Një ditë pasi Melinda Ademi kishte lënë pa fjalë amerikanët me zërin dhe historinë e saj familjare, ajo u bë femra më e re e një shtëpie diskografike në ShBA. Me nënshkrimin e kontratës, vajzës 17-vjeçare i ishin ndaluar edhe intervistat. Kësisoj, ajo kishe shkuar në rundin e dytë të “American Idol” me një kontratë në xhep. Fatin e njëjtë e ka pasur edhe kosovarja tjetër nga Peja, Vanesa Krasniqi, që u zbulua në “German Got Talent.

Ajo tashmë është duke realizuar albumin e saj të parë në një studio në Gjermani. Një tjetër shqiptar nga Presheva, Fatlum Musliji, i njohur me vallëzimin robotik në finalen e “Grössten Schweizer Talente”, i mbajtur dy javë më parë, ka siguruar një kontratë. E të premten e kaluar kosovari tjetër Ardian Bujupi ka hyrë në pesën e finalistëve në “Superstar” në Gjermani. Mbi 20 kompani diskografike janë të interesuara për të.

Për të gjithë këta, vendi i origjinës së tyre mbetet vetëm i tillë dhe jo një vend ku ata do të mund të ndërtonin një ëndërr. Arsyen e kësaj e dinë mirë producentët kosovarë, sipas të cilëve Kosova nuk ofron asgjë për ta. Kësisoj, këta talentë shqiptarë mund t’i shohim vetëm në televizor ose në ndonjë koncert në vendin tonë, që sipas producentëve kosovarë është zor të ndodhë.

Karrierë sa më larg vendlindjes

Përpos zërit, Melinda Ademi në historinë e saj në “American Idol”- kishte rrëfyer për gjithë sakrificën e familjes së saj për të dalë nga Kosova. Vetë do ta zbulonte se Kosova është vetëm vendlindja e saj dhe jo një vend ku do të mund të bënte karrierë.
“Dua ta falënderoj familjen time që janë këtu në Amerikë dhe me këtë më është dhënë mundësia që të jetoj këtu. Po të isha në Kosovë nuk do të kisha ndonjë mundësi që të zhvilloja talentin dhe t’i hyja rrugës së muzikës”, kishte thënë Ademi.
Disa javë më vonë ajo as nuk do të mund të jepte intervistë për ndonjë media nga Kosova.
“Jam pjesë e një shtëpie diskografike dhe ata më kanë thënë që nuk guxoj të flas për asnjë media”, ka thënë Ademi, duke iu përgjigjur kërkesës së gazetës për një prononcim.
Me kontratë dhe me shumë angazhime në Zvicër është edhe talenti tjetër që përfundoi në dhjetëshen e parë të showt, që zbulon talente në Zvicër, Fatlum Musliji.
“Me gjithë dëshirë do të flisja për një gazetë nga Prishtina, por unë thjesht jam i zënë këto kohët e fundit dhe e kam të pamundur”, ka thënë ai.
Ndërsa në pyetjen e gazetës, që nëse ai mendon që të kthehet në Kosovë për të vazhduar karrierën, ai përgjigjet shkurt.
“Kjo që po përjetoj këtu është një ëndërr të cilën as në Preshevë, vendi ku kam lindur, e as në Kosovë nuk mund ta ndiej e realizoj”, ka thënë Musliji.
Talenti tjetër i zbuluar këtë javë në Gjermani, e që para dy ditësh hyri në pesëshen e finalistëve në “Deutschland Sucht den Superstar”, Ardian Bujupi, ka thënë se nuk guxon të flasë për media pa përfunduar show.
“Ky është rregulli. Por mund të them se ka shumë kompani të interesuara për mua”, ka thënë Bujupi. Siç raporton televizioni RTL, për Bujupin janë të interesuara mbi 25 shtëpi diskografike jashtë Gjermanisë, përpos atyre vendore.
Në pozicion të njëjtë është edhe Vanesa Krasniqi, e zbuluar dy vite më parë në po të njëjtin show.
“Duhet të kontaktoni me kompaninë që më menaxhojnë”, ka thënë Krasniqi. Siç raportojnë mediat në këtë shtet, Krasniqi është duke u bërë gati që të dalë me një këngë të re në tregun gjerman.

Kthimi i talentëve në Kosovë – mision i pamundur

Pikërisht Vanesa Krasniqi ka qenë në shënjestër të një producenti kosovar. Por ai ishte kthyer duarthatë nga vizita e para një viti në Gjermani.
Genc Prelvukaj, producent i “GR Entertaiment”, ka një përvojë të keqe në tentimin e tij për të sjellë Krasniqin në Prishtinë.
“Ne shkuam për të folur me të, mirëpo ajo vetëm kishte lidhur kontratë me një shtëpi diskografike. Prandaj ne nuk mund as të diskutonim për këtë gjë me Vanesën”, ka thënë Prelvukaj. Sipas tij, sjellja e këtyre talentëve në Kosovë është e pamundur, sepse kompanitë jashtë veprojnë brenda orëve për të marrë përsipër talentë të rinj. Kësisoj, producenti kosovar ka mbetur jashtë loje.

“Producentët ndërkombëtarë ofrojnë kontrata me miliona, përderisa gjendja financiare në Kosovë nuk është e atij formati”, ka thënë ai.
Kompozitori Florent Boshnjaku nuk fajëson talentët e shumtë shqiptarë për refuzimin që i bëjnë Kosovës.

“Ajo çka ky vend u ofron atyre është një ligj që nuk i mbron dhe një treg që vepron në anarki. Nuk kanë ndonjë arsye të vijnë këtu”, ka thënë Boshnjaku.
Sipas tij, secili producent që punon në Kosovë e ka të zorshme që të investojë në njerëz të rinj, sepse nuk ka ligj që e mbron punën e tyre.
“Këtu nuk funksion kontrata e në skenën ndërkombëtare nëse një këngëtar nënshkruan një kontratë, kompania merr përsipër të gjitha detajet për atë këngëtar. Pra, një kompani merret me gjithçka dhe artisti nuk ka asgjë në dorë”, ka theksuar Boshnjaku.
E Genc Prelvukaj ka folur edhe si zyrtar në Ministrinë e Kulturës. Sipas tij MKRS-ja vetëm do të mund të përkrahte ndonjë iniciativë private.
“Kjo është punë private e dikujt, pra biznes, dhe roli i Ministrisë së Kulturës është të mbështesë nëse dikush ka një projekt serioz”, ka thënë Prelvukaj në cilësinë e këshilltarit për rini të ministrit të Kulturës. Ky i fundit me të ardhur në krye të institucionit më të lartë kulturor në vend kishte premtuar se rregullimi dhe funksionimi i ligjeve do të jetë njëri prej prioriteteve të tij. Por kjo deri më tani ka mbetur vetëm premtim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here