Në një intervistë për Express, partneri i ish Miss Kosova, italiani Simone Pigliacelli, flet për lidhjen e tij me Agnesën, pjesëmarrjen e tij në “Dancing With the Stars” dhe mendimet e tij për Shqipërinë.

Deri tani ti dhe Agnesa keni qenë kandidatë të fortë. Mendoni se do shkoni deri në fund të garës?
Simone Pigliacelli: Po angazhohemi shumë, për ta arritur gjithmonë më të mirën në këtë program. Më duhet ta them se Agnesa po bën paraqitje të mira. Mund të them se ajo po mëson shumë.

Paraqitje pas paraqitjeje, ajo po bën progres. Është normale që, si çdo garues tjetër, shpresojmë që të arrijmë në finale, si për punën e madhe që po e bëjmë, ashtu edhe për faktin se punojmë së bashku që tre muaj dhe do të jetë e vështirë për t’u ndarë.

Nga juria dhe publiku jeni cilësuar si çifti më simpatik, mendoni që ju favorizon kjo për garën?
Simone Pigliacelli: Personat gjithmonë na bëjnë komplimente sepse janë mjaft të kënaqur me rezultatet tona. Kjo gjithmonë sjell kënaqësi për ne, sepse mundohemi gjithmonë të dhurojmë gjëra të reja. Juria në disa raste na ka dhënë edhe vota të ulëta, por kjo shërben për t’u pjekur më shumë. Kjo është një eksperiencë e bukur dhe ne do të mundohemi ta jetojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndërkohë është vërejtur një afri mes ju dyve. Ka diçka më tepër mes jush, apo thjesht ia kaloni mirë?
Simone Pigliacelli: Edhe unë, nëse i shikoj videot, e shoh se ka një raport të fortë në mes nesh. Kjo për shkak të bashkëpunimit dhe afërsisë që është krijuar duke kërcyer, pasi jemi gjithmonë dakord njëri me tjetrin. Kam respekt dhe më pëlqen Agnesa, këtë tashmë e dinë të gjithë. Por, nuk dua të them diçka më shumë sepse unë dhe Agnesa jemi të koncentruar në garë dhe do të mundohemi ta emocionojmë publikun, i cili na ndjek për atë që e bëjmë çdo ditë.

Ti je shprehur se e pëlqen Agnesën, do ndodhë diçka e ngjashme sikur me çiftin Soni Malaj dhe Mirko, të cilët u martuan?
Simone Pigliacelli: Kur kam ardhur në Tiranë nuk kam kërkuar ta gjej një partnere ose një lidhje, sepse jam i ri dhe kam shumë rrugë përpara vetes. Kam ardhur këtu për ta kërkuar një të ardhme më të mirë si pjesa më e madhe e djelmoshave të moshës sime. Nuk dëshiroj asgjë më shumë sesa të më njohin në një vend që më parë nuk e dinte së kush jam unë dhe se çka isha i aftë të bëja. Kjo më stimulon edhe më shumë. Pastaj, kam gjetur një partnere me të cilën jam dakord dhe me të cilën ia kaloj mirë.

Përshkruaje një ditë provash, si kaloni me Agnesën?
Simone Pigliacelli: Zgjohemi në mëngjes dhe i fillojmë provat duke filluar nga ora 9.30. Pastaj i studiojmë koreografitë, teknikat dhe hapat e vallëzimeve të ndryshme. Pastaj mundohem t’i përshtatem asaj dhe të kyçem brenda saj në çdo vallëzim. Kjo është gjëja më e rëndësishme në vallëzim. Si instruktor jam shumë i rreptë, por më pëlqen të luaj edhe si një fëmijë. Gjithmonë mundohem ta nxjerr më të mirën nga partnerja dhe nga vetja.

Keni dalë të shëtisni ndokund jashtë në Tiranë apo vetëm prova?
Simone Pigliacelli: Kam qenë në pjesë të tjera të Shqipërisë në këtë periudhë dhe më duhet ta them se është një vend i bukur. Këtu ndihem shumë mirë dhe nuk dëshiroj të largohem derisa të përfundojë programi. Normalisht, më duhet të kthehem pas një kohe në Itali. Pjesa më e madhe e ditës sime kalon në sallë, në prova. Kurse nata, ose duke pirë kafe ose në shtëpi.

Kur të largohesh nga Dancing with the Stars, do të të mungojë Agnesa?
Simone Pigliacelli: Normalisht. Mungesa do të ndihet shumë, por që të vazhdoj të dëgjohem me Agnesën përmes telefonit, sepse jam mjaft i lidhur me të. Është një vajzë e dashur dhe më pëlqen mënyra e sjelljes së saj. Më pas, nëse e ardhmja më premton, do të mundohem ta gjej kohën për ta lexuar këtë intervistë. (Përktheu nga italishtja Moral Pozhegu)/Express/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here