Sonila Meço cfare e bashkon me Monika StafenDikur i bashkonte puna e përbashkët në të njëjtin televizion, në Top-Channel, i bashkonte lajmi, por herë pas here edhe look-u që ende nuk e dimë se cila “ia vidhte” tjetrës, por jo rrallë ato ishin thuajse të padallueshme nga njëra-tjetra, siç mund ta shihni edhe në këto foto.

Sonila Meço, e rikthyer aty ku e nisi, në televizionin Klan, gjatë këtyre viteve ka pësuar shumë ndryshime, për sa i përket jetës së saj profesionale, por edhe prioriteteve në jetën personale.

Nuk shquhet për “besnikëri” shumë afatgjatë, po të kemi parasysh faktin që të paktën prej Top-Channel, lëvizi për thuajse 2 vjet në Vizion Plus, e pas kësaj eksperience përsëri në ekranin e TV Klan.

Po kështu, Sonila nuk ka treguar të njëjtën lloj besnikërie ndaj lajmit, pavarësisht se e gjitha kjo mund të mos përkthehet vetëm për të mos qenit besnike, por edhe për ambicien për t’u rritur sa më shumë profesionalisht.

Sonila Meço, përveç edicionit të lajmeve, ka tentuar të bëjë për vete audiencën mashkullore, duke drejtuar për një kohë të gjatë emisionin sportiv në Top-Channel e po në të njëjtin ekran provoi edhe spektaklin, në drejtimin e spektaklit veror “Shtojzovallet”, dikur një traditë e shkurtër për përzgjedhjen e velinave të reja të emisionit investigativ “Fiks Fare”. Gjatë përvojës në Vizion Plus, provoi formatin politik, social (më shumë politik) “Logos”, ku këtë radhë donte të tregonte që nuk ishte vetëm spikerja zyshë e Fakultetit Ekonomik që i mbante mend mirë lajmet që transmetonte, por ishte po kaq e zonja edhe për t’i analizuar ato. Ndërkohë, në përvojën e fundit në TV Klan, krahas lajmeve që, me sa duket, janë prioritet për të, sepse sado gjëra të bëjë, prej tyre nuk heq dorë, e kemi parë të angazhuar në spektaklin e Gjebresë “E diela shqiptare”. Për ithtarët e lajmit, figura e Sonilës me këto devijime ka krijuar një lloj destabiliteti, por kjo s’mund të thuhet për atë vetë, sepse tendenca për t’u përshtatur nuk i mungon.

Look-u i Sonilës ka qenë gjithashtu njëri nga elementët që jo rrallë është diskutuar në shtypin rozë apo në forume të ndryshme të lira në internet. Po kështu janë komentuar edhe ndërhyrjet e saj të kirurgjisë estetike në pjesën e buzëve apo të mollëzave (në fakt, asnjë s’e di se sa e çfarë ka bërë tamam-tamam, se neve na pëlqen të hamë bukën tonë e të bëjmë llogarinë e të tjerëve), që sido që të jetë, i pëlqen dikujt apo një tjetri jo, kjo as nuk i shton e as i heq pikë Sonilës si një ikonë e padiskutueshme e ekraneve tona.

Ka deklaruar prej kohësh historinë e saj të dashurisë me Drinin, i cili edhe pse nuk ka zgjedhur të jetë ai publik, por Sonila, nuk u ka shpëtuar dot syve kureshtarë të gazetarëve, fotografëve e më pas edhe publikut.

Ndërsa flet për Monika Stafën, emri dhe portreti i saj lidhet ngushtësisht me përcjelljen e lajmit nga studiot e Top-Channel. Ndryshe nga Sonila, me sa duket Monika nuk e ka parë kurrë të arsyeshme të provojë se ç’mund të ndodhte me të nëse një ditë do të vendoste ta linte Top-in; do t’i dilte më mirë, diku tjetër do ta trajtonin akoma më mirë apo do t’i humbiste të gjitha, edhe këto që kishte fituar e kishte krijuar deri tani në ndërtimin e figurës së saj televizive. Ashtu siç Sonila ka provuar formate të ndryshme televizive, edhe Monika nuk i ka qëndruar besnike vetëm poltronit në studion e lajmeve, por ka eksperimentuar në një tjetër gjini, e cila edhe pse nuk është lajm, është më pranë gjinisë së tij. Monika Stafa ka realizuar me dhjetëra reportazhe e dokumentarë historikë (nisur kjo edhe nga pasioni i saj për historinë, por edhe studimet e kryera në këtë fushë), ndër të cilat mund të përmendim “Nëse të gjithë do të silleshin si shqiptarët”, i cili i kushtohet mbijetesës dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, pjesë e një kërkimi pasuniversitar disavjeçar të gazetares dhe studiueses, i cili është shfaqur edhe në Muzeun Kombëtar. Ndër të tjera mund të përmendim “Shasi, qyteti që u fsheh nga sllavët”, i cili është promovuar edhe në Ulqin, në kuadër të disa aktiviteteve kulturore etj. Gjithashtu Monika Stafa është aktive në publikimin e artikujve të ndryshëm në gazetat e përditshme, kryesisht ato me përmbajtje faktesh historike, të cilat nuk janë vetëm refleksione të saj mbi fakte, por edhe të reja në dispozicion të konsumatorëve të shtypit.

Shumë e rezervuar në daljet e saj në jetën publike, Monika Stafa është gjithashtu bashkëshorte, kryefamiljare dhe nënë e një djali, të cilit shpesh është shprehur se duke dashur të jetë një nënë e suksesshme e jo vetëm karrieriste, është munduar t’i mësojë të birit më të mirat që ajo ka mësuar gjatë jetës së saj.

Nëse i referohemi look-ut të saj, vëmë re se edhe ai ka pësuar ndryshime që nga daljet e saj të para, por nuk është komentuar për heqje apo vënie shtesash në trup a portret.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here