Vaçe Zela përgjigjet shqip sa herë ngre telefonin. Kjo mënyrë komunikimi e mban shumë afër Shqipërisë, njerëzve, atyre që e adhurojnë muzikën e saj.

Sot mbush 72 vjeçe. E di se këtë ditë do ta dëgjojë shumë shpesh zilen, do të dëgjojë shumë urime dhe fjalë të përzemërta. Ajo mallëngjehet gjithmonë. Zëri e tradhton që pas fjalëve të para.

E di që i kemi telefonuar për ditëlindje dhe për t’i shkëputur dy fjalë. “Është një ditë shumë e veçantë. Më telefonojnë të gjithë për të më uruar ditëlindjen”, thotë pak mundimshëm. Dy vjet më parë, u përfol për një rikthim të sajin, një vizitë çmallëse për të, por edhe ata që vazhdojnë ta duan. Teksa e pyet se nëse ka menduar një rikthim në Tiranë, nga receptori dëgjohet një pasthirrmë e zgjatur “ahhhhh”. “Nuk e dini sa dëshirë kam të vij, por nuk ma lejon mjeku”, thotë me keqardhje.

E përsërit disa herë këtë frazë, si të donte të na bindte për vërtetësinë e kësaj dëshire. Falënderimet për publikun nuk i mungojnë në çdo rast kur mund të thotë pak fjalë në gazetë. E shkëputur tashmë prej vitesh nga jeta artistike, përvjetorët e ditëlindjes janë rastet që e emocionojnë shumë. Ndonëse vitet kalojnë, këngët e saj mbeten pjesë e artë e muzikës shqiptare.

Kjo e mallëngjen edhe më shumë, teksa sot do të presë urime. “Shpresoj që ndonjë nga këto vite të mund të kthehem, nëse do të jem ende gjallë”, thotë Vaçe Zela. Këto fjalë e bëjnë më të qartë pengun e saj, për të takuar edhe njëherë nga afër miq e shumë njerëz që e kanë njohur përmes skenës e këngës. Ndonjë vizitë në Zvicër ku jeton me vajzën dhe dhëndrin, janë rastet që e gëzojnë më shumë.

Vaçe Zela ka lindur më 7 prill të 1939-s në qytetin e Lushnjës. Talenti i saj do të spikaste që e vogël, ku prezantohet në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e saj. Prej këtij qyteti të vogël do të niste rrugëtimin. Skena e festivalit të këngës, ku shënon rreth 30 pjesëmarrje, do ta njihte si këngëtaren më të suksesshme. Çmime të shumta do të vinin nga interpretimi në interpretim.

Këngët “Çelu si mimoza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Nënave shqiptare”, “O diell i ri”, “Sot mbusha 20 vjet”, “Të lumtur të dua”, “Moj e bukura Shqipëri”, e shumë të tjera do të mbeten gjatë në kujtesë. Sot ato i dëgjojmë të risjella nga këngëtarët më të rinj shqiptarë. Në këto raste përvjetorësh të kujtohen natyrshëm edhe vlerësimet që i kanë shkuar këngëtares për kontributin e saj.

“Artiste e Merituar” në ‘73-shin, “Artiste e Popullit” në ‘77-ën, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare nderi e Lushnjës”. Po në qytetin e lindjes, kinoteatrit iu vu emri i saj dhe u ngrit një bust, ndërsa Presidenti Moisiu i akordoi titullin “Nderi i Kombit”, u shpall “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit”.

Çmime i vijnë edhe nga jashtë territorit të Shqipërisë. Vaçe Zela ka marrë “Diskun e Artë” nga Amerika për kontribut në shoqëri në vitin ‘97, është zgjedhur gruaja e vitit ‘97-‘98 në Kembrixh të Anglisë, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës e Kosovës, “Çmimi i karrierës” e shumë të tjera. Ndërsa Instituti Biografik Amerikan e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë.

Në 70-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e ka shpallur një nga tri personalitetet e vitit, së bashku me poetin Lasgush Poradeci dhe skulptorin Odise Paskali.

Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje. Vetëm një vit më parë, Ministria e Kulturës përgatiti një album të titulluar “Vaçe Zela, larg dhe pranë njerëzve”, i cili u promovua në Bazel, qyteti ku jeton këngëtarja.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here