Je një balerinë profesioniste, si ndihesh kur ke një partner jo të pozicionit tënd, në këtë rast Julin?

Në fakt nuk më ndodh shpesh kjo situatë që të kërcej me një partner që nuk ka lidhje me baletin, prandaj eksperienca në ’Dancing with the stars’ është e bukur sepse të bie të kërcesh pikërisht me një partner të tillë. Por mendoj se përveç vështirësive që ka, është edhe diçka shumë e bukur.

Fakti që ky partner është Juli, e bën akoma më simpatike situatën sepse ai është pikërisht Juli që njohin të gjithë dhe puna me të jo vetëm që nuk është e mërzitshme, por përkundrazi, është një argëtim.

Unë i bëj shumë vërejtje, të cilat ai i merr nganjëherë me të qeshur, por pastaj punon seriozisht. Jam shumë e lumtur që përveçse tashmë kërcen ’tango’, ’cha cha cha’, ’jive’ etj, ai ka rënë 14 kile nga pesha, dhe ky është një tregues që kjo punë është marrë seriozisht.

Ka talent Juli në balet?
Hahahhahah! Talent është fjalë e madhe, por mund të them se ai e kap ritmin dhe vihet shpejt në lëvizje. Pra i mëson shpejt lëvizjet apo hapat. Por, ai e ka tmerr kur fillojmë punën me finiturat, sepse pikërisht këtu fillon profesionalizmi në të kërcyer. Jo vetëm te ne të dy, por tek të gjitha çiftet, dhe ne si balerinë jemi munduar që koreografitë të jenë profesionale, me të gjitha elementet e nevojshme për një kërcim dinjitoz. Pra pak a shumë, kemi punuar sikur të ishin vërtet balerinë.

Të ka krijuar vështirësi në ndonjë rast?
Po sigurish që ka vështirësi, sepse Juli nuk është mësuar me termat tonë të baletit. Madje ai nganjëherë bën humor me këto terma. Por ne i përdorim si kode për të vizatuar një koreografi. Pastaj Julit i kërkoj gjithmonë ta mbajë shpinën drejt, sepse baleti e kërkon me doemos impostimin e trupit që figurat apo lëvizjet të dalin të pastra. Pastaj një gjë tjetër është edhe lëvizja e duarve, të cilën ai e ka problem për arsyen se nuk është mësuar t’i mbajë duart në pozicione fikse, siç mund ta kërkojë koreografia. Pra vështirësi ka shumë, por ne i kemi kaluar më së miri dhe punojmë shumë mirë bashkë.

Si e ndjen veten në këtë format televiziv?
Pa diskutim që ndjehem mirë dhe shumë e vlerësuar që jam pjesëtare e këtij formati me famë botërore. Është format, i cili i ka të gjitha elementet e duhura që ty të japin mundësi të tregosh vlera të vërteta profesionale. Sepse ka brenda edhe show, edhe kërcim, edhe komunikim me publikun, që është shumë i rëndësishëm. Pra ndjehem shumë mirë.

Cilat kanë qenë komplimentet dhe vërejtjet?
Kam marrë komente, vlerësime dhe kritika. Marr komente sidomos për partnerin, për Julin, sepse ai është figurë e dashur dhe e njohur. Komente të tipit, si e bëre të kërcejë Julin? Sa e ke dobësuar……jeni mirë, vazhdoni kështu….e shumë komente të tjera. Ndërsa kritikat i marr nga njerëz të profesionit.

Do të kishe provuar ndonjëherë të aktroje?
Në një farë mënyre edhe baleti ka dozën e tij të aktrimit brenda. Sepse edhe neve na kërkohet nga koreografët interpretim profesional në shpalosjen e figurës artistike. Por në qoftë se keni pyetjen se, a do të interpretoja për të bërë humor, mund të them se është shumë e vështirë dhe nuk ma do mendja se mund ta bëj siç duhet. Hahahhahahaa… Kemi Julin për këtë./
BLUETOOTH/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here