Ka vendosur të flasë! Soni Malaj do ta thyejë heshtjen…Prej muajsh mediat, përfshirë këtu edhe ne, kanë kërkuar me insistim që ajo të tregojë jetën e saj të re, megjithatë deri para një jave kishte vendosur që emocionet e saj t’i ruante për vete.

Pas një insistimi të gjatë, ajo pranoi. Pranoi të rrëfente për herë të parë në “Bluetooth” gjithë magjinë që i ka dhuruar vajza e saj e parë, Anna. Edhe pse u bë kohë që jeton larg Shqipërisë, kurioziteti për të është i madh dhe dashamirësia e publikut vazhdon të jetë në të njëjtat doza, ndoshta edhe më e fortë, duke shtuar këtu edhe mallin.

Kjo, sepse Soni Malaj është rritur në sytë e publikut shqiptar dhe për këtë të gjithë e kanë dashur dhe e duan fort. Por tani duhet ta harrojmë Sonin e vogël dhe lozonjare. Ajo sot është zonjë shtëpie, nënë e përkushtuar, e megjithatë vazhdon të mbetet një femër shumë e bukur. Shumë shpejt do të rikthehet në skenë, me një tur koncertesh në Evropë, së bashku me mikun e saj të mirë, Sinan Hoxha. Çfarë na ka rrëfyer tjetër sot?! Sfidat e para si nënë, të cilat i është dashur t’i përballojë e vetme, marrëdhënia me Mirkon dhe babain e tij, dasma që pritet të bëhet dhe shumë e shumë detaje të tjera…
Soni, si po kaloni?
Mirë, faleminderit.
Me çfarë po merreshit përpara se të uleshit për të më shkruar mua?
Sapo bëra një dush, se isha në palestër.
Si po i kapërceni sfidat e para si nënë e re?
E mendoja shumë më të vështirë, por për fatin tim të mirë Anna është fëmijë i mbarë dhe ta lehtëson shumë të qenurit nënë.
Ju lë pa gjumë Anna?
Absolutisht jo, madje shpeshherë duhet ne ta çojmë nga gjumi, se është shumë gjumashe.
Është qaramane?
Qan aq sa duhet, as më shumë as më pak. Anna qante javët e para se i dhimbte barku, por me ndihmën e mjekëve këtu mësuam disa metoda se si mund t’ia lehtësonim dhimbjet. Tani nuk ka më probleme të tilla dhe ajo bën zë, se s’mund të them që qan, vetëm kur do të hajë.
A kujdeset Mirko për të, ju ndihmon ta lani?
Mirko kujdeset jashtë mase për Annën dhe larjen e bëjmë bashkarisht, se është një nga momentet më të këndshme për Annën. Kur është në ujë ajo gëzon, lëviz këmbët dhe duart, ndihet shumë mirë dhe ne ia përcjellim asaj si një lojë, por edhe si relaks.
Si i keni ndarë punët tani në shtëpi? Kush gatuan, kush i bën punët?
Ne gjithmonë gjërat i bëjmë të dy. Duke qenë se nuk i kemi familjarët këtu, jemi mësuar që çdo gjëje t’ia dalim mbanë me ndihmën e njëri-tjetrit. Kur njëri nga ne është i zënë me punë, gjërat i bën tjetri dhe anasjelltas.
A ju mungon mami? Zakonisht vajzat kanë nevojë për këshillat e nënave kur lindin.
Unë me mamin kam qenë dhe jam shumë e lidhur. Në fillim mendoja se si do ia dilja vetë mbanë, ndoshta duhej ta thërrisja të vinte këtu. Por pastaj thashë pse? Unë duhet të marr përgjegjësitë e mia si nënë e t’ia dal mbanë vetë dhe ashtu bëra. Tani e them me plot gojën, që ia kam arritur qëllimit.
Sa kilogramë keni humbur pas lindjes?
(Qesh) Deri tani kam humbur 11 kilogramë, por nuk e kam pasur shumë të vështirë këtë anë, pasi unë edhe gjatë shtatzënisë jam marrë me fizkulturë. Deri në muajin e shtatë jam marrë intensivisht me not, një orë e gjysmë pa ndaluar, pastaj me ecje të gjata po ashtu një orë e gjysëm. Kjo më ka ndihmuar të mos shtoj shumë në peshë, duke i lënë kështu hapësirë Annës të rritej brenda. Sa më pak dhjamë vendos rreth barkut, aq më shumë hapësirë ka fëmija të zhvillohet dhe Anna na doli një fëmije për marshallah, ishte bërë gati për të shkuar direkt në kopësht (qesh).
Dilni bashkë për shëtitje? Ku shkoni?
Ne dalim pothuajse çdo ditë për shëtitje. Gjatë shtatzënisë ne u zhvendosëm nga qendra e Seviljes, nga zhurmat dhe nga njerëzit që këndonin me kitare në katër të mëngjesit, në periferi, ku mbizotëronte qetësia, parqet pafund, këndet e lojërave për fëmijë, pishinat dhe fushat e tenisit. Kështu që ne shëtitjet i bëjmë këtu nëpër parqe. Por në ditët kur e kemi të pamundur të dalim, Annën e nxjerrim në oborrin e shtëpisë dhe kështu Anna çdo ditë rri për 4 orë në ajër të pastër. Gjë kjo shumë e rëndësishme për zhvillimin e fëmijës, në këtë mënyrë ajo ha më mirë dhe fle më mirë.
Çfarë muzike i vini? I këndoni ndonjë këngë tuajën?
Annës i pëlqen shumë muzika, vallë kujt t’i ketë ngjarë?! (qesh) Mjafton të jetë muzikë dhe ajo kënaqet. Unë i këndoj shpesh, pasi pothuajse çdo ditë bëj kanto dhe Anna është pranë meje, shikon dhe qesh gjithmonë, sa herë unë këndoj. I këndoj shpesh dhe këngë popullore. Madje një ditë e kisha futur në marsup (çanta ku vendosen bebet për t’u mbajtur) dhe kërceja dhe këndoja me të këngë popullore, erdhi një moment dhe u lodha, se Anna peshon goxha dhe vendosa të ndaloja muzikën. Sapo e ndaloja ajo fillonte qante, kur e ndizja pushonte si me sustë. Shyqyr që e zuri gjumi, se filloi të më dhimbte kurrizi.
I lexoni përralla?
Një përrallë nga fillimi deri në fund jo, pasi Annën e zë gjumi që në rreshtin e dytë, por unë ose Mirko i bëjmë ndonjë teatër të vogël me kukulla për ta kënaqur.
Si e thërrisni me përkëdheli?
Anna ka një arsenal me emra e nofka që e thërrasim dhe njëri është më i çuditshëm se tjetri, duke filluar nga të gjitha llojet e frutave, duke luajtur me emrin e saj, pastaj si për ta ëmbëlsuar edhe më shumë i thërras Zenepe (qesh).
Çfarë s’do të donit të kishte nga Mirko?
Për sa i përket temperamentit do më pëlqente shumë t’i ngjante Mirkos. Për sa i përket ndonjë tipari fizik që s’do doja t’i ngjante do ishte hunda, do ishte më mirë për djalin hunda e Mirkos, jo për Annën (qesh).
Për çfarë do donit t’i ngjante?
Po siç e thashë dhe më sipër, nga ana e karakterit do doja t’i ngjante, të merrte sa më shumë nga Mirko. Kur e kisha në bark Annën, i lutesha Zotit që të merrte nga Mirko sytë dhe vetullat, edhe fizikun gjithashtu, dhe Zoti e dëgjoi lutjen time.
Po nga ju, çfarë doni të marrë dhe çfarë jo?
Nuk dua të nis me karakterin, se i bije a doni më për Belulin, por po e përgjithësoj, do doja të merrte të gjitha virtytet e mija. Nga ana fizike e ka marrë atë çfarë doja unë, formën e fytyrës dhe buzët.
Si përfundim, kujt i ngjan më shumë?
Anna është një përzierje shumë e lezetshme mes meje dhe Mirkos, ka ca sy të mëdhenj si bajame me ngjyrë blu, ngjyrën e ka trashëguar nga mamaja ime dhe një gojë me buzë të kuqe të plota. Tiparet i ka shumë të theksuara, të cilat i përdor shumë sipas gjendjes së saj emocionale dhe nuk është fare e vështirë ta dallosh kur ajo është paksa me nerva, se menjëherë i rrudh vetullat dhe të shikon ngultasi në sy ose kur habitet me diçka, menjëherë rrumbullakos gojën. Kur i japim ndonjëherë qumësht biberoni, papritur ti sheh që ajo është rrudhur e gjitha në fytyrë dhe ne kuptojmë që qumështin e do akoma më të ngrohtë. Pra, Anna të flet gjithë kohës me mimikën e saj.
Si e keni mobiluar dhomën?
Është një dhomë tipike fëmijësh, me lodrat e saj, me krevatin e vogël dhe një tjetër krevat pak më të madh për kur të rritet. Anna që kur hyri në muajin e dytë fle në dhomën e saj, kështu që ia kemi bërë të këndshme, jo të ngarkuar dhe me një ngjyrë pastel qetësuese, jo me ngjyrë të fortë.
Cila është lodra e saj e preferuar?
Ah, këtu do të ndalem pak. Anna ka lindur në mënyrë natyrale, por duke qenë se ishte një fëmijë relativisht i madh dhe unë kisha hyrë në javën e 42-të të shtatzënisë, m’u deshën dy ditë për ta lindur. Një natë para lindjes, në vigjilje të festës së Ujit të Bekuar, këtu në Spanjë quhet festa e Mbretërve Magjikë (ata që asistuan në ardhjen në jetë të Jezu Krishtit), isha shtruar në dhomën e paralindjes me kontraktime të forta dhe Mirko që më shtrëngonte dorën dhe më jepte kurajo, sepse unë pas shtatë orësh me kontraktime të forta,- sepse nuk po arrija pikën e duhur për të më vënë epiduralen,- kisha filluar të dorëzohesha. Në atë moment dëgjohet në korridor muzikë kishtare e luajtur me kitara dhe unë s’kuptoja ç’po ndodhte, se isha gjysmë në kllapi, kur befas në dhomën time hyjnë 3 burra të maskuar si magjistarë, me tunike me mjekra, duke kënduar dhe më dhurojnë një kukull për bebin që do të lindte, si dhe më urojnë një lindje sa më të lehtë. Aty u krijua një situatë tragjikomike, se unë bërtisja nga dhimbjet, ata me kitara dhe të maskuar me këndonin te krevati dhe çuditërisht kukulla e preferuar e Annës është pikërisht kjo, që ne ia kemi vënë emrin Roza, se është me faqet rozë.

Kur do ta çoni në çerdhe?
Besoj kur të mbushë 1 vjeç.
Keni folur me koleget tuaja, që gjithashtu janë bërë nëna?
Më shpesh kam folur me Julkën, pasi ajo lindi Ianin bukurosh disa muaj para meje. Flisnim në skype dhe gjithmonë i thoja, Julka kam shumë frikë nga lindja. Ajo gjithmonë me dashamirësinë e saj më qetësonte për këtë aspekt dhe më thoshte të mos e merrja me frikë, se nuk është ashtu siç e imagjinoja, por për fat të keq doli ashtu siç e imagjinoja unë. Pas lindjes pastaj u lidhëm përsëri në skype dhe kemi qeshur pafund, se i tregoja për momentet që isha në spital para lindjes dhe gjatë saj. Kjo tregon që pavarësisht dhimbjeve, për ne mbetet momenti më i bukur dhe i veçantë.
Do t’ia mësoni shqipen Annës?
Unë Annës i flas gjithmonë në shqip, më vjen në mënyrë shumë të natyrshme, është gjuha e nënës.
Sa fëmijë keni dashur të kishit, përpara se të lindte Anna?
Kam dashur gjithmonë të kem tre fëmijë, se dy më duken pak dhe katër më duken shumë.
Po tani që e provuat, mendoni njësoj?
Vazhdoj të mendoj gjithmonë njësoj.
Marrëdhënia në çift, ka ndryshuar tani që lindi Anna?
Po, ka ndryshuar, është bërë më e fortë.
Është Mirko më i kujdesshëm ndaj jush?
Mirko si natyrë është shumë i kujdesshëm dhe për njerëzit që do kjo gjë rritet gjithmonë e më shumë. Me Mirkon që kur jemi njohur, gjëja që më bëri përshtypje ishte përkujdesja që kishte ai ndaj meje në çdo moment. Ai e dinte që mua në mëngjes më pëlqente të pija kafe para se të punonim dhe asnjëherë s’më mungonte kafeja, se ai e sillte gjithmonë në sallën e provave. Mirkos i pëlqen shumë të përkujdeset për dy princeshat e tij, siç na quan ne.
Tani dashuria ndahet më tresh…
Jo, kemi shumë dashuri, nuk kemi nevojë ta ndajmë.
Cila është marrëdhënia që keni me babain e Mirkos?
Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Ai erdhi në Spanjë dhe ndenji për 2 muaj, duke asistuar kështu gjatë shtatzënisë sime dhe në momentin e lindjes së Annës. Pavarësisht moshës së tij, ai ndenji në sallën e pritjes për dy ditë me radhë dhe nuk pranonte në asnjë mënyrë të shkonte në shtëpi, pasi priste të shihte mbesën e tij, e cila në të njëjtën kohë do të mbante dhe emrin e gruas së tij, që nuk jeton më.
Ju kanë vizituar prindërit në këtë kohë?
Për disa ditë do të vijnë dhe me zor po presim, jemi shumë të emocionuar.
Jeni celebruar, por nuk keni bërë dasmë. Kur do të martoheni?
Sapo të gjejmë momentin e përshtatshëm. Si mua dhe Mirkos na pëlqen shumë të bëjmë një dasmë tipike shqiptare. Mirko është mrekulluar kur ka parë dasmën e vëllait tim në DVD, iu duk një traditë shumë interesante dhe gjëja që i bëri më shumë përshtypje ishte hedhja e parave në dasmë dhe kërcimet. Absolutisht që Mirko para se të bëjmë dasmën në Shqipëri, do të mësojë të kërcejë valle tipike shqiptare. Ka parë në internet disa prej tyre dhe që tani di të lëvizë pak. Por unë do t’i vë si sfidë të kërcejë Vallen e Shqipeve, të veshur me kostum malësori, se do jetë vërtet spektakël më vete (qesh).
Përfundimisht jeta juaj është zhvendosur në Spanjë. Nuk do ktheheni më në Shqipëri?
Jeta ime private është këtu në Spanjë, por karriera ime vazhdon të mbetet në Shqipëri. Kështu që, shpresoj që sa më parë të kthehem.
I jeni rikthyer muzikës. Më saktë, shumë shpejt do të nisni një tur koncertesh. Si ndiheni, ju ka marrë malli?
Po, është e vërtetë. Duke nisur nga fundi i marsit rifilloj koncertet, së bashku me mikun tim më të mirë Sinan Hoxhën. Së pari në Itali, pastaj në Suedi e Danimarkë. Sigurisht me shkëputje, pasi unë e ushqej Annën edhe me qumësht gjiri.
Kur të nisni turnin e koncerteve çfarë do të bëni, do ta merrni Annën me vete?
Jo, nuk mendoj t’i ndryshoj rutinën e saj ditore. Është shumë e vogël për të ardhur me mua, megjithëse as vetë nuk e di se si do rezistoj larg saj.
Për këngë të reja keni nisur të mendoni?
Sigurisht. Kam në dorë disa materiale nga një kompozitor italian, të cilat më pëlqejnë shumë dhe me kalimin e kohës do t’i publikoj.
U përfol se ju jeni tashmë nën menaxhimin e një shtëpie diskografike në Spanjë, cila është e vërteta?
Është pjesërisht e vërtetë. Nëpërmjet një agjenteje spanjolle unë do të bëj dhe një tentativë këtu në Spanjë. Por kjo është për më vonë, për muajin shtator. Kjo ka qenë një shtysë e Mirkos për të tentuar edhe këtu, pasi unë si tip jam pak mosbesues. Duke e njohur se si funksionon shoë biz-i, më dukej pak e vështirë që unë të rifilloj një karrierë në moshën 30-vjeçare në një shtet të huaj, ku përkrahen vetëm ata që janë nga komuniteti latin. Megjithatë, pse bëhet një provë nuk ka asgjë të keqe. Unë gjithsesi jam e fokusuar më shumë në karrierën time në Shqipëri, për të ardhur sa më mirë dhe profesionalisht.
Tani që Soni është nënë, do t’i dedikojë ndonjë këngë Annës, sepse deri tani këngët tuaja i janë dedikuar dashurisë ose fenomeneve të ndryshme…
Annës çdo ditë i kushtoj këngë, poezi, dashuri, por një këngë e regjistruar për ta publikuar do të vijë më vonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here