këtë?
Ndihemi keq, sigurisht që ndihemi keq, sepse ne do të donim t’i ndihmonim të gjithë. Megjithatë, mbushemi me optimizëm, kur shikojmë familjet e trajtuara në program se si gëzojnë. Ne u hapim atyre një dritare të re. Familjet e këtij viti kanë qenë të gjitha në gjendje tmerrësisht të keqe dhe ndihma jonë ka qenë jetike për ta.
Bona, ju i ndiqni nga afër aplikimet?
Jo, unë nuk merrem me aplikimet. Me aplikimet merret “Anima Pictures”. Bona vjen në momentin kur ata kanë përzgjedhur 10 familjet. Sigurisht, është folur që do të kemi familje me fëmijë të vegjël. Ne kemi folur për këtë që në përfundim të sezonit të parë, sepse e pamë që ne kënaqësinë më të madhe dhe efektin më të madh e kishim tek këto lloj familjesh. Kështu që, që vjet ne e vendosëm si prioritet që gjatë sezonit të dytë do të kishte më shumë familje me fëmijë të vegjël. Kjo përvojë ju ka bërë që ta njihni varfërinë në rrënjët e saj. Si ka qenë përballja me këtë realitet?
Sigurisht, ne nuk e dimë që varfëria ekziston kaq shumë, në këtë masë. Ne dimë që ka varfëri, ne dimë që ka familje që janë shumë të varfra sepse i shohim në lajme, mirëpo ti e shikon nga ekrani dhe qëndron prapë e ftohtë ndaj këtij fenomeni, sepse ekrani të mban larg. E sheh 5 minuta dhe aq, rutina e jetës të merr dhe nuk e mban mendjen aty. Kurse në momentin që e prek vetë, sigurisht ndjesia është shumë më e fortë. Unë vetë jam rritur në një familje të thjeshtë. Sigurisht nuk kam pasur këto probleme që kanë këta, sepse jam rritur në një shtëpi ku s’më ka munguar ushqimi, ku s’më ka munguar një pjesë e mirë e kushteve. Nuk i kam pasur të tëra, por kam pasur kushte të mira. Mamaja ime ka qenë profesioniste, bënte mbulesa kolltukësh dhe sigurisht kishte të ardhura më të mira sesa vetëm rroga që merrej. Punonte nga mbrëmja deri në katër të mëngjesit dhe flinte vetëm 2 orë, në mënyrë që ne (fëmijëve) të mos na mungonte asgjë. Gjithsesi duke jetuar në një kohë jo shumë të mirë për shqiptarët, jam e ndjeshme dhe si natyrë kam qenë gjithmonë afër njerëzve që kanë pasur probleme. I kam prekur nga afër, nuk jam njeri që i shmangem kësaj gjëje dhe sigurisht në shoqëri ne i kemi shumë afër këta njerëz. Në fakt është qesharake, por në fëmijërinë time kanë qenë këto filmat me heronj dhe mua më dukej vetja sikur të isha njëra prej tyre, pasi unë isha gjithmonë në ndihmë dhe në mbrojtje të tyre.
Kjo përvojë të solli në prezantim si kurrë më parë. Kjo, sepse ju jeni brenda karakterit tuaj?
Së pari, mund të them që ndjehem me fat, absolutisht ndjehem me fat që jam pjesë e kësaj përvoje. Sigurisht kur u prezantua projekti, unë thellë-thellë e dija që ishte diçka që më rrinte, që më rrinte mua si njeri, se teatër mund të bësh sa të duash. Tani të gjithë kanë mësuar të bëjnë shumë mirë teatër dhe pothuajse një pjesë shumë e madhe e jetës është teatër. Bona, ne dimë që humanizmi është pjesë e juaja çdo ditë. Kemi pasur raste, kur njerëz të ndryshëm kanë ardhur në redaksinë tonë, për t’ju shprehur juve mirënjohjen përmes shkrimeve… E vërtetë. Mua më kanë ardhur njerëz në zyrë dhe kur kam pasur mundësi i kam ndihmuar. Jo gjithmonë kam mundur, sepse sigurisht unë nuk është se i kam gjërat aq lehtë dhe të mund të fal gjithçka. Edhe unë kam një jetë timen, e cila ka një shpenzim të caktuar, por në momentin që mund të ndaj diçka nga vetja, e ndaj me shumë kënaqësi. Kjo nuk bëhet për t’u thënë, kjo bëhet për t’u bërë. Nuk bëhet as për publicitet, as për gjë.
Keni menduar ndonjëherë të ndërtoni një institucion bamirësie?
E bëj me dëshirë, por nuk e kam parë si një impenjim. Nga rastet e këtij viti, cili ka qenë ai që ju ka prekur më shumë? Ka pasur shumë këtë vit. Kanë qenë disa familje që mua më kanë thyer shpirtin në mënyrë të paparë. Qaja edhe pasi mbaronte emisioni. Edhe kur i kujtoj akoma qaj. Ka pasur shumë dhimbje dhe ishin kaq afër në kohë, saqë një moment u thashë atyre të produksionit, ‘stop, nuk mundem më’. Fizikisht unë nuk bëj asnjë punë që të lodhem, por emocionalisht janë shumë të rënda.
Si mundet një miss, që të futet mes llaçit dhe të ndjekë punimet?
Ky është një këndvështrim që s’e kam menduar kurrë. Sepse për miss-et është krijuar imazhi i një femre-kukull. Unë nuk jam kështu. Unë e shoh veten time mes llaçit. Unë i kam lyer vetë muret e shtëpisë, kështu që më pëlqen kjo ide.
Bona, sa ndikoni ju në arredimin e shtëpive?
Le të themi që këtë sezon kam qenë më pak prezente. Geni vetë është goxha profesionist. Sigurisht ndonjë ide e kemi shkëmbyer, por nuk u kam ndërhyrë shumë.
Këtë vit, nga Tirana jeni zhvendosur në drejtim të periferisë. Ndihet ndryshimi, a ka të njëjtën ngjyrë kudo varfëria?
Varfëria ka absolutisht të njëjtën ngjyrë.
A jeni takuar me familjet e vjetshme ose me ndonjë të këtij sezoni?
Familjes së parë i shkuam në shtëpi. Me familjet e sezonit të shkuar kam një marrëdhënie shumë të mirë, sidomos me 2-3 prej tyre. Njërën nga ato vajzat e kam marrë në shtëpinë time. Në fakt më mungon koha fizike, jo dëshira, sinqerisht. Më pëlqen që t’i gëzoj, sepse ata kanë një gëzim shumë të madh kur takohen me mua dhe kjo gjë përveçse u jep atyre, më jep edhe mua shumë kënaqësi. Është kënaqësi e dyfishtë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here