Tre pianistë ndërkombëtarë bashkë me instrumentistë vendorë do të jenë “protagonistë” që do të ngjiten në skenën e edicionit të dytë të festivalit “Chopin Piano Fest Prishtina”, për nder të 200-vjetorit të lindjes së pianistit hungarez Franc Liszt.

Festivali, i cili do të nisë sonte (e martë), organizohet nga asociacioni kosovar “Frederich Chopin”.

Maratona e shtatë mbrëmjeve koncertale do të nisë me koncertin e pianistit gjerman, Herbert Koch. Filarmonisë – Opera e Kosovës, bashkë me pianisten argjentinase Martha Noguera, do t’i takojë ta përmbyllin atë. Ndërkaq pianisti austriak Gotlib Wallisch, është mysafiri i tretë që do të sjellë “Chopin…”.
Besa Luzha, menaxhere e “Chopin Piano Fest Prishtina”, ka thënë se festivali tashmë ka marrë karakter tradicional. Ajo ka identifikuar veçantinë e tij në krahasim me festivalet tjera që realizohen në Kosovë.

Dallohet, sepse i dedikohet më shumë pianos. Për instrumentistët tjerë është më e lehtë, por pianistët kanë më pak rast për të interpretuar dhe ky festival u krijon më shumë hapësirë atyre”, ka thënë Luzha.Ajo ka shtuar se “Chopin…” ofron hapësirë edhe për instrumentistë tjerë, krahas pianistëve. Për të mos tingëlluar monoton, festivali zakonisht ka edhe instrumentistë tjerë”, ka thënë ajo.

Duke folur për programin e edicionit të sivjetmë të këtij festivali, Luzha ka thënë se pjesa më e madhe përfshin muzikantë shqiptarë. “Kësaj here më shumë ka muzikantë vendorë. E veçantë e programit është pjesëmarrja e pianistes argjentinase Martha Noguera, e cila është e vetmja në botë që ka interpretuar gjithë opusin e Chopinit”, ka thënë Luzha.

Sipas saj, mbrëmje tjetër e veçantë koncertale është “Podiumi i artistëve të rinj”. Ky koncert do t’i kushtohet më shumë 200-vjetorit të kompozitorit Franc Liszt dhe do të interpretohen disa vepra të tij nga muzikantë të rinj”, ka thënë ajo.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here