Skenografia kishte marrë formë. Projektori në të cilin shfaqej videoja promovuese e Videofestit Muzikor ishte “zaptuar” nga zemra të kuqe.

Organizatorët këtë vit janë përkujdesur që të përçojnë mesazhin e dashurisë përmes programit artistik të këtij evenimenti. Projektori i vendosur prapa foltores ishte paralajmëruesi i parë i asaj që po ndodhte.

Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës të dielën pasdite ishte shndërruar në arenë të “armatës” që bënte provën e fundit për ceremoninë e vetme në Kosovë, e cila bashkon dhe shpërblen yjet.

Edicioni i nëntë i Videofestit Muzikor mbahet sonte (e hënë).
Njëzet e katër orë para natës së madhe, gjithsecili ishte aty për të kryer detyrën e vet. Dikush lexonte skenarin e dikush bëhej gati për të performuar. Ethet para mbrëmjes së madhe ishin pika ku takoheshin të gjithë.

Gjithçka dukej se ishte “hazër” në vendin ku do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve për videoklipet më të mira të realizuar në Kosovë dhe një programi të larmishëm artistik. Janë 30 videoklipe që do të garojnë për 14 kategori.

Veterani i rockut në Kosovë, Haki Misini, do të nderohet post mortem me çmimin e karrierës. Ndërkaq për herë të parë do të ndahet çmimi për videoklipin më të klikuar në You Tube dhe çmim që do të ndajë vetë organizatori. Çdo gjë do të transmetohet live në Kohavision.

Udhëheqja e edicionit të nëntë të Videofestit Muzikor i është besuar këngëtarëve Yllka Kuqi e Mentor Haziri, përderisa këngëtarë të njohur nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia do të jenë pjesë e programit.
Derisa përkujdesej të mos lëshonte ndonjë detaj nga prova e përgjithshme, Linda Shala, njëra nga organizatorët e Videofestit Muzikor, ende pa u mbajtur ceremonia ishte e emocionuar.

Mendoj se sivjet kemi pasur më shumë kohë dhe më shumë fat me përkrahje të mjaftueshme dhe kemi një program jashtëzakonisht të pasur i cili i dedikohet dashurisë”, ka thënë Shala, derisa ka zbërthyer arsyen pse është përzgjedhur kjo temë.

Si organizatorë, mendojmë se ky Videofest të çojë mesazh të përgjithshëm sa shumë kemi nevojë për dashuri”, ka thënë Shala.
Ajo ka konfirmuar se pikat artistike janë realizuar enkas për këtë mbrëmje dhe i gjithë programi është koncentruar të frymojë dashuri.

Derisa ka folur për programin, Shala nuk ka hezituar të zbulojë disa nga emrat që do të ngjiten për të performuar në skenën e VFM-së. “Na gëzon fakti që kemi mysafire dy këngëtare të njohura nga Shqipëria, si Rovena Dilo dhe Eneida Tarifa, por edhe prezenca e tenorit kosovar Ramë Lahaj, i cili po bën kërdi në metrolopet evropiane…”, ka thënë ajo.

Pikë e veçantë e mbrëmjes, sipas Shalës, do të jetë performanca e valltarit Ahmet Fikri nga Egjipti, i cili do të prezantojë një vallëzim specifik që quhet tanura.

Në këtë mënyrë Videofesti shpall mbështetje për pranverën arabe dhe luftën e popullit arab për liri dhe demokraci”, ka thënë ajo, duke shtuar se madhështisë së mbrëmjes do t’i kontribuojë edhe prezenca e drejtorit të fondacionit “MTV Europe” dhe producentit Ashley Cowen.

Duke thënë se pikë e rëndësishme e programit janë edhe njerëzit që ngjiten në skenë për të ndarë çmimet, Shala ka siguruar që publikut në sallë dhe atij pranë ekranit të Kohavisionit do t’i servohet program interesant që do të zgjasë më shumë se dy orë.

Parakalimi nëpër tepihun e kuq nis në orën 19:45 dhe zgjat deri në orën 20:30 e më pas do të fillojë programi brenda në sallë. Besoj se do të jetë mbrëmje e këndshme si për ata në sallë edhe për ata që janë pranë ekraneve televizive”, ka thënë Shala.
Ndërkohë, Florent Boshnjaku, drejtor artistik i Videofestit Muzikor, ka thënë se përgatitjet për spektaklin kanë shkuar si duhet.

Jemi duke punuar për detajet e fundit, sidomos në skenografi dhe ndriçim”, ka thënë Boshnjaku, i cili është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin që ka pasur me këngëtarët të cilët i kanë thënë “po” ftesës për t’u bërë pjesë e këtij evenimenti.

Jam mjaft i kënaqur pasi vetë prezenca e tyre do ta zbukurojë mbrëmjen”, ka thënë Boshnjaku.
“Dua të iki larg” i Rrezarta Shkurtës me Vedat Ademin, “Rrugëve” i Genc Salihut, “Perfekt” i Argjentina Ramosaj dhe “Mamani nejën” i Elvana Gjatës me Fuggan, është katërshja e videoklipeve që do të garojë për çmimin kryesor të evenimentit të vetëm që shpërblen videoklipet në Kosovë.

Ngushtimin e listës nga 130 videoklipe e ka bërë Bordi i VFM-së në bashkëpunim me Kohavisionin, përderisa nominimet dhe shpallja e fituesve këtë vit i janë besuar produksionit “US3 Production” nga Londra.
Videofesti Muzikor organizohet nga instituti për kulturë dhe sport INKUS në bashkëpunim me Kohavisionin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here