Më në fund programi “E diell” u bë me autor, madje me dy autorë njëherësh që janë emra të njohur të “Top Channel”.

Altin Basha, regjisori i programit të humorit “Portokalli” do jetë njëri prej autorëve të “E diell”. Autori tjetër është Alban Dudushi, i cili do të jetë njëkohësisht edhe prezantuesi i programit. Me sa duket të dy autorët i janë futur menjëherë punës dhe e kanë ndryshuar pothuajse tërësisht skaletën e spektaklit të së dielës. Ndryshimi i papritur është ai në prezantim.

Përkrah Alban Dudushit nuk do të jetë vetëm bukuroshja Xhemi Shehu, por edhe një tjetër femër e njohur dhe e suksesshme, Ulpiana Lama. Ulpiana, publiciste e njohur jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri, më shumë se në rolin e prezantueses do të vijë në rolin e opinionistes së programit. Një pjesë e cila padyshim do të përcjellë tek publiku shumë argëtim, është ajo e dasmave. Çdo javë në studio do improvizohen dasma e valle të trevave të ndryshme shqiptare.

Një tjetër hapësirë e show-t do t’i kushtohet kinematografisë, informacionet për të cilën do të vijnë në formën e quiz-it. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, brenda programit “E diell” do të realizohet edhe një mini talk-show drejtuar nga Alban Dudushi, të cilit me sa duket nuk i ndahet zemra nga “Top Show” dhe e merr kudo me vete. Tani na mbetet vetëm të presim deri në javën e dytë të muajit shkurt duke shpresuar që të mos shohim më një “E diell” të mërzitshme.

Sezoni i kaluar

Me gjithë grintën që u përpoqën të sillnin sezonin e shkuar çifti i autorëve Rexhepagiq, “E Diell” la shumë për të dëshiruar dhe këtë gjë e pranoi edhe vetë Armendi në një intervistë të dhënë për “Bluetooth”. Ndonëse jo në cilësinë më të mirë, e diela e kaluar e “Top”-it s’mund të themi që ishte krejtësisht pa vlera. Në të kishte mjaft elementë artistik, kishte larmishmëri në prezantim, po vetëm kaq. Siç është stërthënë tashmë “E Diell” e shkuar ishte monotone.

Pyetja që shtrojmë në përfundim të këtij shkrimi lidhet me fatin e tri moderatorëve që tashmë s’janë më pjesë e këtij projekti. Çfarë do të bëhet me motrat Vjollca dhe Albana Osmanin?! Na mbetet të presim deri në muajt të ardhshëm për të zbuluar surprizat.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here