Radio Televizioni Shqiptar organizon për herë të parë Festivalin e Këngës Popullore Shqiptare që rikthen për publikun jo vetëm këngët më të mira ndër vite, por edhe krijime të reja Gjatë konferencës së sotme për shtyp, zv.drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka, tha se edicioni i parë organizohet në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe do të jetë fillimi i një tradite që hap një faqe të re në këngët popullore shqiptare.

“Ky 100-tor është një ogur i mirë për një sukses të padiskutueshëm”, – tha Leka. Mbrëmjen e datës 4 dhe 5 tetor, Bujar Qamili, Frederik Ndoci, Artiola Toska, Valbona Mema, Eli Fara, Kastriot Tusha, Shkëlzen Jetishi, Poni, Selami Kolonja dhe Lirije Rasha do të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për të interpretuar këngët popullore, sipas zonave nga ata vijnë.

Drejtor artistik i festivalit është Edmond Zhulali, i cili tha se këtë festival e kanë konceptuar më shumë si një show të muzikës popullore shqiptare.

“Do të jenë 10 këngë që janë këngë popullore të pastra të trevave nga vinë vetë këngëtarët dhe 10 këngë të reja që do të jenë një kontribut në gjithë krijimtarinë e madhe popullore që ka populli”, – tha Zhulali. Festivali i Këngës Popullore do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, e cila, sipas drejtuesve, i jep ngjyrim tjetër këngës popullore shqiptare.

Dirigjent i festivalit do të jetë Jetmir Barbullushi, ndërsa regjisor Osman Mula, i cili tha se ka zgjedhur pikërisht sallën e teatrit të Operës për të qenë sa më afër komunikimit me spektatorin, pasi kjo e bën edhe më të ngrohtë. Ai tha gjithashtu gjatë konferencës për mediat se Festivali i Këngës Popullore ka tre risi që lidhen me këngët, tingullin e tyre dhe orkestrimin.

Publiku do të ketë mundësinë që për dy net të shijojë muzikën më të mirë popullore shqiptare, e cila do të shoqërohet me projeksionin e videove të vendeve nga është origjina e muzikës. Koha Jone

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here