E natyrshmja dhe zgjuarsia gërshetohen shumë mirë në personalitetin e saj, kënga dhe dashuria i zënë vend njëra-tjetrës. Emocionet dhe pasioni për jetën, këngën, udhëtimet dhe rrëfimet më intime të Shyhrete Behlulit.

Ajo është modeste, e drejtpërdrejtë, me një stil të veçantë në jetën e përditshme, por edhe në skenë, këngëtarja Shyhrete Behluli, në këtë intervistë për “Botën sot” tregon për këngën, për dashurinë e saj të madhe, të pakushtëzuar, është një nga këngëtaret më të suksesshme të skenës muzikore.

Ajo thotë se është origjinale, do të thotë origjinalja e karakterit të saj shfaqet nëpërmjet këngës, si dhe mendon se aty shihet edhe origjinaliteti i personit. Ajo rrëfen edhe për gjërat intime, ato që përbëjnë jetën e saj përtej skenës…
“Bota sot”: Për fillim a mund të na thoni se cili ka qenë viti 2010 për Shyhreten, ku keni qenë, çka keni bërë?

Shyhrete Behluli: Viti 2010 ka qenë sikur vitet e tjera, do të thotë ka qenë i suksesshëm. Unë mendoj se me punën profesionale kam qenë shumë e kënaqur edhe pse në aspektet e tjera edhe jo aq mirë, mirëpo sa i përket punës po. Në përfundim të këtij viti jam e kënaqur me punën dhe angazhimet gjatë vitit 2010.

“Bota sot”: Çka ka diçka origjinale në shpirtin e Shyhretes, diçka që nuk e keni zbuluar për opinion deri më tash?

Shyhrete Behluli: Vetë unë jam origjinale, do të thotë origjinalja e karakterit tim është nëpërmjet këngës, unë mendoj se aty shihet edhe origjinaliteti i personit. Do të thotë ajo që jam në shpirt jam edhe në këngë, diçka më origjinale nuk po e di çka të cek.

“Bota sot”: Edhe sa vjet do te jeni “gjallë” në skenën e muzikës?

Shyhrete Behluli: Aty vetëm Zoti mund ta dijë se edhe sa do të jem në skenë. Ne hyzmetin do t’ia bëjmë, do të mundohemi, do të angazhohemi për punë edhe më tutje e aty sa kemi sukses dhe sa do të jemi në skenë vetëm Zoti mund ta dijë, nuk di se çfarë të them më shumë.

“Bota sot”: Kur do t’i jepni fund këngëve në dasma apo në skena të vogla?

Shyhrete Behluli: Nuk e di është shumë vështirë të jap këtë përgjigjeje, kur do t’i jap fund dasmave dhe skenave të vogla. Nuk mund t’i dallojmë asnjërën, është e vërtetë që dallojnë skenat dhe prezantimet njëra prej tjetrës, mirëpo çdo punë është e artistit pa marrë parasysh vendin ku prezantohet. Kështu që për ne nuk mund të bëj ndonjë dallim: aty po ose aty jo, do të jemi prezentë nëpër dasma derisa të kemi kërkesa.

“Bota sot”: Si nis një mëngjes pushimi në shtëpinë tuaj?

Shyhrete Behluli: Zakonisht si të gjitha ditët e tjera, megjithëse jo e angazhuar që të zgjohem në mëngjes në orën 7.00-8.00, sikurse është orari i punës. Kur zgjohem nga gjumit, sikur çdo grua tjetër, rreth punëve të shtëpisë ose dal për të pirë një kafe me ndonjë shoqe ose mike e jo diçka shumë të veçantë.

“Bota sot”: Udhëtimi më i bukur?

Shyhrete Behluli: Të them të drejtën nuk kam ndonjë udhëtim që do të mund ta veçoja se gjithmonë kemi udhëtuar vetëm me punë, kështu që nuk kemi pasur kohë të shijojmë diçka të veçantë. Sa herë kemi udhëtuar, kemi udhëtuar me punë dhe nuk kemi pasur kohë t’i shijojmë bukuritë e ndonjë vendi ose diçka tjetër, kështu që shpresojmë për një udhëtim në të ardhëm që do ta kemi kështu tamam për ta ushqyer shpirtin e jo të jem e lidhur me punën.

“Bota sot”: Filmi juaj i jetës?

Shyhrete Behluli: Filmi më i preferuari imi që gjithmonë e shoh dhe nuk më mërzitet asnjëherë është “Udha e shkronjave” dhe gjithmonë do të jetë për mua filmi më i dashur.

“Bota sot”: Veshja më e bukur në dollapin tuaj?

Shyhrete Behluli: Veshja më e bukure në dollapin tim është kostumi kombëtar të cilin e ruaj me shumë kujdes. Ajo është veshja më e mirë për mua, më kujton shumë gjëra të mira. Veshja kombëtare ma kujton rininë kur kam filluar të këndoj, me atë veshje prapë jam në skenë, kështu që për mua mbetet veshja më e bukur.

“Bota sot”: Çfarë vishni nëpër shtëpi?

Shyhrete Behluli: Nëpër shtëpi veshi çka ndihem më komode, më tepër veshje sportive që janë më të rehatshme, nuk kam ndonjë preferencë.

“Bota sot”: Ku do të jeni për festën e Vitit të Ri?

Shyhrete Behluli: Për natën e Vitit të Ri do të jem në Amerikë ku do të këndoj tri net me radhë, do jem pranë fansave të mi dhe do t’i argëtoj me këngën time, si gjithmonë.

“Bota sot”: Çastin më të bukur që mund ta ndani me lexuesit e gazetës “Botës sot”?

Shyhrete Behluli: Dëshiroj që gjithmonë vetëm për gëzime të takohemi. Kam pasur me ta shumë çaste të bukura.

“Bota sot”: Një urim për fund?

Shyhrete Behluli: I përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që janë, iu uroj shëndet dhe iu dëshiroj gjithë të mirat, posaçërisht i përshëndes të gjithë adhuruesit e këngës, publikun, se pa publik kënga ime nuk do të ketë jetë! Gëzuar Vitin e Ri 2011!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here