tavolinaefundvititTryeza e ndërrimit të viteve është një nga më të veçantat. Jo për bollëkun e saj, po më shumë për atmosferën që krijohet. Të gjithë mblidhen së bashku, gatuhet pa fund për fëmijët , bashkëshortin, kushërinjtë, të afërmit, ata që vijnë nga larg e kështu me radhë. Një traditë që duket se i mbledh të gjithë në folezën më të pazëvendësueshme, që është vatra familjare. Si përherë ka shumë mënyra të shtrimit të tryezës, e në fund të fundit ajo është personale, sipas shijeve por edhe mundësive. Pastaj kuzhina; java e fundit e dhjetorit është një kaos i vërtetë; në shumë familje nis përgatitja e bakllavasë 5 ditë para Vitit të Ri, e me radhë përgatitja e gjërave që duan më shumë kohë. Sot, në këtë numër special të fundvitit, në suplementin “Mapomania” do t’ju servirim disa receta gatimi nga femrat e njohura të ekranit. Femra, të cilat edhe pse me angazhime jashtë shtëpisë, kanë gjetur kohën për të përgatitur me duart e tyre, qoftë tavolina të mëdha e qoftë disa specialitete të veçanta. Në do i sjellim këtu për ju duke ju dhënë ndoshta edhe një ide më shumë për të përgatitur diçka të veçantë në familjet tuaja, duke shpresuar për gjëra më të mira e të urojmë të gjithë që 2013-ta të sjellë sa më shumë dashuri në familjen e çdo shqiptari. Sepse dashuria është e para. Që andej tryezat shtrohen aq bukur me ushqim, shije, kujdes dhe rrethohen me ngrohtësi, lumturi dhe buzëqeshje.

Sonila Meço: Receta e kekut të mollës

Atmosfera e fundvitit është një nga kënaqësitë më të mëdha të Sonila Meços, sidomos tani që familja është gëzuar me Amarisin e vogël. Ngrohtësia, dashuria, mirënjohja, falenderimi janë ndjenja që bëhen gjithnjë e më të forta, më të qarta në këto ditë, ku viti i vjetër me gjithë gjërat e tij lihet pas, e ku një vit tjetër më i dashur, më mikpritës troket gotat në 31 dhjetor në çdo familje. Në familjen e Sonilës më shumë gatuan e ëma dhe vjehrra e saj, me të cilat ajo thotë se nuk bën dot konkurrencë, ama një recetë speciale për këtë fundvit Sonila ka ditur ta rrëmbejë nga kuzhina dhe ta ndajë me lexuesin tonë. Është një ëmbëlsirë që ajo e gatuan me shumë dëshirë, kek molle, i cili është i thjeshtë për t’u bërë e njëkohësisht shumë i shijshëm. “Gatimi nuk është shkëlqimi im. Me konkurrencë të konfirmuar nga vjehrra nga Dardha dhe mami dibrane ndihem më shumë e dekurajuar se e motivuar (qesh). Për të mos folur për vjehrrin tirans e babin përmetar që janë talente të dy, por kam vjedhur duke shijuar çdo vit kekun me mollë, recetën e tij nga mami. Se tek gjeli i mbushur, çomleku me lepur, bakllavaja apo tava e peshkut, pra ‘peshat e rënda’ të të dyja mamave as nuk i provoj, se jam ngelëse që në ngrënie e jo më në gatim.

Receta

Për të përgatitur kekun duhen këta përbërës:

4 kokrra vezë dhe 2 gota sheqer, të cilat i rrahim mirë dhe i përziejmë bashkë. Më pas shtojmë 1 gotë vaj, 1 gotë kos, i përziejmë me masën e mësipërme dhe më pas i shtojmë 2 gota miell dhe 1 lugë kafe sodë buke. Pasi masa e kekut është bërë gati, në fund presim 1 kokërr molle në kubikë lëkure dhe e përziejmë me brumin e kekut. E shtrojmë në kekun dhe e futim në furrë deri sa të piqet. Në fund i hedhim kanellë. Mund t’i shtojmë edhe bajame, lajthi, rrush të thatë sipas shijes së momentit. Do shumë pak kohë për t’u bërë dhe është një ëmbëlsirë që gjithmonë preferohet në tryezë, sidomos në ditë festash.

Ermira Çausholli: Bakllavaja tradicionale

Sigurisht që gjithsecili nga ne festat e fundvitit preferon t’i presë dhe t’i gëzojë me njerëzit e tij më të dashur. Unë që fëmijë jam mësuar që këto festa t’i kaloj me shumë njerëz. Nuk ndodhte që në shtëpinë time të shtrohej një tavolinë për më pak se 10-15 persona. Kjo për shkak jo vetëm të dashurisë dhe lidhjes shumë të ngrohtë me njerëzit e afërm, por edhe sepse festat e fundvitit në Korçë kishin tjetër shkëlqim. Kështu nga ishin, e nga s’ishin njerëzit, mblidheshin të gjithë në shtëpinë e prindërve të mi. Këtë traditë jam e lumtur që e vijoj unë sot, por jo në Korçë po në Tiranë (qesh). Edhe këtë vit tryeza e festave do të shtrohet e do të mbledhë shumë njerëz në shtëpinë time. Bëhemi fiks 15 vetë. Mikpritësit jemi unë me bashkëshortin, nënën e tij dhe tre vajzat tona. Presim prindërit e mi, vëllain dhe bashkëshorten, si dhe dy djemtë e tyre. Gjithashtu presim motrën e bashkëshortit tim me të shoqin dhe djalin e tyre. Menyja sigurisht që është e shumëllojshme, po rëndësia maksimale i kushtohet cilësisë dhe servirjes bukur të ushqimit. Për këtë gjë nuk kemi nevojë të harxhojmë shumë kohë, sepse bërja së bashku e shijes shkodrane me atë korçare jep gjithmonë rezultat të padiskutueshëm. Ajo që mungon përherë në tryezën tonë, që s’ka qenë ndonjëherë traditë as në Korçë e as në Shkodër, është gjeli i detit. Personalisht, trishtohem shumë kur i shoh gjelat e shkretë në pazar për të përfunduar ashtu siç nuk do të doja t’i shihja kurrë. Përveç gjithçkaje tjetër që do të shtrohet në tryezë, ajo që mua më pëlqen më shumë është bakllavaja, të cilën në Korçë e bënte mamaja ime, ndërsa këtë vit e bëra unë së bashku me nënën e bashkëshortit tim. E kemi bërë para disa ditësh dhe sot është gati për t’u shijuar.

Përgatitja e bakllavasë:

2 kg miell, 15 të verdha vezësh, 1 gote ujë (këto shërbejnë për përgatitjen e brumit)

Pasi brumi ka ndenjur për rreth një orë, ndahet në kuleçë të vegjël dhe fillon hapja e petëve. Me këtë sasi bëhen rreth 60 petë, të cilat pasi thahen shtrohen në tepsi. Në çdo dy petë hidhet nga pak gjalpë, i cili duhet të jetë i shkrirë. Shtresa e arrave vendoset në mes pasi shtrojmë 30 petët e para. Pasi mbaron krejtësisht shtrimi i petëve bëhet prerja, e cila edhe është e rëndësishme. Më pas i hidhet përsipër krejtësisht gjalpi i shkrirë, i cili duhet të jetë rreth 1 kg. Pas pjekjes në furrë druri përgatisim sherbetin, për të cilin nevojiten 1 litër e gjysmë ujë dhe 2 kg sheqer. Në mënyrë që petët ta thithin krejtësisht sherbetin duhen rreth 3-4 ditë. Tashmë që flasim bakllavaja është gati. Ju ftoj ta shijojmë! Gëzuar të gjithëve festat dhe i paçi përherë plot tryezat në shtëpitë tuaja!

Edlira Çepani: Shije pikante meksikane

Zakonisht në familjen time festat festohen të gjitha pa përjashtim dhe me shumë kënaqësi. Mendoj se çdo rast është i mirë për të kaluar kohë më familjarët, miqtë e të afërmit ndaj darkat dhe festat që organizojmë si në shtëpinë tonë, ashtu edhe në ato të miqve janë të shumta. Viti i Ri është një traditë e veçantë, ndaj në shtëpinë time nuk mungon asnjëherë një darkë e madhe, me shumë njerëz, në një tavolinë të zbukuruar në çdo detaj, duke filluar që nga mbulesa dhe pjatat me motivet e festave të fundvitit, pecetat me po të njëjtat motive, qirinjtë me ngjyrë të kuqe dhe zbukurimet e ndryshme të Vitit të Ri që vendosen në tryezë. Që kur ishim të vegjël prindërit e mi organizonin festën e Vitit të Ri në çdo detaj, me shumë kujdes që ne të kënaqeshim dhe kjo është bërë tashmë traditë e vjetër e familjes. Për mua detajet dhe atmosfera që krijojnë zbukurimet, si të ambientit, të tavolinës, ashtu edhe të vendosjes në pjatë të ushqimeve, janë shumë të rëndësishme dhe i japin një dimension më të bukur festës. Një traditë e familjes është edhe vendosja e dhuratave të Vitit të Ri poshtë pemës, e kemi bërë që të vegjël dhe tani që jemi rritur nuk arrijmë dot të ndahemi prej saj. Pakot vendosen poshtë pemës dhe ne i hapim pas orës 12, është ndjesi e veçantë dhe surprizat janë gjithmonë të bukura! Për sa i përket gatimit, ne mundohemi të gatuajmë të gjithë nga pak, pasi secili në familje ka disa specialitete të vetat dhe darka e Vitit të Ri, përveç gjelit/pulës së detit me përshesh dhe dy tre ushqimeve te tjera tradicionale, ka përgjithësisht ushqime të veçanta dhe receta të reja. Ajo që nuk mungon në tryezën tonë për festa është përgjithësisht ndonjë gatim meksikan, pasi duke qenë se ne fëmijët kemi lindur andej dhe prindërit e mi kanë jetuar atje për shumë kohë, na kanë mbetur pak si traditë familjare. Një nga recetat meksikane që gatuaj më shpesh dhe do të gatuaj edhe këtë Vit të Ri, është Chilaquile. Një pjatë tradicionale meksikane, e cila ka disa mënyra të ndryshme gatimi dhe servirje, në bazë të ingredientëve që përdor dhe në varësi të kontestit në të cilin shtrohet, por që në çdo rast është e thjeshtë për t’u gatuar dhe shumë e shijshme.

Receta për Chilaquile:

Përbërësit për 4 persona: Tortillas të vogla (ose tacos), Domate të freskëta (ose salcë domatesh), Djathë pice (ose djathë me feta), Gjoks pule, Vaj ulliri, Erëza, Qepë (sipas dëshirës), Hudhra, Tabasco (spec djegës) që s’mund të mungojë në një ushqim meksikan.

Fillojmë me përgatitjen e salcës. Hedhim në tigan me pak vaj ulliri domatet e grira hollë (ose salcën e gatshme të domates). Salcës i hedhim erëzat, kripën, hudhrën e grirë hollë, tabasco (e bën salcën pikante) si dhe pak qepë (qepa mund të shtohet ose jo, sipas dëshirës). Salca gatuhet për disa minuta me zjarr të mesëm dhe më pas është gati.

Vendosim ndërkohë të gjoksin e pulës për t’u zier dhe pasi të ketë përfunduar e presim në copa të vogla. Në rast se tortillas nuk blihen të gatshme, ato duhen skuqur në një tigan me vaj ulliri derisa të bëhen krokante. Në një enë balte (ose ne disa enë të vogla balte) të lyer me pak vaj ulliri, vendosim tortillas (ose tacos) si shtresë në pjesën e poshtme. Vendosim mbi të copat e prera të pulës dhe e mbulojmë të gjithë sipërfaqen me salcën e përgatitur (dhe nëse dëshirojmë edhe me copa të vogla domatesh të freskët). Sipër vendoset djathi me feta ose djathë pice i grirë. E vendosim enën prej balte në furrën e ngrohur më parë dhe e lëmë për disa minuta. Koha e pjekjes në furrë duhet të jetë e mjaftueshme që tortillas në fund të mbeten sadopak krokante dhe më pas pjata është gati për t’u servirur në mes të tavolinës në tavën ku është gatuar.

Aurela Hoxha: Tortë çokollate

Tani që afrohen festat unë jam më aktive se kurrë. Më pëlqen të merrem me çdo detaj që ka të bëjë me festat, duke filluar nga dhuratat e deri tek detajet më të vogla, si zbukurimet e bëra vetë me portokalle apo biskotat në formë njerëzish. Në familjen time festat festohen në shtëpi me një grup shumë të madh njerëzish duke përfshirë këtu shumë të afërm dhe miq tanët. Tavolina është një nga pikat kyçe të festive, por unë gjithmonë merrem me gatimin, ndërsa me shtrimin e tavolinës merret ime më, pasi njëlloj si unë dhe ajo është një amvisë e shkëlqyer.

Tortë çokollate

Për pandispanjë: 8 vezë, 8 lugë sheqer, 2 lugë miell, 150 gramë arra të bluara, lëvore portokalli e kaluar në rende.

Kremi: 6 të verdha veze, 2 të bardha të veze, 8 lugë sheqer, 100 gr sheqer pluhur, 250 gr gjalpë, 2 lugë kakao pluhur, 100 gr çokollatë.

Shurupi: 1 dcl ujë (7 lugë ujë), 100 gr sheqer, 1 lugë rum.

Glazura: 100 gr çokollatë, 3  lugë vaj

Përgatitja

Çokollata shkrihet mbi avull. Tunden të bardhat e vezëve me sheqer gjersa të shkrihet sheqeri dhe të krijohet një shkumë e qëndrueshme. Shtohen të verdhat e vezëve duke i tundur edhe më tej.

Shtohet mielli dhe arrat e bluara  duke e përzier masën me lugë e jo me mikser. Hidhet pastaj çokollata e shkrirë dhe lëvorja e portokallit. Masa derdhet në kallëp në formë zemre ose të rrumbullakët, të lyer me yndyrë dhe të përmiellur, ose të shtruar me letër të yndyrshme. Piqet në furrë me temperaturë 170 gradë C për 50 min.

Sherbeti vlohet 5 min pastaj hidhet rumi. (Me këtë sherbet të ftohur spërkaten koret e pandispanjës pasi të priten e pastaj lyhen me krem).

Çokollata shkrihet ne avull. Gjalpi i zbutur tundet me sheqer pluhur deri sa të filloj të fryhet. Në enë të veçantë, mbi avull, tunden të verdhat e vezëve me sheqer gjersa të zbardhen dhe të shkrihet sheqeri. Vezët i shtohen gjalpit të tundur duke i tundur së bashku gjersa masa të kompaktësohet. Një e treta e masës veçohet, kurse në pjesën tjetër shtohet çokollata e shkrirë mbi avull dhe kakaoja duke e tundur deri sa të bëhet e njëllojtë.

Pandispanja e ftohur pritet horizontalisht, spërkatet me sherbet dhe lyhet me kremin me çokollatë, kurse mbi dhe anash lyhet me kremin e veçuar pa çokollatë. Shkrihet çokollata mbi avull duke ia hedhur vajin dhe duke e përzier vazhdimisht. Glazura hidhet mbi tortë duke e lyer të gjithë sipërfaqen dhe anash.

Anjeza Maja: Tavë lepuri

Anjeza Maja, prezantuesja bukuroshe tregon se në fundvit më tepër gatuan nëna e saj por ajo ka një gatim të preferuar, të cilin e bën me shumë dashuri dhe e ndan edhe me lexuesin tonë. Nuk është as bakllavaja dhe as gjeli i detit, por diçka tjetër shumë e shijshme.

Mish lepuri me perime

E nisim gatimin duke marrë lepurin, i cili duhet të jetë gati për tu gatuar. Në një tavë vendosim lepurin dhe hedhim perime, karotë qepë, patate, selino, rozmarinë dege. Të gjitha zarzavatet duhet të priten në copa të mëdha, duke  e rrethuar lepurin. Po në  këtë enë mbi lepurin dhe zarzavatet hedhim kokrra piperi të shtypur, vaj, pak uthull molle dhe verë të bardhë. E mbulojmë me letër alumini dhe e vendosim në frigorifer për disa orë, maksimumi deri në 3 orë.

E marrim lepurin  dhe e  lyejmë me salcë të përgatitur si më poshtë. 3 lugë vaj ulliri, një kokërr limoni, një lugë e plotë mustardë dhe lyejmë trupin e lepurit. E vendosim sërish lepurin në tavën me perime dhe e fusim në furrë në 180 gradë. Pas një ore heqim letrën e aluminit dhe e lëmë lepurin dhe zarzavatet  në furrë duke e spërkatur me lëngun e perimeve. Kur lepuri dhe perimet të piqen tava ka mbetur me lëng, të cilin e kullojmë dhe e bëjmë salcë duke shtuar pak gjalp dhe pak niseshte në një tenxhere dhe e përdorim për ta servirur. Gjithashtu mund të përdorim edhe zarzavatet.

Monika Stafa: Gjithçka, përveç ëmbëlsirave

Kam qenë gjithmonë e prirur për t’i festuar në shtëpinë time festat e fundvitit. Pavarësisht se pëlqej të udhëtoj, këto ditë të ndërrimit të viteve i kam paramenduar t’i kaloj pikërisht me njerëzit e mi. Jam rritur kështu dhe jam edukuar në këtë formë, sepse tek familja e prindërve të mi, këto festa kanë qenë kaq të bukura sa nuk i sjell dot të krahasueshme, madje as me ditëlindjet tona, të motrës dhe simes. Ditëlindjet festohen me shokë kuptohet, ndërsa këto ditë të ndërrimit të viteve na vinin aq të ngrohta e të dashura me prindërit tanë. Ndaj për të mos e zgjatur këtë dëshirë të përmallshme dhe të qëndisur kaq bukur në filmin tim të fëmijërisë dua t’ia përcjell po aq përndritur edhe birit tim. E më duket se ia kam arritur deri diku. Nuk parapëlqen të ftohet apo të ndërrojë vend kur janë këto ditë festash nëpër këmbë. Ai është gjithë kënaqësia që ma bën këtë ritual po aq të ndjeshëm sa dikur. Ndaj po shkruaj recetën që ai ma rishkruan sa herë darka e madhe e Vitit të Ri vjen. Dëshiroj të kënaq njerëzit e mi, deri në detaje siç e fillojmë me tavolinën. Duhet të jetë e shtruar me të gjitha sendet dekorative. Nuk e ekzagjeroj të them se jam shumë e ndjeshme ndaj detajeve.

Gjeli dhe përsheshi erëkëndshëm, tradita jonë e shkëlqyer plotësisht shqiptare. Është e vështirë të gjesh një ushqim tjetër me imazh kaq festiv sa ai. Miliona njerëz në të gjithë botën e festojnë ndërrimin e viteve, por askush si ne nuk ka në qendër të tryezës së asaj nate gjelin e detit dhe bakllavanë. i gatuar në forma nga më të ndryshmet ai i jep më shumë shije orës së ndërrimit të viteve duke uruar njëri-tjetrin për ardhjen e një viti plot mbarësi, shëndet dhe lumturi. Më i miri është versioni tradicional, i pjekur në furrë me pak yndyrë dhe erëza apo i mbushur me gështenja të ziera, bukë të thekur e fruta të thata. Pastaj në tavolinë nuk mungojnë të gjitha sallatrat me ngjyra, pjata të ftohta edhe këto të zbukuruara me ngjyrat e festës…. Shijet prej kajmaku të pjatave të ndryshme që shtrohen si dekorative dhe ngacmuese në tryezë… S’di, ndoshta një panair i këndshëm që diktohet vetëm nga im bir dhe intuita e tij oreksndjellëse. Ai është masteri i saj, darka ku parapëlqen shumë të marrë pjesë në organizimin e saj që në ditët e mesdhjetorit. Uh po… Nuk folëm për ëmbëlsirat e kjo nuk vjen në fakt pa qëllim kaq ftohtë sepse s’jemi dhe aq të dhënë pas saj. Kam frikë se do përfundojmë tek një tortë, sepse tek kjo orë e tryezës asnjë nga ne nuk ka ndonjë preferencë (qesh). Çalojmë pak në këtë shije, për të mos thënë se unë nuk i dua fare. Çështje shijesh! Pastaj frutat e ndryshme të stinës apo dhe ato të thatat e bëjnë tryezën e fundvitit të bollshme, të pasur dhe në harmoni me shijet tona.

Eda Zari: Receta tradicionale e vjehrrës

Eda Zari për shkak të angazhimeve artistike Vitin e Ri e bën ndoshta më pas se data që shënon ndërrimin. Ama ajo sjellë një recetë të ndryshme, ndoshta e diktuar kjo nga familja që ka krijuar në Gjermani. “Unë  këtë vit jam me pushime në jug të Gjermanisë dhe festat i bëj jo direkt në shtëpi. Por ajo që unë preferoj të gatuaj më shumë është mishi i kaprollit, të cilin e gatuaj me verë të kuqe, gjethe dafine, koreandër, karafila dhe konjak norvegjez. Receta është e vitit 1931 nga familja Nolte (recete nga pema e familjes së vjehrrës sime- Köln). Shoqërohet me lakër të kuqe, dardha të ziera në liker manaferre të mbushura me Preiselberen. Si dhe knödel me salcë kremi kërpudhash.

Floriana Garo: Kek çokollate

Përgjithësisht unë e festoj me familjen dhe mami gatuan gjëra tradicionale. Edhe kur e kam festuar me familjen e Tedit janë gatuar pjatat tradicionale si mish gjeli, përshesh, sallatra të ndryshme, supëra, byreqe, etj.Unë nuk jam e zonja në kuzhinë, por një ëmbëlsirë di ta bëj shumë mirë. Ajo është kek me çokollatë të shkrirë.  Recetën ma ka mësuar shoqja ime e ngushtë në USA dhe unë e bëj shpesh në raste festash.

Ndërsa shtrimi i tryezës më merr kohë, sepse dua që gjithçka të duket e përkryer. Pjatat, gotat, vera shoqëruese, zbukurimet e tavolinës e madje edhe muzika duhet të jenë perfekte për rastin. Shampanja duhet të jetë gjithashtu gati në çastin e ndërrimit të viteve. Njerëzit, me të cilët e festoj janë zakonisht pjesëtarët e familjes si dhe familjarë që vijnë nga jashtë. Sa më shumë, aq më gëzueshëm kalohet!

Receta e kekut me çokollatë:

Shkrihen në një enë 2 copë çokollatë 70% me 75 gr gjalpë. Rrihen 3 vezë të plota dhe 2 të bardha vezësh me 3/4 gotë sheqer. Bashkohen bashkë 2 përzierjet: ajo e çokollatës me gjalpë dhe ajo e vezëve me sheqer. Trazohen mirë dhe pastaj i hidhet 1 gotë e çerek miell. Pas kësaj lyhen format (cupcakes) me vaj ose gjalpë që të mos ngjisin dhe hidhet masa e lëngësht deri në gjysmë të formave. Piqet përbërja në sobë për 12 minuta me 280 gradë. Nxirret keku nga format dhe i hidhet sipër sheqer-pluhur dhe shoqërohet me akullore me vanilje. Jam e bindur që do lëpini gishtat dhe është kaq e thjeshtë për tu bërë!

Arbana Osmani: Gjel deti përshesh

Prezantuesja e njohur, Arbana Osmani ka pohuar se në këtë periudhë festash ajo gatuan shumë dhe është një kuzhiniere e shkëlqyer. Kjo mund të shihet fare mirë edhe nga këto foto që ajo  ka ndarë me miqtë e saj në Instagram. E kujdesshme në çdo detaj dhe një mori gjërash. Edhe pse këtë vit Arbana ka preferuar ta kalojë natën e ndërrimit të viteve jashtë shtetit, receta e preferuar e saj në çdo fillimviti është përsheshi i gjelit të detit. Një gatim tradicional, i cili gatuhet thuajse në çdo familje shqiptare. E këtij gatimi të gjithë tashmë ia dinë recetën.

Pergatiti Jonida Hitoveizi Gazeta MAPO

Burimi: vipat.info

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here