Pas dhjetë vjetësh e ftuar për Festën e Flamurit nga shoqatat e shqiptarëve në USA. Silvana rikthehet në Amerikën e largët pas dhjetë vjetëve, kohë në të cilën ajo ka kufizuar daljet në publik pasi solli në jetë djalin e saj të dashur, Fatjonin që i përkushtohet në maksimum, por jo se u nda nga skena dhe spektakli.

Aktiviteti i saj këto kohë ka qenë i përqendruar kryesisht në Evropë, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi. Fama që i dha puna dhe përkushtimi i rrallë në TVSH e bëjnë atë prezantuesen më të kërkuar dhe kënaqësinë e të gjitha mjediseve shqiptare.

Me kalimin e viteve Silva është bërë më e ëmbël dhe më e hijshme. Ajo mbetet përgjithmonë e freskët, një shpirt i bukur dhe i pasur që në çdo kohë vesoi veç mirësi dhe shumë dashuri për publikun, i cili tashmë e ka vendosur në thesarin e vet shpirtëror.

-Pas 10 vitesh në Amerikë pse shkuat dhe si ju pritën?

Rimora në një perceptim të ri, të pjekurisë që të falin 10 vite më tepër, emocionet që i kisha harruar, ose më mirë të them, i kisha mbuluar me kapakun e artë të kujtimeve përsa i përket Amerikës, që kur në New York prezantova Koncertin në pritje të vitit të ri 2001 (atëherë) me këngëtarët e mirënjohur Gëzim Nika, Merita Halili, Eli Fara, Sinan Vllasaliu, aktore e balerinë, një organizim madhështor nga z. Dem Balidemaj. Është shumë e veçantë gjithçka ndodh në komunitetin shqiptar të përtej oqeanit, si para dhjete viteve edhe me tutje, në kohët më të vjetra, qe nga Noli, Vatra e Konica. Atje ti ndjen se Shqipëria, kombi është një shqetësim i përhershëm dhe jo vetëm kaq, por një përpjekje e organizuar, e përkrahur nga të gjithë që çështja kombëtare, problem përgjatë të gjithë historisë tonë të zgjidhet përmes forcës së argumentit të intelektualeve dhe ndihmave të pakursyera monetare të të gjithë komunitetit, që duket shumë i bashkuar në çastet deçizive. Kjo traditë vazhdon dhe është e prekshme në çdo tubim apo takim sado të ngushtë. Kjo është më impresionuesja nga Amerika dhe shoqërohet me çaste të tjera të panumërta, që të gjitha ngarkuar me dashurinë, përkushtimin, sakrificën dhe virtytin e atyre njerëzve të mrekullueshëm. Isha e ftuar për festen e flamurit nga shoqata e shqiptarëve të Ohio-s me president, z. Adem Meta. Festa atje, në Amerikën e largët, zgjati një javë. Nisi në datën 20 nëntor. Në solemnitet, duke u vlerësuar në të gjithë përmasën që meriton kjo dite e shënuar e të gjithë shqiptarëve, në një sallë nga më të bukurat të Kleveland u mblodhën rreth 3000 bashkatdhetarë, ku veç tingujve të muzikës popullore, ardhur nga mëmëdheu, qe rasti të shpërbleheshin nga Shoqata dhe Bashkia e Kleveland-it shumë të rinj, për rezultate të shkëlqyera në mësime e fusha të tjera të marrëdhënieve në shoqërinë amerikane. Diçka emocionuese ishte prania e arbëreshes, këshilltare në Bashkinë e Kleveland, znj Dona Brady, e cila e dashuruar me Shqipërinë, ku vinte çdo vit, s’mungonte kurrë në festat tona dhe ishte mbështetje për vëllazërinë që ishte krijuar mes Bashkisë së Kleveland dhe Fierit, meqenëse komuniteti aty përbëhej kryesisht nga zona e Mallakastrës dhe Myzeqesë. Por kaq e gëzueshme për të pranishmit në këtë festë të 99- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ishte pjesëmarrja e Ambasadorit tonë në USA, z. Gilbert Galanxhi ardhur posaçërisht nga Uashingtoni. U gëzova shumë edhe unë, se jo shpesh kam takuar raste si ky që të ngarkuarit me këto detyra të larta shtetërore të jenë kaq pranë komunitetit. Pata kënaqësinë të prezantoja këtë mbrëmje festive dhe po arrij tek pyetja juaj, më në fund, se si më pritën! Si gjithmonë, po them pa modesti, ndodhi e njëjta, shume duartrokitje te ngrohta dhe dashamirësi që të ngrenë zemrën peshë. Ndjehem me fat sa herë ndodhem para publikut. Më duket se në këto raste, në koncertet për bashkatdhetarët tanë, në Evropë e kudo, unë nuk çoj vetëm veten atje, por me shume, çoj mall Shqipërie. Më duket se në sytë e tyre jam e identifikuar me Tiranën dhe Shqipërinë. Këtë ma thotë buzëqeshja, loti në sy, dëshira për të më përqafuar dhe për të bërë ato mijëra foto që unë i kam kujtim në mijëra familje shqiptare. Kuptohet, se sa e lumtur jam kthyer këtej se kam marrë me vete një mal me përgëzime dhe përshëndetje e më duket se kam kryer edhe një mision. Kam çuar të bukur Shqipërinë atje.

-Si vazhdoi axhenda e qëndrimit në Amerikë?

Më pas isha në Michigan, Uashington dhe New York. Dhe në serinë e këtyre koncerteve festive kam prezantuar së bashku me një djalosh nga Malësia, Agim Kurti, që megjithëse jetonte në Amerikë, i ruante të paprekura traditat, dashurinë për muzikën popullore dhe fisnikërinë e shpirtit. Do të theksoja qëndrimin në Uashington, ku në datën 28 nëntor ambasada jonë organizoi pritjen e madhe për festën kombëtare. Veç mikpritjes dhe mbarëvajtjes perfekte, mbrëmjen e shndritën kostumet tona kombëtare, me të cilat, ishin veshur që nga zonja e ambasadorit, grupi i valltarëve dhe shumë fëmijë. Joli Paparisto, koreografe dhe Fran Gjoka, këngëtar kishin sjellë grupin e tyre me artistë të rinj shqiptar, të lindur e rritur në USA, por që me performancën e tyre treguan se janë më shqiptarë, se ne që jetojmë këtej, kaq krenarë për çka ishin dhe çfarë përfaqësonin në sytë e të huajve, mysafirë në festën tonë. Prania e ish- ambasadorit të USA në Tiranë, z. Raierson dhe personaliteteve të tjera të politikës dhe shoqërisë amerikane të rifreskonin ndjesinë e sigurisë që mund të ta japë miqësia e një miku të madh. Nuk mungonin gazetarët e Zërit të Amerikës (VOA) aq familjarë për ne dhe mjaft uniforma ushtarake pjesë e prezencës sonë në NATO.

-Na përshkruani disa nga takimet dhe organizimet e shqiptarëve në SHBA!

Po ju tregoj edhe një tjetër organizim për t’ju rikujtuar edhe një herë lexuesve tanë, se edhe pse jashtë kufijve zyrtare të Shqipërisë, vëllezërit dhe motrat tona nga gjithë viset shqiptare rreth këtij kufiri, frymojnë, flasin, përpiqen dhe gëzojnë në të njëjtin gjuhë dhe flamur. Ndaj organizatori i mbrëmjes festive në Michigan, jo rastësisht ishte djaloshi nga Malësisë e Madhe Luk Vuktilaj. Vetëm 25- vjeçar, ai si mijëra të tjerë të rinj përcjell dhe përmbush ëndrrën dhe porosinë e krerëve të kombit tonë, që nga koha e Skënderbeut, Rilindësve deri te heronjtë për Shqiptari të kohëve të reja, për të qenë të bashkuar e për të mos harruar nga vijmë. Në këtë festë u shkrinë në një, kënga labe me epiken e famshme malësore, fustanella e bardhë dhe tirqet me vija, takia me ison dhe çiftelia me kapuç.

-Cili është roli i prezantueses në një koncert? A ka rol kryesor?

Si rol ai i prezantuesit është i domosdoshëm, por nëse ai di të jetë kryesor, kjo është një çështje e personalizuar në varësi të aftësisë, autoritetit, perfeksionit të secilit që merr përsipër ta luajë këtë rol. Di edhe këtë nga çfarë shikoj që prezantuesi e ul ose e ngre në mënyrë të dukshme një shfaqje artistike. Ndodh që në organizime me jo shumë pretendime të shmanget prania e prezantuesit profesionist, mirëpo, duke qenë i domosdoshëm, atë e kryen dikush tjetër dhe kuptohet se cili mund të jetë rezultati. Do të thotë që një shfaqe, për të kulmuar, nuk lejon asnjë shkëputje në hallkat e zinxhirit artistik, ku prezantuesi ka rolin që ju mund ta vlerësoni edhe vetë.

-Tashmë mendoni ta rivizitoni së shpejti Amerikën?

Po menjëherë! Për Krishtlindje dhe Vitin e Ri do jem sërish atje dhe thuajse për të gjithë vitin kam propozime dhe marrëveshje për aktivitetet e shumta që organizohen në USA, në kuadrin e 100 -vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

-Silva ndjehet më mirë në Shqipëri apo diasporë?

Mund t’ju them vetëm se udhëtimet dhe koncertet jashtë Shqipërisë janë çlodhëse dhe frymëzuese, si oksigjen që ushqen frymëmarrjen time shpesh të rënduar nga përditshmëria jo gjithmonë aq miqësore. Gjithsesi, forca ime është Shqipëria. Dhe pas shumë mundësive për të jetuar jashtë, unë kam zgjedhur të jetoj këtu, se mjedisi në përgjithësi është shumë i shëndetshëm. Jam e rrethuar nga aq shumë njerëz që më duan e që s’kursehen të më dhurojnë çaste të gëzuara saqë s’do doja kurrë, të ishte një tjetër jetë kjo, imja veçse ajo në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here