Valbona Selimllari: Dashuria te merr frymenEnde qëndron, në subkoshiencën e njerëzve, në vendin e parë. Askush s’e ka zëvendësuar. Por, çfarë të jetë? Cila mund të qëndrojë si më bindësja ndër arsyet, teksa duket sikur zëvendësimi nuk do të ndodhë kurrë.

Sakaq, Valbona Selimllari duket e ndërgjegjshme për këtë avantazh të sajin. Madje, duket edhe t’i ketë sjellë gjatë në mendjen e saj pse-të.

Dhe ka të ngjarë të ketë goditur në shenjë. Ose së paku i ka kaluar shumë pranë arsyeve që vazhdojnë ta mbajnë fort në vendin e parë, si missi-n e miss-eve.

E bukur? Sigurisht që po. Por nuk është e vetmja. Sharmante? Padyshim. Por sërish nuk qëndron në një ishull. Po kështu mund të thuhet për elegancën, qëndrimin, shijen, mënyrën e të folurit, ecjen… e shumëçka tjetër… Së paku teorikisht, Valbona Selimllari, s’mund të jetë e vetmja që i ka këto avantazhe, mes kaq shumë miss-eve që janë kurorëzuar ndër vite, e akoma më shumë të tjerave pjesëmarrëse në konkurset e bukurisë që në Shqipëri startuan në vitin relativisht të largët 1991.

E megjithatë, nëse pyet se cila prej miss-eve qëndron në vend të parë, përgjigja e shumëkujt është e njëjta: Valbona Selimllari. Duhet ti ketë bërë përshtypje edhe vete miss-it të parë shqiptar, një i tillë reagim prej publikut, përderisa i ka sjellë e përsjellë vetmevete arsyet derisa ka arritur në një konkluzion. “Mendoj se…” dhe pason një pauzë e shoqëruar nga një buzëqeshje që e bën të duket si e zënë në faj. Rezultat i natyrës modeste…

“Mendoj se jam e mirë”. (Aspak s’e ka fjalën për fasadën. Përkundrazi, tek artikulon konkluzionin a bindjen e saj, është e përqendruar tërësisht te brendia e saj, njerëzore, te karakteri, natyra… dhuratë e geneve të saj). Dhe pastaj, është e bindur se çfarë ka thellësisht vlerë është fakti se asnjëherë s’është përpjekur të shfaqet si një miss. “Unë thjesht kam jetuar Valbonën. Kam jetuar vetveten”. Dhe pastaj, kjo ka pasur efektin e vet.
…S’ka pak kohë, që i ka ndodhur. (Në të vërtetë i ndodh kaq shpesh…) Ishte me pushime, në një udhëtim fundjave, në jug. Po, pikërisht në Sarandë. E tek po shëtiste me të sajtë, dëgjon një zë gruaje që e thërret. “Valbona!”. Kthen kokën por portreti i gruas nuk i thotë asgjë. Nuk i kujtohet që diku ta ketë parë, a ta ketë takuar. Aq më pak mund të jetë një e njohur apo e afërme e saj. Megjithatë, nuk bën përpara. Kthehet dhe i afrohet gruas, e cila, nuk di më si ta shprehë kënaqësinë që po takon Valbona Selimllarin.

Eshtë thjesht një fanse, që ia nis të recitojë përmendësh një lumë komplimentesh e vlerësimesh për gruan e bukur e sharmante, ikonën e bukurisë shqiptare. Valbona, sigurisht që ndihet mirë. Por jo vetëm për këtë arsye harxhon disa minuta të gjata kohe me gruan që e thirri, teksa të sajtë presin pak më tutje me durim. Miss-i i parë shqiptar, di të respektojë njerëzit e zakonshëm në rrugë, di ti falënderojë.

Di, sidomos, që nëpërmjet vëmendjes që u jep, ti bëjë ata të ndihen mirë, nga prekja me dorë e idhullit. E teksa e ka treguar këtë historizë që i takon fundit të kësaj vere, sqaron se e sheh edhe këtë si një arsye e fortë, mes të tjerave që vazhdojnë ta mbajnë në gojë për mirë. Një ndër arsyet ama.Gjithsesi, prej 18 vitesh, shijon të qenit personazh publik, gjithnjë një personazh i këndshëm për të tjerët…
Le ta fillojmë bisedën me një kujtim fëmijërie…
Kam qenë fëmijë i lëvizshëm. Ndoshta për këtë arsye, daja im u propozoi prindërve që të më fusnin në ekipin e gjimnastikës. Dhe jam marrë gjatë me këtë sport, plot 8 vjet. Pastaj ekipi u shpërbë. Por gjithsesi, gjimnastika është një lloj sporti prej të cilit detyrimisht duhet të shkëputesh shpejt. Kësisoj unë në vit të tretë të shkollës së mesme, hoqa dorë nga gjimnastika…

Siç vite më parë kishit hequr dorë nga violina?Oh po. Por vetëm dorëheqja është e përbashkët mes këtyre dy rasteve. Unë studioja violinë me Robert Radojën, dhe s’duhet të kem qenë keq përderisa në konkursin për në hyrë në shkollë dola e para. Por ndodhi një gjë e çuditshme. Nga këndvështrimi i sotëm, s’di ta shpjegoj. Vajza e vendit të dytë, filloi të qante. Dhe unë, me të parë këtë skenë, u tërhoqa.

I lashë asaj vendin tim. Kështu e braktisa violinën dhe fillova të shijoj të marrurit me sport. Nuk ishte zëvendësim i keq.Me një fjalë, si e përshkruani fëmijërinë tuaj?Të lirë. Po. Kam qenë e lirë në fëmijërinë time.Njëra prej motrave? Mamaja? Cila syresh ishte nga ana tjetër e rrëfyestores, kur ju kishit nevojë të rrëfeheshit?Me motrat kam pasur dhe kam marrëdhënie të mira.

Shumë të mira madje. Por kur vjen puna për tu rrëfyer, e kam më të lehtë me një mike.
Funksionon po njëlloj edhe pas shndërrimit në emër publik? Nuk ju tremb cënimi i mundshëm i privatësisë nga shoqet?
E vërteta është se gjërat që kam nevojë ti them, s’janë edhe aq delikate…
Në fillim violina, pastaj gjimnastika… dhe në fund Akdemia e Arteve. Pse nuk u bëtë as aktore…
S’kam mundur ta shoh veten asnjëherë në këtë pozicion.

Ndoshta zgjodha Akademinë e Arteve, si mundësinë më të lehtë për tu diplomuar. Por jo, nuk e kam ëndërruar veten asnjëherë as në skenën e teatrit e as në shesh të xhirimit.E njëjta gjë mund të thuhet në përgjithësi për skenën, ose kontaktin e drejtpërdrejtë me publikun? Apo jo? E bëj këtë pyetje ngase prej kohësh jeni shkëputur nga skena…
Jo vetëm jam shkëputur. Por, në 15 vjet punë unë jam ngjitur në skenë shumë pak, vetëm për 3 vjet, pjesën tjetër kam qenë në prapaskenë. Ndoshta kjo ndodhi se nuk e kisha ambicien e duhur për të qëndruar në skenë, apo për të ecur përpara. Ama, me këtë s’dua ti shkarkoj nga faji ata që kam pasur pranë…
Doni të thoni me këtë se keni qëndruar në prapaskenë, jo ngase kështu ju pëlqente?
Përkundrazi. Prapaskena më lodh. Andej duhet të kujdesesh për këdo tjetër, duke qëndruar në hije, dhe jo për veten. Kjo e fundit është çfarë do të më tërhiqte më shumë.
Të qenit personazh publik është avantazh apo disavnantazh?
Kënaqësi. Avantazh, aspak disavantash. Përvoja ime deri më tash nuk ma ka përballur me problemet e të qenit njeri publik.
Sa kujdeseni për të qenë në lartësinë e një miss-i?

Tek e fundit në lartësinë e imazhit që publiku pret nga ju?Në fakt unë nuk jetoj si miss. Unë jetoj si Valbona. Ama edhe si e tillë jam shumë e kujdesshme. Nuk dal kurrë nga shtëpia pa i kushtuar pamjes kohën e duhur. Sakaq trukun e bëj shumë të lehtë, gati të padukshëm. Më duhet të sqaroj diçka. Më ndodh që dal nga shtëpia e patrukuar, ama e kryej këtë proces në makinë.

Po, po, në makinë, shfrytëzoj kohën në semaforë. Pothuaj e kam mësuar përmendësh këtë rit. Dhe në momentin që zbres në tokë, jam në rregull (qesh).A ju ka shkuar ndërmend të kërkoni dhe të gjeni, arsyet se pse publiku ju vlerëson mes të tjerave si ju, fituese kurorash bukurie?Them se jam e mirë, (qesh) dhe njerëzit më duan. Nuk jam ekstravagante, dhe besoj se njerëzit janë të prirur të shohin dhe vlerësojnë thjeshtësinë. U pëlqen natyralja.
Çfarë kërkoni nga fati?E rëndësishme është që nuk kërkoj të kem diçka që s’më takon.
Mendoni se fati ju ka përkëdhelur?S’e di. Por unë jam e aftë ti përshtatem rrethanave. Unë s’jam ndjerë kurrë keq as në një kështjellë e as në një kasolle. /Gazeta Panorama

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here