Dikur ishte përpjekja e një tekniku të jashtëzakonshëm të RTSH-së për të kthyer zërin e Vaçe Zelës nga regjistrimet e vjetra në ato stereo. Askush nuk di të thotë sesi do të vazhdonte ky projekt. Por, ai mbeti vetëm me pak këngë.

Në një projekt të fundit, është kompozitori Gazmend Mullahi, që ka shpluhurosur arkivat dhe që ka ndihmuar për një krijimin e një albumi retrospektiv, i cili do të prezantohet së pari në Bazel të Zvicrës ku jeton prej vitit 1991 Vaçe Zela.

Për fat, së fundi, është iniciuar një album me plot 56 këngë të Vaçe Zelës, marrë nga fondet e Radio Tiranës. Është një ndihmesë e Ministrisë së Kulturës, ndërsa për fatin e keq të publikut, partia e parë do të jetë sa për dhurata.
Albumi do të titullohet “Larg dhe pranë njerëzve” dhe janë këngë ashtu siç janë regjistruar për herë të parë që prej fillimit të karrierës në vitet ’60 e deri në festivalin e fundit në RTSH. Motivimi i të gjithë aktivitetit është i thjeshtë: Dedikuar 70 vjetorit të këngëtares së njohur.

Albumi përmban 3CD, 2 me 19 këngë dhe 1 me 18. Për publikun e pasionuar do të jenë që nga këngët “Fëmija i parë” kompozim i Agim Krajkës, këngë që Vaçja e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, “Lumi Ebro”, “Për ty o këngë”, “Manushaqja”, “Esperanca” këngë kubaneze kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi “Karmen”, “Një zambak i bardhë në gur” etj.

Me këtë rast, përveç artit të madh të kësaj artisteje të rrallë do të kemi dhe një pjesë të madhe të historisë së muzikës së lehtë shqiptare Tish Daia, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi, Agim Prodani.

Këngëtarja u lind më 7 prill të vitit 1939. Ajo realizoi një karrierë të shkëlqyer, që do të thoshte që Vaçe Zela të meritonte titullin “Artiste e Popullit”. Që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë, ajo bëri një prezantim shumë serioz, duke u kthyer në mit të artit shqiptar, ku në realitet në 26 festivale kombëtare, ku ka fituar 10 herë vendin e parë.

Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës Bamir Topi i akordoi titullin “Nderi i Kombit”. /NOA/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here