Whitney Houston do të kujtohet në koncertin e mbushur me yje të muzikës, Grammy dhe do të ndiqet nga prodhimi i një albumi të saj “Greatest hits” e një seriali televiziv, teksa familja e këngëtares ende përballet me vdekjen e saj të papritur.

Celine Dion, Usher e Jennifer Hudson do të jenë mes performuesve që do të njoftohen nga kompania Recording Academy për koncertin “We Will Always Love You: Përshëndetje e Grammy për Whitney Houston” që do të transmetohet në rrjetin CBS më 16 nëntor.

Koncerti një orësh do të regjistrohet më 11 tetor në Los Angeles dhe do të përmbajë gjithashtu intervista e filmime të këngëtares së ndjerë, si dhe kujtime të saj nga artistë të ndryshëm.

Vdekja e Houston në moshën 48 nga mbytja aksidentale në vaskën e një hoteli në Beverly Hills përpara një ceremonie të çmimeve Grammy në shkurt, tronditi botën e muzikës. Autoritetet vlerësuan se vdekja e saj erdhi gjithashtu nga problemet e zemrës dhe përdorimi i kokainës, transmeton agjencia Noa.

Koncerti i veçantë në televizion do të koincidojë edhe me lëshimin më 13 nëntor të albumit variete “I Will Always Love You – The Best of Whitney Houston”, me 16 nga këngët më të njohura të Houston dhe disa të papublikuara më parë, siç është dueti “I Look To You” me R. Kelly, njofton kompania RCA.

Rrjeti televiziv Lifetime do të nisë gjithashtu një serial të ri më 17 nëntor, me titull “Familja Houston”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here