Salla e “Stadt Casino” në Bazelit, për dy ditë rresht do të jetë nikoqire e festivalit të vetëm të filmit shqiptar në Zvicër.

Festivali shqiptaro – zviceran i filmit të shkurtër “Swikos” do të hapet në ditën e katërt të muajit dhjetor. Shtatë nga gjithsej katërmbëdhjetë filmat garues janë prodhime të regjisorëve shqiptarë. “In Memorian” me regji të Ilirjan Himaj, “E kuqja” e Gazmend Nelës dhe “Tri dritare” e Faton Bajraktarit, janë filmat e regjisorëve kosovarë.

Në garë për çmimet e “Swikos” janë edhe “Vdekja nga ngufatja” me regji të Visar Morinës, “Ilirjana” i Ernest Mehollit, “Kthimi” i Kastriot Abdylit dhe “Për ters, atë çast” i Gentian Koçit.
Drejtori i festivalit shqiptaro-zviceran të filmit të shkurtër, Florim Brajshori, ka zbuluar detaje për edicionin e katër të “Swikos”.

Janë gjithsej katërmbëdhjetë filma nga Kosova, Maqedonia, Zvicra, Holanda dhe Gjermania, që do të prezantohen në këtë edicion të festivalit, mysafirë të të cilit do të jenë edhe ambasadorët e shteteve shqiptare”, ka thënë Brajshori.

Duke thënë se edhe këtë vit, “Swikos” do të ndajë pesë çmime, Brajshori nuk ka dhënë hollësi për jurinë, por ka siguruar që do të jetë e përbërë nga profesionistë të filmit.

Ende nuk është përcaktuar se kush do të jetë në juri, por do të jenë njohës të filmit nga Zvicra, si edhe përfaqësues nga Kosova”, ka thënë ai.
Duke shpjeguar se “Swikos” është festivali i vetëm i filmit të shkurtër që organizohet në Bazel, Brajshori ka zbërthyer qëllimin e këtij organizimi.

Fillimisht ideja ka qenë që të plasohet kultura jonë në Zvicër, por interesimi i njerëzve për çdo vit është rritur dhe mund të themi se ka shërbyer edhe si një urë lidhëse mes krijuesve kosovarë dhe atyre zviceranë”, ka thënë Brajshori, teksa ka shtuar se “Swikos” do të vazhdojë të zgjerohet në edicionet e ardhshme.
Drejtori artistik i festivalit, Ilir Kabashi, i cili ka bërë përzgjedhjen e filmave të regjisorëve kosovarë, ka thënë se rëndësia e “Swikos” është mjaft e madhe për krijuesit e filmit.

Fillimisht është e rëndësishme që çdo vit po rritet edhe më shumë cilësia e filmave që po shfaqen në këtë festival sikurse edhe numri i shikuesve që është i përzier, shqiptarë dhe zviceranë”, ka thënë Kabashi.
Duke thënë se “Swikos” nga viti i ardhshëm do të ketë përkrahje edhe nga qyteti i Bazelit, Kabashi ka thënë se festivali që bën bashkë krijuesit e këtyre dy vendeve do të zgjerohet edhe më shumë.

Synimi ynë është që nga viti tjetër, festivali të zgjasë të paktën katër ditë dhe të ketë më shumë filma, pasi që filmi shqiptar e ka një pistë jashtë Kosovës”, ka thënë ai.
Në edicionin e kaluar të festivalit shqiptaro-zviceran të filmit të shkurtër, “Swikos” me çmimin kryesor është shpërblyer filmi “Matanë lumit” i regjisorit kosovar Ilirjan Himaj./koha/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here