Kur ishte i ri, Tom Hanks e kuptoi që donte të bëhej aktor, duke ndjekur leksionet në një universitet “low cost”. Kësaj here ka vendosur të kthehet, por duke e zgjedhur vetë profesoreshën, me emrin e Julia Roberts, në filmin e ri.

Një 50-vjeçar pushohet nga puna dhe regjistrohet në një universitet publik, ku si profesoreshë gjen Julia Roberts.

Kështu e tregon Tom Hanks subjektin e filmit të ri “Dashuri e papritur – Larry Crowne”, shkruar, drejtuar dhe interpretuar nga ai vetë. I njohur për inteligjencën e tij, por edhe për talentin si aktor, Tom Hanks është mishërimi i djaloshit të këndshëm, i njeriut të sjellshëm, të gatshëm dhe shumë të zgjuar.

Në film Hanks është Larry Crowne, një punëtor model në një magazinë, i cili pushohet papritur nga puna me akuzën e vetme se nuk është i diplomuar. Një baba i divorcuar dhe optimist i lindur, Crowne “përvesh” mëngët dhe vendos të rinisë studimet në një universitet të zakonshëm, gjysmë falas, ku takon një profesoreshë letërsie pothuajse gjithmonë e inatosur (Julia Roberts) dhe shumë shokë kursi simpatikë. Kjo përvojë do ta ndihmojë Larry-n për të “zbutur” profesoreshën e tij të preferuar.

I martuar prej 23 vjetësh me aktoren dhe producenten Rita Wilson (e cila interpreton një pjesë të vogël edhe në film), babai-aktor i katër fëmijëve, Hanks është gjithnjë në formë dhe humor të mirë. Ai është prej meshkujve më të rëndësishëm të Hollivudit. Përveçse aktron, ai është një regjisor dhe skenarist i suksesshëm. Pavarësisht kësaj, sillet si një njeri shumë i zakonshëm. Hanks tregon se për filmin “Dashuri e papritur – Larry Crowne” është frymëzuar nga universiteti që ai frekuentoi në rini.

Ambienti është i njëjtë. Pas shkollës së mesme nuk dija më ç’të bëja. Nuk kisha para për të paguar universitetin dhe as nota të mira për të fituar një bursë studimi. Po ashtu, nuk kisha as dëshirë të hyja në botën e punës aq i ri. Vendosa të regjistrohem në Chabot Junior College në Hayward, Kaliforni, ku paguaja vetëm 15 dollarë për semestër. Ishte viti 1977. Mes studentëve, kishte të rinj si puna ime, por edhe të tjerë me dyfishin e moshës sonë, shtëpiake, baballarë, emigrantë dhe veteranë të luftës në Vietnam. Të gjithë, me dëshirën e fillimit të një jete të re.

Ka qenë një periudhë që më ka hapur sytë”, tregon ai. Por aktori amerikan nuk kujton mirë faktin nëse në universitet kishte mësuese bukuroshe si Julia Roberts. “Më kujtohet vetëm zonja Fitzgerald, e cila jepte leksione për William Shakespeare. Nëse nuk do ta kisha ndjekur, nuk do ta kisha kuptuar kurrë teatrin. U bëra aktor, sepse ndoqa leksionet e saj”.

Hanks tregon se edhe në filmin e fundit, kërkon të transmetojë te spektatori një ndjenjë besimi. Gjithkush duhet të jetë optimist në jetë, ilaçi më i mirë për të përballuar sfidat me të cilat ndeshemi. Edhe në momentet më të vështira ia vlen të thuash: “Diçka e mirë do të ndodhë. Duhet të eci përpara dhe nuk duhet të dorëzohem. Kjo është motoja ime”. Për Hanks është hera e dytë që interpreton përkrah Julia Roberts, pas filmit “The war of Charlie Wilson”, në vitin 2007.

gjedhja për të luajtur sërish me të ishte e imja. Nuk kam menduar asnjë tjetër për rolin e profesoreshës Mercedes. Në sheshin e xhirimeve, jam protagonisti dhe më pëlqen të kem përpara një partnere me të cilën kam familjaritet. Roberts është e aftë të krijojë atë ekuilibrin magjik të nevojshëm për këto lloj historish. Nëse xhiron një film, ku personazhet argëtohen në atë që bëjnë, në fund, ka shumë mundësi që të dalë diçka e bukur.

Pavarësisht kësaj Julia Roberts është një mikeshë, por edhe një aktore fantastike dhe një grua me të cilën bëj gjithmonë shumë shaka”. Aktori tregon se nëse do t’i ofrohej një rol negativ në ndonjë film aksion, nuk do të pranonte. “Nuk më pëlqejnë ata lloj filmash. Përse duhet të bëj diçka që nuk më argëton”. Sa i përket pasioneve, Tom Hanks pranon se i pëlqen shumë hapësira dhe këtë e ka treguar edhe në filmin “Apollo 13”.

E kush nga ne nuk ka parë një natë qiellin e kthjellët e nuk ka pyetur veten se çfarë ka atje lart mes yjeve. Tani shpresoj të realizoj një film me subjekt nga seria e lodrave hapësinore ‘Major Matt Mason’, që kanë qenë pasioni im më i madh. Tani që jam rritur, e adhuroj Hënën. Më duket gjëja më romantike në brendësi të kozmosit”. Një tjetër pasion i madh është kujdesi për fëmijët. Hanks e përshkruan të qenit baba si gëzimin më të madh në jetë.

Katër fëmijët e mbushin me gëzim dhe kohën e lirë e kalon gjithmonë me ta. “Colin, djali im, është një aktor shumë i zoti. Vajza ime e dytë, Elizabeth, po përfundon së shkruari një roman. Ajo punon në një librari, pranë lagjes ku jetojmë. Mua më pëlqejnë shumë librat, jo ata elektronikët. Dua t’i blej, t’i lexoj dhe t’i ruaj për gjithë jetën në librarinë e shtëpisë sime”.

Në fund, sekreti i martesës së lumtur dhe të gjatë me Rita Wilson: “Jemi të dy artistë, që nuk i biem në qafë njëri-tjetrit. Pastaj nuk është sekret: gruaja ime më pëlqen shumë. Do të isha idiot të mos e mbaja pranë. E vërteta është se çdo martesë është e vështirë. Të gjesh njeriun e duhur me të cilin do martohesh e do kalosh jetën, është shumë e rëndësishme. Pas disa përpjekjesh të gabuara, unë e kam gjetur atë person dhe për këtë e cilësoj veten me fat”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here