Merret prej 10 vitesh me muzikë, madje ka tentuar të përfaqësojë edhe Maqedoninë në Eurovizion. Është kjo këngëtarja seksi 26-vjeçare Altuna Sejdiu – Tuna, e cila është vlerësuar me shumë çmime në Kosovë e Shqipëri, ka marrë pjesë në koncertin e Snoop Dog në Prishtinë.

Ajo flet më poshtë hapur për përvojën në jetën e saj dhe dështimin e martesës. Në ditarin e saj profesional nuk qëndron vend për improvizime.

Kur bëhet fjalë për punën, ajo pa kompromis hidhet në krahët e dashurisë së saj, “muzikës”, duke folur për të gjitha përvojat e saj të jetës. Për momentin është duke punuar mbi disa projekte të reja muzikore, ndërsa paralelisht realizon edhe koncerte.

Këtë vit ajo kremton edhe 10-vjetorin e karrierës në skenë, ndërsa para realizimit të jubileut të madh, ajo flet për ndryshimet e mëdha të cilat i kanë ndodhur në jetën private dhe profesionale. Ç’do të thotë ndryshimi i pamjes së jashtme për ju, sepse ndërkohë që fansat janë mësuar t’ju shohin si bionde, prej pak kohësh jeni shndërruar në flokëkuqe?

Asnjëherë nuk kam pasur frikë të eksperimentoj me flokët dhe këtë radhë mendova që është koha për një ndryshim radikal. Nuk dyshoja se do t’i pëlqente shumicës së njerëzve, pasi ishte një këshillë nga disa profesionistë dhe, përveç kësaj, mendoj se jam duke treguar që jam si një kameleon, jam e bindur për ndryshimet, çfarëdo qofshin ato.

Nuk ka dyshim se eksperimentet me stilin i justifikoni me modën. A maten lekët me imazhin dhe si e vlerësoni se çfarë ju rri më bukur dhe çfarë është më e përshtatshme që të tërhiqni vëmendjen në skenë?

Më duhet të pranoj se, edhe pas përvojës shumëvjeçare, kam dyshime në zgjedhjet e mia. Por unë kam një armatë njerëzish që qëndrojnë prapa meje, të cilët më japin ide që i shqyrtojmë bashkërisht. E gjithë kjo më ka ndihmuar që të rritem si Tuna, stabile dhe me fjalë të tjera “kështu siç jam”.

Sa i njihni tendencat e modës?

Një nga elementet kryesore është personaliteti, të njoh trupin tim. Mendoj se e kam mësuar këtë gjë dhe tashmë e di saktë se në cilin moment, ku dhe si e çfarë të vesh diçka, por edhe të gaboj ndonjëherë, kështu që askush nuk është perfekt, siç thonë të gjithë.

Ju arrini të qëndroni mirë në katër anë të skenës, në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë e diasporë, por ku fitohet më shumë?

(Qesh) Në trojet ballkanike, edhe pse e dimë se si funksionon tregu muzikor. Kjo gjë është e pakuptimtë të komentohet.

Thonë që jeni shumë kokëfortë dhe rrallëherë lëshoni pe në qëndrimet tuaja?

E di se shumë bashkëpunëtorë të mitë kanë vështirësi nga kjo gjë, por gjithashtu di t’i arsyetoj gjërat dhe në fund të gjejmë zgjidhje dhe çfarë është më e rëndësishmja, nuk kanë zgjidhje tjetër vetëm të më pranojnë si jam (Qesh).

Thonë se silleni si yjet botërore dhe keni kërkesa të mëdha kur bëhet fjalë për klipe apo koncerte?

Mundohem të nxjerr maksimumin nga vetja dhe këtë e kërkoj edhe tek të tjerët dhe nuk mendoj që ka ndonjë gjë të keqe këtu. Dita-ditës mundohem të sfidoj veten dhe ka momente kur me të vërtetë mendoj se jam mazokiste. Por nga ana tjetër, di vërtet të vlerësoj miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi.

Pse artistët tanë asnjëherë nuk janë bashkuar kundër diçkaje dhe pse janë aktivë në politikë vetëm nëse paguhen që të këndojnë në fushata dhe mitingje?

Hmm, vërtet sa para, aq muzikë. Në fakt, edhe aq iniciativë. Mënyra se si funksionojnë punët këtu është e tillë që nuk jep hapësirë për kreativitet. Nga ana tjetër, nëse bëjmë një krahasim me tregun jashtë, shtetet i përkrahin artistët. Mund të flas edhe për politikë, por më mirë jo…

Rridhni nga një familje e qytetëruar, por a keni kundërshtime me prindërit, miqtë etj., për shkak se jeni artiste, por edhe sepse zhvisheni në skenë?

Për mua vërtet janë shumë të rëndësishëm prindërit e mi, familja dhe përderisa ata më përkrahin në ambiciet e mia dhe në atë që bëj, unë nuk mundohem t’u mbush mendjen të tjerëve. E rëndësishme për mua është që familja ime të “heshtë” për thashethemet dhe të gjitha rreziqet e famës dhe me kalimin e kohës të kuptojnë se kjo është pjesë e punës sime.

Si vendosët për divorcin, kur të gjithë këtu e kanë tabu këtë temë?

Nuk mendoj si në Ballkan. Thjesht, në disa momente mendoj se nuk i përkas këtij vendi. Shpesh dëgjoj këngën “Out of the box”. Kjo flet më shumë…

Cilat ishin arsyet e divorcit që erdhi vetëm pas një viti martese?

Thjesht nuk funksiononim së bashku, nuk isha e lumtur. Ka shumë njerëz të cilët do qëndronin në martesë edhe atëherë kur do ta humbnin buzëqeshjen në fytyrë, vetëm që mos gjenden keq në rrethin ku qëndrojnë. Martesa duhet të ketë një kthesë. Kur zgjohesh pranë personit që i je betuar për dashuri të përjetshme, ndërsa nga martesa dalin qëndrime të ndryshme, vjen një moment kur kupton se nuk ka se çfarë të japësh më shumë dhe nuk mund ta bësh të ndihet mirë as veten e as atë. Megjithatë, edhe pas divorcit unë nuk e kam humbur besimin në martesë. Edhe pse është klishe, them se koha i shëron plagët. Jam krenare me veten, sepse kam qëndruar fort në momentet më të vështira të jetës. Të gjithë energjinë e kam dhënë në punë. Por çdo ditë kam gjetur kohë të kujtoj se sa fansat e mi mendojnë për mua, sa më përkrahin dhe më tregojnë dashurinë e tyre. Ndoshta duket jo shumë e thjeshtë, por publiku im më kujton kur jam e bekuar.

Si është raporti me nënën tënde?

Edhe pse shumë herë di t’i vërsulem si të gjithë të tjerët në momente stresi, menjëherë pendohem. Mendoj që nëna ime meriton një falënderim të madh për përkrahjen që më jep në të gjitha drejtimet. Ajo është një nënë e vërtetë!

Po babai juaj, një boksier i njohur, si ka reaguar për muzikën tuaj dhe rrugën të cilën keni zgjedhur?

Ai që në fillim ka qenë shumë neutral në këtë drejtim, thjesht më ka lënë të zgjedh vetë atë që dua. Ka raste kur kam qenë shumë e hidhëruar, pasi ndonjëherë nuk ka qenë me mua në momente të caktuara kur jam rritur si artiste. Në anën tjetër, i jam shumë falënderuese pasi për shkak të kësaj unë jam bërë një luftëtare të madhe, ndoshta dhe më e madhe se ai. Babi, të faleminderit!

Po të dashuroheni? Gjithmonë ka kohë për të…

Do të tingëllonte qesharake, por këtë verë planifikoj të dashurohem. Ky është plani, madje edhe zëdhënësi im mendon se kjo duhet të planifikohet. Në planin e dashurisë stanjoj për momentin, por ndoshta ai është afër meje dhe unë nuk e shoh?! (Qesh).

Me çfarë mashkulli do e kishit filluar një lidhje romantike?

Dua mashkull mbi të gjitha, jo femra! Autoritar, të duket bukur, të ketë shpirt sportiv, i freskët dhe stabil, që të balancojë gjendjen time emocionale, tipik për gaforret.

Për veten:

Për disa muaj kam qenë e varur nga ilaçet e gjumit, pasi për shkak të stresit të lartë nga puna e madhe ndodhte që të mos bëja aspak gjumë.

Dashurohem lehtë, por edhe çdashurohem po aq lehtë!

Jam e varur nga ëmbëlsirat. Jam e disiplinuar për të gjitha, por atyre nuk mund t’u ndahem. Shpesh i konsumoj fshehurazi, ndërsa pastaj mbaj një fjalim para pasqyrës se prej kujt jam fshehur?

I ha thonjtë.

Jam e varur nga rrjetet sociale “Facebook” dhe “Twitter”.

Ndonjëherë fshihem nga vetvetja ose nga Tuna tjetër. Egon time e aktivizoj vetëm profesionalisht. Privatisht mendoj se jam shumë normale.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here