Ish-misi i parë shqiptar rrëfen sprovën e re në ekranin e “Vizion Plus”. Një eksperiencë ndryshe dhe një dinamikë, të cilën e ka përqafuar fillimisht me dyshimet personale.

Një rikthim në televizion pas shumë vitesh shkëputjeje. Ngasjet e skeptikëve që nuk e kanë përkrahur shfaqjen e saj mediatike. Për të gjitha pikëpyetjet, Valbona Selimllari e ka një përgjigje.

Ka pamjen e një çupëline. Është e veshur thjesht, por bukur. Pantallonat xhins në ngjyrë të bardhë i nxjerrin në pah linjat e rregullta e të holla, ashtu siç atletet nuk ia zbehin assesi kutin e gjatësisë. Nga fituesja e parë e kurorës së misit shqiptar, plot 20 vite të shkuara, nuk ka ndryshuar shumë.

Madje, për të vlen ajo shprehja e kahershme, që vera bëhet edhe më e mirë bashkë me vitet. E përkundër shumë bukurosheve të tjera, që erdhën pas saj e i dorëzuan kurorën njëra-tjetrës, çdo iniciativë që do të ndërmerrte Valbona Selimllari përbën lajm. E tillë ka qenë edhe shfaqja e saj e fundit, me një format tërësisht të ri televiziv, ku nuk flet as për sekretin e rinisë së përjetshme, as për recetat e bukurisë…

Emisionin e ri në ekranin e “Vizion Plus” preferon ta etiketojë më shumë si një mision të mirëfilltë, që në gjenezë të tij ka përmirësimin e jetës së shtresave në nevojë. Mure dhe suvatime që rrëzohen përtokë, orendi dhe mobilie që flaken tutje… Një shtëpi e re, “Nga e para”, pikërisht kështu siç quhet edhe emisioni që drejton Valbona. Thotë se nuk ka lindur për të qenë prezantuese, dhe ky ka qenë dyshimi i parë për t’iu përgjigjur ose jo pozitivisht ftesës së producentëve. Por, pas puntatës së parë, beson se ia ka dalë mbanë. Misioni real, sa social aq edhe njerëzor, që synon të zbehë problemet jetike të një kategorie të caktuar familjesh shqiptare, e grish Valbonën më shumë sesa thjesht prezantimi publik. E ndërsa është duke e shijuar këtë eksperiencë të momentit, ka zgjedhur të flasë për suplementin “Unë Gruaja” për gjithë detajet e “Nga e para”, trokitjen në dyert e shqiptarëve, përfshirjen në të e prezantimin, si dhe raportin me shtëpinë personale.

“Nga e para”, është sfida juaj e momentit në ekranin e “Vizion Plus”. Si u bëtë pjesë e këtij formati televiziv?

Ishte një propozim i agjencisë “Anima Pictures”, që ka blerë patentën e emisionit “Extreme make over home edition”, për të sjellë këtë format edhe në ekranin shqiptar. Sigurisht, që në fillim pata dyshimet e mia, sepse prej vitesh kisha hequr dorë nga prezantimi apo shfaqja në televizion. Përgjigjja ime e parë ishte “Jo”.

Dhe çfarë ju bëri të ndryshonit mendje?

Këmbëngulja e vazhdueshme e producentëve të këtij emisioni. Ata më kërkuan që fillimisht të njihesha nga afër me mënyrën e konceptimit të formatit, me idenë, realizmin e gjithë detajet e tjera. Dhe në fakt, kur kuptova që nuk bëhej fjalë për një prezantim mirëfilli, ku duhet t’i përmbahesha një skalete të gatshme, nuk m’u desh shumë për të ndryshuar mendje. E ndjeva menjëherë këtë emision, sepse në gjenezë të tij është shumë njerëzor, është social, dhe kjo më bëri të ndihesha thjesht Valbona.

E quaj mision më tepër sesa emision, sepse bëhet fjalë për gjëra që bëhen me shpirt, në ndihmë të njerëzve me kushte të vështira financiare, probleme ekonomike etj. U ndryshojmë katërcipërisht jetën, ndaj dhe emisioni quhet “Nga e para”. Marrim përsipër të ndërtojmë brenda katër ditësh një shtëpi nga e para. Një banesë me mure të reja, me kushte të tjetërsuara dhe ambiente që nuk u mungon asnjë mobilie apo orendi shtëpiake. Është kaq njerëzore kjo gjë…

Një ide që për herë të parë lëvrohet në Shqipëri, por që në botë është e materializuar prej kohësh. Sa ju grish mënyra e realizmit të këtij formati, dhe sa e gjeni veten pjesë të tij?

Është vërtet një gjetje e spikatur. T’u ndryshosh njerëzve jetën në ditët e sotme është tepër e vështirë. Gjithçka bëhet kundrejt asnjë vlere monetare, thjesht kundrejt një mirënjohjeje dhe vlerësimi karshi skuadrës së arkitektëve dhe punëtorëve që marrin përsipër gjithçka, nga idetë deri në materializimin konkret të shtëpisë së re. Për të qenë e sinqertë, gjatë atyre katër ditëve jam në merak të madh se si do të shkojnë gjërat, a do të dalë gjithçka sipas parashikimeve. E pres me padurim ditën e fundit, ndonëse kam besimin se i gjithë stafi është një skuadër profesionistësh të përkushtuar.

Si reagojnë “të zgjedhurit” pasi marrin ndër duar çelësat e shtëpisë së re dhe të transformuar?

Unë jam më afër me këta njerëz, sesa publiku që i sheh nga ekrani. Ata vërtet shprehin pak, e ky mund të jetë një problem mbase edhe i shqiptarëve si natyrë. Janë të ngurtë e nuk e thonë atë që ndiejnë. Është e zorshme të marrësh emocionin nga ata. Fakti që atyre u ndryshohet jeta dhe gjithçka nis nga e para në një shtëpi të ndërtuar nga fillimi, të cilën mund ta posedonte një familje shqiptare me të ardhura normale, mbase u ngjan më tepër me një ëndërr sesa realitet të prekshëm, dhe kjo i huton. Megjithatë, një përqafim i ngrohtë, një falënderim, apo ato lot gëzimi në sy janë gjëja më e bukur që më ndodh kur i takoj nga afër këto familje.

Mbi cilat kritere bëhet përzgjedhja e protagonistëve të emisionit, të cilëve u ndërtohet shtëpia nga e para?

Në puntatën e parë e kemi pasur shumë të vështirë. Bashkëpunuam me shumë qendra sociale e njësi bashkiake të lagjeve të ndryshme të Tiranës apo periferisë. Shpesh jemi përballur edhe me skepticizëm në mes, me njerëz që nuk e konceptojnë dot të bërit me një shtëpi të re. Por, pas emisionit të parë, të nesërmen, brenda gjysmë ore kanë mbërritur 136 aplikime. Do të kemi shumë punë përpara.(qesh)

Valbona, përtej efektit vezullues së projektorëve dhe komoditetit skenik…. e veshur, me pantallona xhins, me atlete në këmbë që shkelin në llaç… Si

po e përjeton këtë eksperiencë?

Kjo jam unë. Besoj se terreni më rri më mirë sesa skena. Të trokiturit në shtëpinë e shqiptarëve, njohja nga afër me vështirësitë, problematikat është më njerëzore, sesa komoditeti i një eksperience skenike. Ky është realiteti që të përplaset në fytyrë, përtej imazhit që qëndron bukur në skenë. Pikërisht kjo më bën të ndihem vetvetja.

Si ndiheni përballë këtij realiteti kaq të hapur, plot vështirësi dhe problematika

Realiteti në të cilin jetojmë, dëshmon se ende ka varfëri. Është një e vërtetë e pastër që të përplaset në fytyrë, dhe në momentin që e prek nga afër, kjo bëhet edhe më e besueshme. Ky është një nga misionet parësore të emisionit tonë, që dëshmon se ne duam t’u përmirësojmë jetën kësaj kategorie njerëzish me vështirësi ekonomike.

Duket se prezantimi nuk është qëllim i qenësishëm për ju, apo jo?

Asnjëherë nuk ka qenë! Edhe në këtë emision, pozicioni im është shumë larg prezantimit të mirëfilltë. Është më tepër një mision njerëzor, që ka mesazhe pozitive në fokus të tij. Spontaniteti është një nga pikat e forta të miat. Fakti që përballem me një realitet, dhe një të vërtetë të dukshme, është një nga detajet që kam përqafuar që në fillim kur m’u propozua si sfidë. Kjo më bën të ndihem komode. Për të qenë e sinqertë, i vetmi problem imi është momenti i hapjes së emisionit, kur më duhet të lexoj disa fjalë të shkruara në letër, e kjo është një situatë pak e sikletshme për mua, pjesa tjetër më del nga shpirti. E gjej veten të përshtatshme, me të gjitha kategoritë e njerëzve, sidomos ata me probleme dhe vështirësi, që mbi të gjitha më krijojnë respekt.

Mes skeptikëve dhe atyre që përqafojnë daljen tuaj publike dhe rishfaqjen në ekran, sa mendoni se ia keni dalë mbanë?

Pas puntatës së parë, impakti ka qenë shumë pozitiv. Miqtë e mi të ngushtë apo kolegë më kanë uruar dhe komplimentuar për daljen time të re dhe rikthimin në ekran. Sa u takon skeptikëve, ata nuk përbëjnë problem për mua, janë shumë larg shqetësimeve të mia. Jam duke u kënaqur me këtë eksperiencë të re, po marr shumë vlerësime, dashuri, po falim një jetë të re për njerëz me probleme ekonomike dhe kaq. Pakënaqësitë nuk i ndiej rrotull meje. Tek e fundit, gjithmonë do të ketë palë të pakënaqura, por për mua janë krejt të parëndësishëm. E pranoj që nuk jam e lindur për prezantim, por edhe e papranueshme nuk besoj se jam. Thjesht kërkoj të jem vetja dhe këtë e bëj pa problem.

Jo detyrimisht një imazh i bukur është garanci suksesi, ju pse mendoni se ju kanë zgjedhur?

Besoj se përzgjedhja e personit tim kishte të bënte më shumë me pjesën e një femre mikpritëse, të dashur, një njeri të ëmbël e familjar që hyn në shtëpinë e çdo qytetari apo shqiptari të thjeshtë. Ndërsa bukuria është efekti i parë që ngjit menjëherë dhe nuk mund ta fsheh rëndësinë e këtij kriteri.

Folëm për emisionin dhe prezantimin, shtëpi të ndërtuara nga e para, por në fakt cila është marrëdhënia juaj me shtëpinë?

Kam një marrëdhënie shumë të mirë me shtëpinë, kjo edhe sepse kaloj një kohë shumë të gjatë në të. Nuk jam nga ata tipa që dal pasdite apo në darkë në restorante, apo me shoqet. Kësisoj, duke shpenzuar shumë kohë brenda mureve të shtëpisë, më është dashur të krijoj një kënd të rehatisë personale, dhe një vend ku preh shpirtin.

Cili është stili i shtëpisë suaj?

Kam një shtëpi mikpritëse, së cilës nuk i mungon asgjë. Kam përqafuar stilin neoklasik, jo modern. Pjesa dërrmuese e ideve janë të miat. Shtëpisë sime, përpos pjesës materiale, nuk i mungon asgjë. Mbi të gjitha, ngrohtësia është pashmangshme në të.

Ç’angazhime të tjera keni përpos emisionit?

Emisioni më merr katër ditë të javës. Janë ditë që kalojnë kaq shpejt dhe pa u ndier. “Nga e para” është angazhimi im momental dhe parësor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here