Sapo ka nisur transmetimin sezoni i ri i “Apartamenti 2 XL” në “Vizion Plus”, ndërkohë që edhe këtë sezon producenti i spektaklit, Turjan Hysja, premton sërish situata, batuta dhe humor për publikun, “sigurisht duke tentuar të japim dhe mesazhe për ata që na ndjekin”, thotë ai.

Një nga të veçantat e këtij spektakli me protagonistë kryesorë tre aktorët e “The SHBLSH”, Julian Deda, Gent Zenelaj dhe Ermal Mamaqi janë të ftuarit VIP, të cilët bëhen pjesë e show-t me një rol të caktuar.

Po cilët janë disa nga personazhet që do të shohim të hyjnë në “Apartamentin 2 XL” këtë sezon?! “Personazhet nuk mund t’i zbuloj, por mund t’ju them me siguri që do shihni gjithë spektrin e jetës publike shqiptare”, thotë Turi.

Në listën e të ftuarve të këtij sezoni, një pjesë e konsiderueshme e tyre do të jenë politikanë, mes të cilëve ka ministra, deputetë dhe personalitete me ndikim në politikën shqiptare. Në reklamën e tyre ata i bëjnë një ftesë publike Kryeministrit Sali Berisha për të qenë i pranishëm në “Apartamenti 2 XL” të këtij viti. Ata kanë zgjedhur këngën “Vetëm 5 minuta” të këngëtarit kosovar Agron Berisha, për t’i bërë thirrje publike Kryeministrit.

“Vetëm 5 minuta është kënga e përzgjedhur për javën e kaluar, po jo se e duam vetëm 5 minuta prezencën e Kryeministrit në emisionin tonë. Ai është i ftuar të qëndrojë sa ta shohë të arsyeshme”, pohon Turi.

“Shpresojmë që Kryeministri ta pranojë ftesën tonë, për të cilën ne do vazhdojmë të këmbëngulim”, thotë ai. Në krahasim me Fatos Nanon, i cili më në fund pranoi të bëhej pjesë e show-t dhe djemtë e “Apartamentit 2 XL” shohin si tip më të vështirë për të pranuar një ftesë të tillë, Turi përgjigjet se “të dy janë të vështirë në llojin e vet”.

Po nëse do i krahasonte për sensin e humorit të secilit prej tyre, ai shton se “thonë që dhe z. Berisha ka humor dhe batuta, por pasi ta kem në studio, do e vlerësoj.”

Ndërkohë që ashtu si Nanos, ftesa Kryeministrit i është bërë çift.

Deri tani në “Apartamentin 2 XL” kemi parë politikanë meshkuj që kanë pranuar të bëhen protagonistë të spektaklit, ndërsa për sa u përket politikaneve femra, Turi ka pohuar se “kemi tentuar me to, por deri tani asnjëra prej tyre nuk e ka parë të udhës të jetë pjesë e shfaqjes”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here