bracesilvanaSilvana Braçe, ikona e Televizionit Publik Shqiptar, vjen në një rrëfim të sinqertë për “Bluetooth”… Biondja sharmante, e shndërruar me vitet në idhull për breza të tërë, tregon në këtë intervistë jetën jashtë ekranit dhe dëshirën për t’iu rikthyer sërish atij. Si i sheh Silvana Braçe prezantueset e sotme dhe cilët kanë qenë bashkëpunëtorët e saj më të mirë. Emigrimi në Itali, njohja me burrin e jetës dhe djali, Fatjoni, të cilit Silva, me gjithë kritikat e njerëzve që e rrethojnë, i ka dhënë liri të plotë, që në këtë moshë (8 vjeç e gjysmë)… Lexoni për më shumë, intervistën ekskluzive të zonjës së spektakleve.

Zonja Silvana, pyetja e parë që më vjen për një damë të ekraneve si ju, është me çfarë merreni tani? Si është e mbushur dita juaj?
Unë, ashtu si gjithë njerëzit që kanë sens artistik dhe impulse krijuese gjithë kohën, nuk e lë veten të jetë rehat, duke u marrë dhe duke vlerësuar që nga gjërat më të vogla të përditshme, deri te ambiciet më superiore. Pra, dita ime është e tejmbushur.
A ju mungon ekrani?
Edhe më mungon, por jeta e pasur shoqërore, preokupimet familjare dhe koncertet e shumta që nuk i ndala asnjëherë, kanë bërë të mundur që të mos e ndjej këtë mungesë të ekranit në mënyrë të theksuar, por ta shoh atë si një mundësi gjithmonë të hapur.
Cili është kujtimi më i bukur që keni nga koha në TVSH?
Gjithmonë bukuria e kësaj pune ka qenë jashtë mureve dhe kornizave të TVSH-së, ka qenë reagimi i publikut. Ata kanë qenë dhe janë miqtë e mi të vërtetë, që më deshën dhe më duan pa kushte, që s’u xhelozuan kurrë, që s’më paragjykuan, që s’më vunë në peshoren e parave apo lidhjeve me pushtete të ndryshme, por deshën atë që lexuan në fytyrën dhe sjelljen time, deshën dashurinë time.
Pse nuk keni tentuar t’i riktheheni prezantimit në TV?
Sepse nuk është vetëm në dorën time dhe as të atyre qindra-mijëra fansave që në çdo moment më shprehin dhe më nisin mesazhe jetëdhënëse ekstreme për nga malli, vlerësimi dhe dëshira për t’u ritakuar së bashku.
Si i shihni sot prezantueset e reja në TV?
I shoh me vëmendje, me kënaqësi, sepse është brenda profesionit tim. Tashmë me një përvojë shumëvjeçare arrij të dalloj të bukurën nga e përsosura. Jo çdokush që del në TV ka forcën transmetuese të emocionit të fjalës.
Ka ndonjë që e keni të preferuar?
Duke qenë se nuk ka një të ngjashme me mua, kuptohet që e kam të vështirë të veçoj.
A ndiheni e vlerësuar nga TVSH-ja? 
Nëse me këtë pyetje doni të merrni kënaqësinë e vlerësimit për “një damë ekrani” siç thoni ju, unë po ju them se, e vlerësuar apo jo, unë jam kudo aty, që nga shiritat e Ampex të viteve ’80 deri tek teknologjia më e re. Gjurmët, gjithë frymimi dhe imazhi im për 30 vite janë në eter nëpër gjithë atë institucion.
Cili ka qenë bashkëpunëtori që ju ka bërë të ndiheni më komod?
Për mua nuk ka pasur ndonjëherë komoditet në TV. Ndoshta për shkakun tim, se kërkoj shumë nga vetja dhe nuk ia gjej kurrë fundin. Megjithatë mund të veçoj programet e realizuara nga Vera Grabocka dhe Osman Mula, të cilët kanë pasur ekipe të plota e unë kam qenë vetëm prezantuese, ndërsa më pas kur kam bërë edhe autoren e programit ka qenë sfilitëse.
Silvana Braçe si nënë? Marrëdhënia që keni krijuar me djalin?
Nganjëherë dyshoj se s’jam e arrirë si nënë, për shkak të komunikimit krejt ndryshe nga e zakonshmja me djalin tim, por ndoshta edhe jam nëna që do ta dëshironin shumë fëmijë. Fatjoni nuk e njeh nga unë mënyrën urdhërore, diktatin në përgjithësi; s’kemi orare fikse përveç shkollës, s’kemi ushqim me zor, pra kemi një liri të bukur, një jetë të bukur, besoj edhe për të rritur. Kështu, djali e di vetë që duhet të bëjë detyrat, të shkojë në shkollë, të pastrohet, ndonjëherë dhe me këshilla të ëmbla etj, etj. Unë mendoj se kjo është më e mira, por nga prindër të tjerë kam edhe vërejtje. Do të kisha qenë shumë e denjë për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, se më duket unë i bëj të gjalla ato pa i lexuar asnjëherë. Thonë që fëmijët kanë edhe detyra. Kjo për mua s’ekziston.
Sa vjeç është ai tani?
Fatjoni tani është tetë vjeç e gjysmë, në klasën e dytë, dhe mëson aq sa do ai dhe më duket se i di të gjitha e po ndodh ajo që shpesh themi, se “fëmijët na mësojnë edhe ne”.
Na tregoni diçka më shumë për bashkëshortin tuaj. Shumë pak e njohim jetën tuaj private?
Bashkëshorti nuk i përket botës së TV-së ose artit në përgjithësi, por është një këshilltar i mirë edhe për këtë fushë, me një sens praktik, që më ul mua nga fluturimet poetike, romantike dhe më nxit ambicien dhe vetëvlerësimin. Pra s’jemi dhe aq të njëjtë, por me sa duket, të duhurit.
Si jeni njohur me të?
Jemi njohur në Itali, ku Agroni jetonte prej mëse 15 vitesh, pasi kishte kryer aty edhe studimet në Universitetin e Bolonjës për Inxhinieri Informatike. Në dedikim, krenari dhe përkushtim ndaj atdheut jemi të njëjtë, se, edhe pse larg Shqipërisë, ai ruante për vete por dhe të tjerëve – shqiptarëve në Itali – donte t’ua kujtonte se rrënjët tona janë atje, në Shqipëri, ndaj kishte krijuar një shoqatë të shqiptarëve në Rimini, përmes së cilës organizoi edhe koncertin për festën e Pavarësisë në vitin 2002, ku dhe u njohëm bashkë.
Pse vendosët kaq vonë për t’u bërë me familje?
Është çështje fati dhe jo zgjedhjeje. Dinamika dhe modernizimi i jetës kanë thyer tashmë shumë tabu e familja nuk është ide fikse, diçka që duhet të arrihet në një moshë të caktuar dhe me çdo kusht.
Sa të vështirë e kishit që të largoheshit nga Shqipëria, nga ekrani, vetëm për familjen?
Artistët janë qytetarë të botës dhe janë gjithmonë në lëvizje, udhëtarë në vende të ndryshme, kështu që vendndodhja për familjen nuk përbën problem. Unë kam qenë e mësuar me distancat dhe asnjëherë nuk e kam besuar se u largova nga Shqipëria. Dhe, ja ku jam sërish këtu me ju dhe në përpjekje për t’iu rikthyer ekranit.
Pas prezantimit, çfarë pune bëtë në Itali?
Edhe pse jam diplomuar në Ekonomi për Financë në Universitetin e Tiranës, prezantimi është i vetmi profesion që kam ushtruar. Mund të konsiderohet sakrificë, por ia vlen, sepse është për diçka që unë e dashuroj me gjithë shpirt dhe që më ka pasuruar më shumë se çdo vlerë tjetër materiale, se më ka dhënë një identitet të patjetërsueshëm. Edhe pse në Itali, larg ekranit, kam vazhduar të prezantoj koncerte në shumë skena të botës gjithë këto vite e vazhdoj të jem e kërkuar kudo që ka shqiptarë, nëpër koncerte festive që organizohen që nga Amerika deri në Kosovë e këtu në Shqipëri.
Tani jeni zhvendosur përfundimisht në Tiranë?
Jetoj në Tiranë, në qytetin tim të lindjes, në qytetin më të dashur për mua. Edhe pse kam parë shumë kryeqytete me bukuri e pasuri të mëdha, Tirana ka gjithçka për mua.

Nga Eraldo Rexho

Burimi: vipat.info

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here