Pas performancës që pati natën e parë të Festivalit Europian të Këngës, Eurovizion, këngëtarja nga Kosova, Rona Nishliu arriti të kualifikohet në natën finale të këtij spektakli, që po zhvillohet në Baku të Azerjbaxhanit.

Kënga “Suus” u rendit e dhjeta, duke fituar kështu të drejtën e pjesëmarrjes në natën finale të 26 majit, ku Rona do të këndojë e treta.

Por jashtë vëmendjes sonë nuk mund të ngelej as veshja dhe as luku i këngëtares kosovare. E njohur për një pamje të veçantë dhe unike në llojin e saj, Nishliu kishte veshur një fustan shumë elegant me jakë të lartë dhe një pelerinë blu mbi pantallonat e zeza lëkure. Ndërsa në qafë kishte përdredhur një tufë

Për paraqitjen e saj skenike është kujdesur në veçanti, stilistja kosovare, Flutura Dedinja, e cila prej një viti ka hapur në tregun e modës kosovare linjën e saj të veshjeve. Ndërsa flokët dhe make-up-in Rona i’a ka besuar Arbër Bytyqit. Por si e ka ardhur luku i Ronës në sytë e stilistëve shqiptar?! Sa e veçantë ka qenë ajo?! Emra të njohur të fushës së modës në Shqipëri si, Anila Zajmi, Rezarta Skifteri, Ardi Asllani, etj, japin opinionet e tyre për Shqiptarja.com. Sipas tyre, veshja e këngëtares i përshtatet shumë stilit dhe karakterit të saj dhe kjo ishte zgjedhja më e mirë që Rona mund të bënte.

Joni Peçi :

Nuk e kam ndjekur performancën e Ronës, pasi dje ishte ditë zie dhe nuk u dha ky event. Pa e parë nuk mund të jap një opinion të saktë dhe korrekt për të.

Anila Zajmi :

Nuk e kam ndjekur performancën e Ronës nga televizori, por kam parë disa imazhe të saj në rrjetin social Facebook. Rona Nishliu është një artiste e kompletuar, me shumë personalitet dhe këtë gjë e reflekton më së miri edhe në mënyrën e prezantimit të saj në këtë event të rëndësishëm, siç është Eurovizioni. Ajo transmeton shpirtin shqiptar edhe në mënyrën e të veshurit dhe kam bindjen, që i ka konceptuar gjërat në mënyrën dhe në stilin, që asaj i përshtatet. Fustani i saj është një miksazh i veshjesh dhe do të thoja, se nuk është një veshje e thjeshtë dhe e zakonshme. Ajo është simbolike ose është një lloj avanguarde që mund ta quaja unike, pra është një lloj veshje që ne nuk e shohim në jetën e përditshme. Sepse edhe natyra e zërit të saj është ndryshe. Nuk e njoh stilisten që e ka dizenjuar veshjen e Ronës, por di të them që prezantimi që ajo bëri në Erurozivion, ishte një paraqitje shumë dinjitoze.

Rezarta Skifteri :

Luku i Ronës ishte shumë mirë. Mund të them se pjesa e sipërme e veshjes, e cila ishte asimetrike mu duk shumë perfekt edhe pse më duhet të pranojë, që nuk e kam ndjekur të plotë performancën e saj. Pjesa e sipërme e veshjes më tërhoqi jashtëmase, por më duhet ta dëgjoj këngën të plotë që të jap një mendim më të sofistikuar, sepse kënga duhet të përshtatet shumë me veshjen. Jam pak skeptike për pjesën e shifonit ( pjesa e mbuluar nga pelerina blu), ndërsa pjesa që varej ishte perfekte. Stilistja që ka marr përsipër dizenjimin e kësaj veshjeje, është e re në fushën e modelimit, por mendoj që është mjaft e talentuar. Nuk e di sesi ka ardhur tek publiku kjo veshje, pasi njerëzit janë më të prirur drejt veshjeve klasike, por mua mu duk shumë interesante dhe është një veshje që i përshtatet shumë Rona Nishliut. Nëse ajo do të vinte me një veshje klasike, mendoj se nuk do të ishte zgjedhja e duhur për të.

Ardi Asllani :

Unë nuk dua të ndalem te veshja e Ronës. Për mua performanca e saj ishte e jashtëzakonshme dhe shumë potente. Megjithatë mund të them që veshja mu duk konceptuale, dhe që i përshtatet mësë miri stilit dhe lukut të Ronës. Ndonëse Ronën e kemi parë edhe herë të tjera me atë stil, tek unë ajo përcolli emocion dhe mu duk mjaft interesante.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here