Gazeta britanike ‘The Sun’ shkruan për rrugëtimin e artistes drejt suksesit.

“Ylli i muzikës pop, Dua Lipa ka botën në duart e saj, pasi që u bë artistja më e nominuar në “Brit Awards” për të dytin vit radhazi”, nis kështu artikulli i revistës prestigjioze, “The Sun” për këngëtaren shqiptare me famë botërore. 

Në këtë artikull flitet për 23 vjeçaren shqiptare se si arriti që me familjen e saj si refugjatë nga Kosova të marr famën botërore.

Dua Lipa është artistja e parë shqiptare me famë botërore që rrëmbeu dy çmime “Grammy” dhe i është dhënë epiteti si artistja që shiti më së shumti muzikë përgjatë vitit 2018 si dhe më 15 shkurt u bë me figurë prej dylli në “Madame Tuassaud” të Londrës.

Por, para se të arrinte këto suksese, Dua kishte jetuar me familjen në një apartament të vogël në Londër.

Revista “The Sun”, ka takuar disa nga familjarët, miqtë dhe fqinjët e bukuroshes shqiptare për të treguar rrugëtimin e Duas nga vajza e refugjatëve nga Kosova deri te fama. Shoqja e saj më e afërt, Zana Veseli ka thënë që Duan e ka njohur që nga fëmijëria dhe në bazë të kësaj edhe pse tashmë është e famshme ajo nuk ka ndryshuar aspak. “ 

“Dua ka qenë kështu gjithmonë. Në të gjithë jetën e saj ka ëndërruar të jetë një yll i muzikës pop. Ta shohësh atë duke rrëmbyer çmime është e mrekullueshme”, është shprehur Zana. 

Fqinja 55-vjeçare, Ana Antunes, ka treguar se e kishte parë Duan duke u kthyer në banesën tredhomëshe pas ndejave të ndryshme.

“The Sun” vazhdon artikullin duke treguar për largimin e familjes së Duas nga Kosova në vitin 1992, si pasojë e shtypjes së popullatës shqiptare nga regjimi serb, si edhe për gjyshin e saj, Seit Lipa (që ka vdekur në vitin 1999), i cili ka qenë kreu i Institutit të Historisë, refuzimin e tij për t’i rishkruar librat e historisë dhe largimin nga puna.

“Ishte një periudhë shumë e frikshme. I mbyllën të gjitha shkollat dhe mediat. Secili akademik ishte shënjestër. Njerëzit zhdukeshin. Familja ishte në rrezik. Ata duhej të iknin”, citohet të ketë thënë kompozitori dhe miku i familjes, Florent Boshnjaku. 

Kur Dua ishte 11 vjeçe (në vitin 2006) dhe lufta në Kosovë kishte kohë që kishte mbaruar, familja e saj u kthye në shtëpi. Mirëpo, katër vite më pas, këngëtarja u kthye në Londër për të jetuar me një shoqe. Krahas shkollës së mesme, në fundjavë ajo shkonte në një shkollë teatri.

“Akoma më kujtohet kur më tha se do të kthehej në Londër. Më tha se donte të shkojë në shkollë dhe të punonte si modele. Nuk besoja se mund të qëndronte më shumë se një muaj, ishte akoma një vajzë e vogël…”, ka treguar shoqja e saj, Zana. 

Por, Dua ishte e përkushtuar, e talentuar dhe fokus kryesor e kishte muzikën. “Kur shkonim për pushime në Mal të Zi, këndonim me furçat e flokëve. Këndonte aq shumë, saqë më duhej t’i kërkoja të ndalej”, ka shtuar më tej shoqja e saj. 

Familja e Duas u kthye në Londër në vitin 2012 dhe ajo u vendos me ta në banesën në West Hampstead, e cila ishte shtëpia e tyre deri në mars të vitit të kaluar. Ajo dhe familja e saj tash kanë një shtëpi luksoze në Kilburn të Londrës Veriore. 

Ishte viti 2015 kur një producent e kishte dëgjuar në YouTube versionin e Duas të këngës “Cocoa Butter Kisses” nga Chance The Rapper dhe më pas ajo nënshkroi për “Warner Music Group”. Dy vite më pas u lansua albumi i saj i parë (“Dua Lipa”) dhe u përfshi në shumë top-lista me këngët e suksesshme, si: “Be The One” dhe “New Rules” që u rendit e para. 

Në vitin e kaluar, ajo rrëmbeu çmimet si: “Artistja britanike më e mirë solo” dhe “Zbulimi i vitit”, në Brit Awards. 

Hitet e më të vonshme, “One Kiss” me Calvin Harris dhe “IDGAF”, janë nominuar për “Këngën më të mirë britanike” dhe “Videon më të mirë” për ceremoninë e “Brit Awards” që mbahet të mërkurën ( më 20 shkurt). 

Në vitin 2017, ajo kishte përfituar dy milionë funte (2.3 milionë euro), për dallim nga viti 2015 kur kishte përfituar vetëm 11.000 funte (12.570 euro). Këngët që po shndërrohen në hite, dukja e zjarrtë dhe pamja emblemë prej një zeshkaneje, i kanë ndihmuar që krijojë një bazë të fuqishme të fansave, ndërkohë që është në lidhje me modelin dhe shefin e kuzhinës, 32-vjeçarin, Isaac Carew.

“Jam shumë krenare për gjithçka që ka arritur pa ndryshuar aspak. Ndihem krenare që e quaj shoqja ime më e mirë”, ka deklaruar Zana.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here