Stresi: Jam ndarë me Enxhin, kishim divergjencaKa qenë një ndër çiftet më të përforlura në gazeta dhe revista. Kjo për arsye se që të dy ishin të njohur në publik, por edhe për faktin tjetër se rrugëtimi i tyre ka qenë mjaft i zhurmshëm dhe nuk ka lënë indiferent pothuajse askënd.

Ajo, e gjatë, seksi dhe me gjuhën brisk, u zgjodh nga autorët e “Big Brother” për t’i dhënë atij formati pjesën e intrigës që aq shumë të bën për vete dhe kaq mjaftoi që Enxhi Kamenica të bëhej e famshme vetëm për dy javë, ndërkohë që për shumë vite si modele nuk njihej aq shumë. 

Ai, djali problematik i muzikës rep, që më shumë se këngë, prodhon lajme të bujshme, nga ato që as të shkon mendja se mund të ndodhin. Por, ama se mund të krijonin çift Stresi me Enxhin me ata përbërës karakteri aq shpërthyes, pak mund ta merrnin me mend. Megjithatë, në intervista të ndryshme, ata tregonin se ndihen mirë në krahët e njëri-tjetrit dhe se natyrat rebele të secilit ia moderonte dhe ia zbuste dashuria. Mirëpo, ja ku erdhi momenti që të gjithë skeptikët e kësaj lidhjeje të fitojnë bastin. Stresi dhe Enxhi janë ndarë. Këtë gjë na e konfirmon me gojën e tij Stresi, i cili momentalisht ndodhet në Itali. Pasi e mësuam lajmin, pritëm konfirmim prej tij dhe ai na e dha shkurt dhe prerë: “Po, nuk jam më me Enxhin, jemi ndarë përfundimisht”.

Ndërkohë, i pyetur për arsyet e ndarjes, ai nuk dëshiron të bëjë komente, duke u mjaftuar me justifikimin se kishin divergjenca në çift. Nga miq të afërt të çiftit mësojmë se mes Stresit dhe Enxhit konflikti më i freskët erdhi sepse Stresi mbasi vendosi të spostojë Ronela Hajatin nga dueti tek kënga “Lamtumirë”, mendoi që në vend të saj të ishte Enxhi. Madje, edhe ne e publikuam këtë opsion të ri të duetit dhe çifti dukej entuziast për këtë fat. Më pas, me sa duket Stresit i kishte ndërruar mendja dhe pohoi se për duet kishte zgjedhur një vajzë tjetër, por nuk dëshironte ta bënte publik emrin, deri kur të mbaronte klipi.

Me siguri fati i Enxhit në klip varej nga amplituda e humorit në çift, e cila kishte ulje-ngritjet e veta. Sot, Stresi pohon ndarjen dhe i thotë asaj “Lamtumirë”, si titulli i këngës të cilën ajo nuk do të mund ta këndojë me të. Ndërkohë, ne presim të mësojmë nga goja e të dyve më shumë detaje rreth arsyeve të kësaj ndarjeje.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here