Tre filma të regjisorëve shqiptarë do t’i prezantohen javën e ardhshme publikut italian.

“Gjallë” në regji të Artan Minarollit, “Kukumi” i Isa Qosjës dhe “Lindje perëndim lindje” me regji të Gjergj Xhuvanit, janë filmat që do të shfaqen në festivalin “Piemonte Movie Glocal Film Festival”.

Edicioni i njëmbëdhjetë i këtij festivali do të nis rrugëtimin shtatëditor në ditën e tretë të marsit, në Torino të Italisë.

Ndërsa, filmi dokumentar “Sono Stato Dio in Bosnia” i regjisorit Erion Kadilli, do të garojë në kategorinë e filmave dokumentarë të këtij festivali.
Seksioni i posaçëm i këtij festivali, “Terre del Cinema” këtë vit do t’i kushtohet kinematografisë shqiptare.

Programi në kuadër të të cilit do të prezantohen filmat titullohet “Focus Albania” dhe është organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës Shqiptare dhe shoqatën “Vatra”. I ftuar special do të jetë aktori shqiptar Nik Xhelilaj, i cili ka një rol kryesor në filmin “Gjallë” për të cilin ka marrë disa çmime.

Udhëheqësi i Qendrës Kulturore Shqiptare në Torino, Benko Gjata, ka thënë se kjo është hera e parë që kinematografisë shqiptare i “rezervohet” vend i posaçëm në një festival italian.

Megjithëse kemi prezantuar disa herë filma shqiptarë nëpër festivalet që organizohen në Torino, kjo është hera e parë që ky festival u jep hapësirë tre filmave të regjisorëve shqiptarë”, ka thënë Gjata, teksa ka shpjeguar se përzgjedhja e filmave është bërë nga një komision i kineastëve italianë.

Ne iu kemi ofruar 20 tituj të filmave shqip dhe ata e kanë bërë këtë përzgjedhje”, ka thënë ai.
Gjata ka shtuar se përfaqësues i kinematografisë shqiptare në këtë festival do të jetë protagonisti i “Gjallë”.

Iu kemi bërë ftesë regjisorëve të filmave por mysafir që e ka konfirmuar tashmë ardhjen është aktori i ri shqiptar Nik Xhelilaj”, ka thënë Gjata.
Duke u bazuar në përvojat e kaluara, Gjata është shprehur optimist se publiku italian do t’i mirëpresë filmat shqiptarë.

Në të kaluarën kemi pasur interesim të jashtëzakonshëm për kinematografinë shqiptare. Filmat janë pritur mirë dhe mendoj se ky prezantim kontribuon që të njihen Kosova dhe Shqipëria në Itali”, ka thënë ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here