-Në intervistën për YllPress.com, këtë herë kemi një aktor. Karriera e tij sapo ka filluar, por mesa duket nuk do të mbetet me kaq. Rrjedh nga një familje artdashëse. Bëhet fjalë për djalin shkondran, Tristan Halilaj.

Yll Press – Për herë të parë je paraqitur në filmin “Falja e gjakut”, një film shumë i vlersuar. Si erdhi deri tek pjesmarrja në këtë film?

Tristan Halilaj -U zhvillua një audicion masiv në të gjitha shkollat e mesme dhe fillore të Shkodrës dhe fshatrave përreth saj. Atë kohë isha nxënës në vit të katërt në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja” në Shkodër dhe u përfshiva edhe unë në audicion. Audicioni i parë kishte të bënte me prezantimin tënd si person pastaj një nga një ato ngjyroseshin me ngjyrën e personazhit që na kërkohej. Dhe pas shumë e shumë të tillave më erdhi lajmi fatlum që më kishin zgjedhur.

Yll Press – Çfarë roli ke në këtë film?

Tristan Halilaj -Quhet Nik, është djali i madh i një familjeje të përbërë nga shtatë persona – katër fëmijë ( dy vëllezer, dy motra ), prindërit dhe gjyshi. Niku është një djalë energjik që ka pasion teknologjinë dhe me shumë ëndrra për të ardhmen. Por si pasojë e një vrasjeje që ndodh ndërmjet babait dhe xhaxhait të Nikut kundrejt një familje tjetër në fshatin ku ata jetojnë, ai është i detyruar që të qëndrojë i ngujuar në shtëpi nga frika e gjakmarrjes

Yll Press – Është hera e parë që të jepet një rol?

Tristan Halilaj -Po, hera e parë.

Yll Press – Duke marrë parasysh që në premierën e parë filmi bëri një bujë të madhe, cilat janë impresionet tuaja?

Tristan Halilaj -Filmi pati një paraqitje shumë të mirë në premieren botërore në festivalin e filmit në Berlin, ku u pëlqye shumë dhe u kurorëzua me cmimin “Ariu i Argjendë për skenarin më të mirë”. Dhe besoj që do të ketë një impuls edhe më pozitiv kur të shfaqet në trojet shqiptare, pasi është një histori fund e krye shqiptare.

Yll Press – Je student në Fakultetin e Arteve në Tetovë, dega aktrim. Pse pikërisht zgjodhe Tetovën për të vazhduar studimet?

Tristan Halilaj -Në përvojen time të parë me filmin, meqë nuk kisha asnjë referencë lidhur me të qënit aktor, pata shumë ndihmesa nga regjizori Joshua Marston, skenaristi Andamion Murataj dhe aktori Refet Abazi. Pas kësaj përvoje dëshira për të studiuar aktrim u bë parim kryesor për mua dhe kur mësova që ndihmesa e aktorit Refet Abazi mund të vazhdonte edhe më tej pasi ai merrte vitin e parë në Fakultetin e Arteve në Tetovë, dega aktrim, u sigurova që ardhja ime në Tetovë ishte zgjedhja më e mirë për mua. Ndihmesat e tjera që më erdhen pasi mbërrita këtu nga profesorët Xhevdet Jashari, Sabedin Selmani, Mirsad Iseini, etj. , dhe shokët e klasës Sherif Bega, Perparim Ismajli, Sokol Hajrullai, Berat Mahmuti dhe Mona Mustafa nuk më lejuan që të kem asnjë dyshim për zgjedhjen që bëra.

Yll Press – Përkrah cilit aktor ose aktore do të doje të luaje një film?

Tristan Halilaj -Interesimi im për të shikuar filma është rritur tani që studioj për aktrim. Po kaloj një fazë ku shoh shumë filma dhe i preferuari mund të ndryshojë pozicion ndonjëherë. Po ashtu edhe për aktorët. Por kohët e fundit jam magjepsur nga filmi ‘”The Barber of Siberia” i regjizorit Nikita Mikhalkov dhe nga loja e aktorëve Oleg Menshikov dhe Julia Ormond. Por ka edhe shumë e shumë aktorë të tjerë që ëndërroj të luaj me to.

Yll Press – Cili zhanër i filmave të pëlqen më tepër?

Tristan Halilaj -Dramë, sepse sipas meje tejcojnë më shumë emocion tek shikuesit

Yll Press – Të pëlqen më shumë filmi apo teatri?

Tristan Halilaj -Teatrin akoma nuk e kam provuar po punoj që të jem i gatshem për të sepse dua të ndjej emocionet e momentit që fitohen nga një shfaqje teatri. Pra, si filmin,si teatrin i vlerësoj njëlloj.

Yll Press – Ku mund t’iu shohim në të ardhmen?

Tristan Halilaj –Ambicia ime është që të jem pjesë në sa më shumë projekte filmike dhe teatrale. Sa do të mund të arrij kjo varet nga fati dhe vullneti që do të kem .

Duket që Tristani ka ambicie që të bëhet një aktor i sukseshëm, ndërsa neve na mbetet që ti dëshirojmë fat drejt rrugës që ai është nisur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here