“Silver Linings Playbook”, komedia dramatike që flet për një burrë, i cili rikthehet në shtëpi pas tetë muajsh trajtimi në një institucion mental, ka marrë çmimet kryesore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.

Filmi, i realizuar nga regjisori i “The Fighter”, David O.Russell, me protagonistë Bradley Cooper dhe Jennifer Lawrence, u shpall filmi më i mirë në edicionin e 37-të të festivalit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, që u mbajt të dielën mbrëma. Çmimet “People’s Choice Award” janë ndarë në bazë të votave nga publiku.

I bazuar në romanin e shkruar nga Matthew Quick, “Silver Linings Playbook”, është dhënë premierë në festivalin e Torontos, javën e kaluar. “Sikurse te ‘The Fighter’ që nuk kishte të bënte me luftën, edhe ky film për mua s’ka të bëjë me sëmundjen mentale”, kishte thënë Russell para gazetarëve me rastin e shfaqjes së filmit. “Për mua, ka të bëjë me njerëzit dhe dinamikën e njerëzve”.

Pretendent për çmimin kryesor ka qenë filmi “Argo” me Ben Affleck, i cili po ashtu është dhënë premierë në festivalin e Torontos. Çmimi për dokumentarin më të mirë i ka takuar “Artifact”, në të cilin rolin kryesor e luan aktori Jared Leto dhe vendi i tij “Thirty Seconds to Mars”, në kohën kur kishin realizuar albumin muzikor me titull “This is War”.

“Ky film është shumë personal dhe është punuar me dashuri”, ka thënë Leto përmes një komunikate që e kanë lexuar organizatorët e festivalit.

Të tjerë të shpërblyer në ceremoninë përmbyllëse të festivalit ishin edhe “Seven Psychopaths” i Bartholomew Cubbins dhe “Laurence Anyway” për Xavier Dolan.

I themeluar më 1976, festivali i filmit i Torontos tashmë radhitet në mesin e festivaleve prestigjioze të filmit, me “Cannes” dhe “Sundances” si një prej kryengjarjeve kinematografike në botë. Festivali shpeshherë ka qenë vendi ku janë dhënë premierë filmat që janë shpërblyer me “Oscar”. Edhe para se të shpërblehej në festivalin e Torontos, “Silver Linings Playbook”, është përfolur si kandidat i mundshëm për t’u nominuar për çmimin prestigjioz. “Argo” po ashtu është larguar nga Toronto si një kandidat i fortë për t’u nominuar për “Oscar” në kategorinë kryesore, derisa “The Master” i Paul Thomas Anderson ka vazhduar të impresionojë kritikën dhe audiencën në festivalin e Torontos. Bill Murray po ashtu fitoi vëmendje të madhe me rikthimin si Franklin D.Roosevelt në filmin “Hyde Park on Hudson”, derisa filmi “Frances Ha” me Noah Baumbach nuk u pëlqye as nga kritika dhe as nga audienca.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here